Modeli ynë, model punësimi – ai i Edi Ramës model bllokimi
Arben Imami zhvilloi një takim me banorët e lagjes “Aqif Pasha”, ku prezantoi kandidatin për deputet, Ardian Turku
Kryesuesi i listës së kandidatëve të Partisë Demokratike, për deputetë në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami zhvilloi dje një takim me banorët e lagjes “Aqif Pasha”, në Elbasan ku prezantoi kandidatin e kësaj zone, Ardian Turku. Në fillim të takimit, banorët u njohën me një prezantim të shkurtër në poëer point të segmenteve rrugore të përfunduara që listohen në Qarkun e Elbasanit. Më pas u ndoq dhe dokumentari mbi punimet e rrugës Tiranë-Elbasan. Pas shfaqjes së dokumentarit të dy kandidatët folën për programin dhe arritjet e Qeverisë gjatë këtyre viteve. “Asnjëherë në historinë e vet Shqipëria nuk ka pasur stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik si këto tetë vitet e fundit, përkundrejt një modeli i cili në rastin më të mirë është i pa prodhuar, në rastin më të keq është i dalë boje siç i ka dalë ndërtesave që ka ngritur në Tiranë në fillim të viteve 2000”. Kështu ka deklaruar Ministri i Mbrojtjes Arben Imami gjatë një takimi me banorë të lagjes “Aqif Pasha”, të qytetit të Elbasanit. Sipas tij, modeli Rama është kalo radhën merr votën, modeli ynë është model pune, model i qëndrueshmërisë, dhe të gjitha janë të prekshme kudo, madje në Elbasan më tepër se kudo. Modeli tjetër është modeli i bllokimit, model që niset nga interesat e tyre”, tha Imami, duke shtuar se “ky grup politik është trashëgimtar i Partisë Komuniste Shqiptare, problem i tyre themelor është pushteti”.
Imami gjithashtu vlerësoi edhe sigurinë që ka çdo qytetar i lirë në Shqipëri duke e lidhur këtë me rrugën e zhvillimit që sipas Imamit “jemi ende në fillimet tona, kemi vetëm tetë vjet që po provojmë të hyjmë në rrugën e zhvillimit të planifikuar qartë me objektiva të qarta, dhe duan të na pengojnë që në hapin e parë vetëm për hir të pushtetit politik të tyre”. “Ka dy rrugë,një qeveri stabël, një program i qartë një kryeministër serioz, nga ana tjetër kemi një koalicion të paqartë a nxjerr dot apo jo kryeministër, një shumicë e cila në vijimësi ka treguar që është destructive dhe nuk është kostrektive, një kryeministër potencial i cili sa ka qenë mbi betonizim dhe vetëm në mbështetje të intersave të klaneve të klientelave të ngushta pranë tij”, që sipas Imamit ajo nuk është rruga e zhvillimit dhe integrimit.
Në vijim të bisedës së tij me banorët e lagjes “Aqif Pasha” Imami i kërkoi këtyre të fundit, por edhe qytetarëve të kulturuar të Elbasanit që investimin e qeverisë për rrugën me tunel Elbasan – Tiranë ta vlerësojnë ta çojnë përpara këtë ide dhe ta përdorin për zgjedhjet politike, ndërsa vlerësoi banorët e kësaj lagjeje të cilët gjithnjë kanë votuar për PD. Pasi ka vlerësuar këtë vepër Imami e ka cilësuar si një nga rrugët me standardet më të larta që është realizuar në Shqipëri.
Programi i Partisë Demokratike, tha Imami ka në funksion uljen e papunësisë, përmes rritjes së invesitmeve dhe uljes së taksave. “Modeli ynë i punës është të zbusim papunësinë”- tha ai, duke e vënë theksin tek ndërtimi i tre HEC-eve në kaskadën e Devollit ku do të punësohen më shumë se 5000 punonjës. “Një pasuri që kishte fjetur në shekuj në thellësi që janë ujrat tona ne i vumë në efiçensë, nëpërmjet politikave të drejta, uljes së shpenzimeve administrative kemi ulur 40 përqind të këtyre shpenzimeve, që sipas Imamit, ky është modeli ynë, model i përkushtimit, patriotik, inteligjent, që ka prodhuar stabilitet politik”.
Gjatë një takimi me banorë të lagjes “ Aqif Pasha” në Elbasan, nënkryetari i parlamentit Ardjan Turku i cili rikandidon për deputet në këtë qark, në këtë bashkëbisedim me ta, ka rikujtuar edhe një herë investimet që ka realizuar qeveria shqiptare gjatë këtyre tetë viteve, që sipas tij “janë investime të dukshme në shëndetësi, bujqësi, arsim dhe në veçanti në ifrastrukturë”. Duke ju drejtuar banorëve të kësaj lagjeje Turku ka deklaruar se “sistemi rrugor ka qenë prioriteti numër një nga gjërat më të veçanta që ka bërë kryeministri Berisha, pasi pa sistemin rrugor rural dhe komunal nuk kishte mundësi të zhvillohej ekonomia”. Sipas tij, strategjia e infrastrukturës rrugore po përmirësohet nga dita në ditë, duke u ndalur jo vetëm tek tek investimet në rrugë siç është rruga me tunel, boshti i Jugut, por edhe në rrugë me histori të lashtë në qytet, “Via Egnatia”. “Via Egnatia e ardhur nga lashtësia nga Durrësi drejt Elbasanit drejt kufirit me Maqedoninë, për të vazhduar drejt Lindjes së Mesme është ristrukturuar në qytet, është folur për boshtin e Jugu, për rrugën e Arbrit, dhe Elbasani qëndron mes këtyre dy rrugëve”- tha ai.
Por sipas Turkut prioritet i qeverisë kanë qenë edhe rrugët rurale, ku është investuar shumë vitet e fundit. Sipas tij, kryefjala e investimeve të qeverisë mbetet autostrada Tiranë-Elbasan. “Me këtë rrugë ne fitojmë shumë, pasi bëhemi një nga këndet e trekëndëshit më të zhvilluar të Shqipërisë së Mesme, një tjetër fitim është edhe bashkimi i Elbasanit me Tiranën. Edhe për bizneset e Tiranës do të jetë shumë e lehtë të kenë magazinat e tyre edhe për Durrësin dhe Elbasanin. Të privilegjuar nga ndërtimi i rrugës do të jenë edhe ato që kanë prona, pasi atje ku shkon rruga vlera e tokës rritet, vlera e shtëpisë rritet, dhe kulturat dhe mikrokulturat shkëmbehen më lehtë”, tha Turku. Gjithashtu, kandidati i PD e vuri theksin tek mosmiratimi i opozitës për rrugën, duke rikujtuar edhe një herë banorët e lagjes “Aqif Pasha”, atë seancë plenare ku do të votohej buxheti për ndërtimin e kësaj rruge. Opozita akuzonte mazhorancën se po gënjenin lidhur me ndërtimin e kësaj rruge. Por, gjithçka është miratuar, rruga po mbaron dhe ky është zhvillimi për Elbasanin, është një vepër infrastrukturore për të gjithë vendin”, përfundoi Turku.