Meta: LSI kontribut në miratimin e tre ligjeve
Lideri i LSI-së, tubim elektoral në qytetin e Krujës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim mjaft entuziastë në qytetin e Krujës, takim në të cilin ka prezantuar kandidatët e LSI-së në Qarkun e Durrësit, veçanërisht kandidatin për Krujën, Bujar Dervenin. Në fjalën e tij z. Meta shprehu kënaqësinë për këtë takim duke e cilësuar Krujën si një qytet të lavdishëm i cili i mbush të gjithë shqiptarë me krenari për të kaluarën por edhe në frymëzim për të ardhmen. Jam i bindur se duke propozuar apo duke mbështetur një përfaqësues të denjë të këtij komuniteti të mrekullueshëm të qytetarisë, të urtësisë dhe mençurisë krutane dhe të intelektualëve krutanë, si Bujar Derveni, ne tregojmë respektin, vëmendjen dhe vullnetin tonë për t’i dhënë qytetit të Krujës dhe të gjithë krutanëve mbështetjen më të madhe për përfaqësuar me dinjitet në Parlamentin e ardhshëm dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore të vendit”, tha ai. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se Kruja ka nevojë për këtë përfaqësim të munguar kohët e fundit, ka nevojë të përfaqësohet me njerëz dinjitozë, me njerëz që përfaqësojnë vlerat më të mira të komunitetit, me njerëz që i bëjnë nder historisë së Krujës por njëkohësisht me një vizion për të ardhmen.
Z. Meta tha se prioriteti kryesor i LSI-së është punësimi dhe vetëm punësimi. Ne besojmë se Kruja ka një të ardhme të shkëlqyer, sikurse ka një histori të shkëlqyer, por ka nevojë për më shumë mbështetje nga shteti dhe nga qeveria. Ndaj ne angazhohemi edhe përmes programit tonë për katër vitet e ardhshme, ku prioriteti i parë, i dytë dhe i tretë është ai i punësimit, të mbështesim qytetarët e Krujës, të rinjtë e Krujës, për të ecur më shpejt në këtë rrugë. Për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe potencialet që ka Kruja, sidomos për zhvillimin e Turizmi, për zhvillimin e sektorit të shërbimeve, për zhvillimin e mëtejshëm e biznesit fason, ku punojnë me qindra e qindra gra dhe vajza të reja”, tha ai.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se LSI mbështetjen për biznesin fason e ka dhënë e para kur politika shqiptare nuk e artikulonte fare këtë çështje. “Shumë lehtësi që janë bërë këto vitet e fundit kanë qenë rezultat i insistimit të LSI-së, që nga bërja zero e taksës doganore për lëndët e para për industrinë fason, që nga bërja zero e taksave për pagat deri në 30 mijë lekë të reja, që nga heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e kështu me radhë. Ne do të vazhdojmë të japim një mbështetje akoma më të madhe sepse është një mundësi e shpejtë për të hapur më shumë vende pune, pikërisht tani kur problemet sociale janë të mprehta për shkak edhe të krizës evropiane që na rrethon”, vijoi ai.
Z. Meta deklaroi se një mbështetje të madhe LSI do t’i japë zhvillimit të turizmit.