Idrizi sposton ditën e përkujtimit të genocidit çam. Dojaka: Skandal, po përdoret për qëllime elektorale
Aleanca Popullore denoncon përdorimin që kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi po i bën çështjes çame, duke e spostuar ditën e përkujtimit të genocidit çam nga data 27 më 19 qershor.
I ftuar në emisionin Tonight në Tv Ora News, kreu i Aleancës Popullore, Artur Dojaka, tha se e gjitha kjo është bërë për qëllime elektorale.
Kjo është ndoshta një nga arsyet ku unë do të tentoja të isha më i heshtur, por nuk mund të rri pa denoncuar përdorimin e radhës, ndoshta më të kobshmin që Shpëtim Idrizi po i bën çështjes çame. Këtë e them për arsyen e vetme se komuniteti çam genodicin e tij që mbanë mbi shpinë prej 70 vitesh, që nga viti 1994 e përkujton këtë datë më 27 qershor. Kjo datë nuk është e rastësishme, por është vendosur më 30 qershor të vitit 1994, nëpërmjet ligjit nr.7893 Për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si dita përkujtimore e genocidit të shovinistëve grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, shpallur me dekretin e presidentit 885, të datës 12.7.1994. Këtë datë nuk e shpall as Shpëtim Idrizi, as Artur Dojaka. Kjo datë tregon edhe njëherë përdorimin që Shpëtim Idrizi i ka bërë çështjes çame për ta futur atë në fushatë. Të kishim pritur edhe këtë javë për të përkujtuar këtë datë. Është hera e parë që ndodh diçka e tillë dhe në fakt komuniteti çam e ka bojkotuar vajtjen në Kllogjer, deklaroi Dojaka.
Kreu i Aleancës Popullore denoncoi me fakte edhe aferën që është bërë për ndërtimin e varrezës monumentale në Kllogjer. Është 27 qershor data e genocidit. E sjell në datën 19 qershor thjesht që të jetë para votimeve. Ndërkohë që sbën vaki që në varreza dikush të tundi flamur partiak. Shpëtim Idrizi e bën këtë me flamujt e PDIU, por në të njëjtën kohë, ne shikojmë që aty nuk ka asnjë për tu përuruar. Janë disa skeleri, disa punime të papërfunduara të cilat jo pak, por kanë fituar një tender prej 1 miliardë lekësh të qytetarëve shqiptarë dhe kjo nga një kompani Blumar-skel sh.p.k, nga një çam 100 karat, Salvatore Kostanco. Unë dua të garantoj jo vetëm komunitetin çam, por mbarë shqiptarët që, kushdo që ka ngjyer majën e lapsit, gishtin, kovën e ekskavatorit apo çdo gjë tjetër, pas datës 23 qershorit do të përgjigjet për këtë pikë. Ne jemi të hapur që të bashkohen të gjithë me ne, por jo për afera korruptive. Por të bashkohen të gjithë për atë amanet që ne kemi mbi supe. Kjo është ajo çka Aleanca Popullore ofron, u shpreh Dojaka.
Kreu i Aleancës Popullore deklaroi se kjo forcë e ka të sigurt marrjen e tre mandateve në zgjedhje duke synuar edhe të katërtin./ep