E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idromeno në xham

Kolë Idromeno fotograf prezanton: Lloji i shkodranit dhe lloji i veshjes. Ekspozohen stampimet e para të fondit prej 2800 xhamash që ruhen në Qendrën e Studimeve Albanologjike. Ky vit shënon 150-vjetorin e lindjes së artistit. Afërdita Onuzi autore e monografisë-album në proces, komenton Idromenon.

Kaloi pa u ndierë prezantimi i Idromenos fotograf deri në këtë moment që flasim. Në "Ditët e Albanolgjisë" që Qendra e Studimeve Albanologjike mbajti në dhjetor, u ekspozuan për herë të parë afro 30 foto. Ato janë stampuar nga fondi prej 1285 xhamash të Kolë Idromenos, që ruhet në "Fondin e xhamave" të kësaj Qendre.

Fotot që kemi zgjedhur përbëjnë një prototip të fotografisë së Idromenos. Njeriu me traditat, njeriu i qytetit dhe i fshatit, fetar dhe laik, autoritar dhe familjar, me pushtet dhe i zhveshur nga ndonjë pushtet, oriental dhe perëndimor, burra dhe gra, vajza dhe kërthi, të gjithë në studio, të vendosur ashtu siç do ai. Ndodh që këto modele gjinorë, socialë, kulturorë, ai t'i vendosë bashkë si një familje e madhe.

E tregon kjo foto që po botojmë me të tjera.

Të gjithë janë në Shkodër, shkodranë (ka edhe përjashtime si fotoja e një arapi të ri veshur me fustanellë dhe jelek qëndisur me argjend) të veshur me kostume katolike, myslimane, po edhe me rroba mëndafshi. Të gjithë kanë portrete të qetë si në gjumë. Jemi në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX.

Afërdita Onuzi, etnografe, në Institutin e Antropologjisë dhe Studimit të Arteve, ka në proces, një monografi në bashkautor Karaman Ulqinin, që ka objekt studimi elementët etnografikë në veprën e Idromenos.

Autori i portretit "Motra Tone" 1883 (cilësuar vepra e parë e Rilindjes Shqiptare) dhe e tablosë "Dasma shkodrane", aq popullore për riprodhimet që i bëhen sot e tërë ditën, analizohet nga Onuzi si etnograf i mirëfilltë.

"Nga punimet që ruhen deri tani si edhe nga të dhëna të tjera, vërejmë se Idromeno, vizatimet i ka bërë kryesisht për parapërgatitjen e tablove dhe nuk i ka trajtuar si vepra më vete siç do të shohim vite më vonë në krijimtarinë e piktorëve Vangjush Mio dhe Abdurrahim Buza.

Edhe në ekspozitat ku ai ka marrë pjesë, si jashtë vendit (në Budapest, Vjenë, Romë, Nju Jork) ashtu edhe në Shqipëri (në Shkodër 1923, Tiranë 1931-1945) nuk ka asnjë të dhënë për vepra të tjera në ngjyra vaji dhe akuarel ("Arti i Rilindjes Shqiptare", Ferid Hudhri, Tiranë, Onufri 2000.)
Onuzi thekson se njeriu me kostum i Kolë Idromenos edhe në fotografi, është një akt i vetëdijshëm prej etnografi.

Ai rizbulon veshje, i nxjerr në dritë, kompozon elementë të tyre brenda modeleve të traditës. Kjo ndodh edhe atëherë kur Idromeno është duke trajtuar një temë fetare në pikturë (Ai përmendet ndër të tjera për trajtimin që i bën temës fetare. Kush ka hyrë në katedralen e Shkodrës për herë të parë dhe nuk është ndalur me kuriozitet përballë veprave të tij në skulpturë me skena nga ndeshja e forcave të Dritës me të Errësirës?)

Tabloja "Rrugët e jetës", 1901, të cilën Onuzi e veçon për vlera etnografike, njihet për "realizmin në pikturën kishtare". Kujtojmë se Idromeno "përgjithësisht u përgatit në mënyrë autodidakte. Në Akademinë e Arteve në Venedik, qëndroi vetëm 6 muaj, pastaj punoi pranë një piktori vendës" ("Arti i Rilindjes Shqiptare", Ferid Hudhri.)

Monografia e Onuzit është konceptuar si album. Do të jetë ndoshta prezantimi i parë i rëndësishëm që i bëhet artistit me imazhe të fotografive dhe tablove kryesore. Bashkëkohësi dhe mësuesi i tij Marubi, një shekull më vonë, i kapërceu kufijtë e Shqipërisë me albume dinjitoze, kartolina e kalendarë. Ndoshta, po të punohet siç duhet, radha do të jetë e Idromenos.

Fototeka

Fototeka e Qendrës së Studimeve Albanologjike trashëgon pasurinë e Institutit të Kulturës Popullore prej vitit 1978 kur ky Institut (sot i Antropologjisë dhe Studimit të Arteve) u nga Instituti i Arkeologjisë. Specialisti i fototekës Gjergj Martini thotë se fototeka përmban "fondin e xhamave".

Janë rreth 2800 xhama që i përkasin fundit të shekullit XIX deri para Luftës së Dytë Botërore. Janë imazhe të fiksuara nga Margaret Hasluck, Sotir Bej, A. Kokoshi, Ugolini, Ventiku, Rrok Zojzi. Por Fondi "Idromeno" ka rreth 1285 xhama. Më në fund në vitin 2005-2006 janë stampuar një pjesë e tyre falë projektit Interreg III një bashkëpunim me vendin fqinj, Itali.

Shënime biografike

Kolë Idromeno (1860-1939) lindi në Shkodër. Kronologjikisht njihet si piktori i parë i Rilindjes. Ka qenë piktor, skenograf, fotograf, arkitekt, urbanist, muzikant si dhe nismëtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri. Ka studiuar vetëm pak kohë në Akademinë e Arteve në Venedik, ka udhëtuar dhe ka ekspozuar në disa vende evropiane dhe gjithë pjesën tjetër të jetës e ka kaluar në Shkodër.

Me realizimet e tij në arkitekturë dhe urbanistikë, Idromeno ndryshoi pamjen e Shkodrës, ndërsa me veprimtaritë artistike ndikoi që qyteti i tij të mbetet për një kohë të gjatë vatra kryesore e zhvillimit të arteve vizive në gjithë Shqipërinë. Me tablotë e Idromenos fillon shkolla realiste shqiptare, dhe disa nga veprat e tij bëjnë pjesë në traditën kombëtare.

Intervista me Afërdita Onuzin

Zonja Onuzi, çfarë rëndësie ka ky prezantim nga kaq afër i Idromenos fotograf?

Pyetja juaj më ndihmon të them ç'ishte Shkodra në atë kohë kur jetoi e punoi Idromeno. Në këtë periudhë, kur filloi aktivitetin e tij, është fjala për gjysmën e dytë të shek. XIX, Shkodra jetonte akoma lavdinë e dikurshme, ishte në kulmin e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe politik.

Kemi në Shkodër një urbanistikë dhe arkitekturë të admirueshme, përveç banesës popullore e cila spikaste me elementët e saj tradicionalë, kemi një mënyrë të të konceptuarit të qytetit në tërësi, me institucionet kulturore, fetare, me bibliotekat, teatrot dhe gazetat.

Shkodra po largohej nga influenca dhe tiparet e qytetërimit oriental si gjithë qytetet e tjera ballkanike, pjesa lindore e ndikuar nga pushtimi i perandorisë otomane.

Është e ndjeshme dhe e dukshme në Shkodër ndikimi i Rilindjes Evropiane në mënyrën e jetesës, edhe në konceptet e njerëzve, në veshjet, në mënyrën si pajisej banesa, mobilie të ardhura nga Perëndimi.

Kjo kishte ndodhur në mënyrë të natyrshme sepse shumë shkodranë kishin shkuar të studionin e jetonin në Itali, Francë, Austri dhe sigurisht vinin me mënyrë tjetër jetese. Bibliotekat e Shkodrës ishin të rralla, në shumë familje mund të gjindeshin edhe piano.

Mund të bëjmë një krahasim mes Marubit dhe Idromenos, mes mjeshtrit dhe nxënësit? Çfarë e karakterizonte dhe dallonte nxënësin?

Kur Idromeno u kthye nga Italia në Shkodër, filloi të punonte si fotograf dhe ku kishte kohë që kishte ngritur aktivitetin e tij Pjetër Marubi. Idromeno u mirëprit nga Marubi. Më pas shohim një foto të tij të vitit 1888 që mban vulën me emrin e Idromenos çfarë do të thotë se ai kishte dalë tashmë i pavarur.

Fotot e tyre janë gati në të njëjtën atmosferë, sigurisht që teknikisht Marubi ishte shumë lart. Por nuk kaloi shumë kohë që, edhe Idromeno do të arrinte parametra të lartë teknikë. Mund të them se i afron vetë Shkodra dhe rrethinat e saj. Që të dy të mahnitur nga zhvillimi i kësaj periudhe me gjithë problemet e tyre shoqërore.

Tek të dy, në fokus është njeriu?

Është e vërtetë, por si pozon tek Marubi ky njeri nuk pozon tek Idromeno, kjo tregon se të dy janë të lidhur më figurën me ndjesi të ndryshme. E them këtë sepse në rastin e Idromenos ndikon një formim i gjithanshëm artistik: ai është piktor, skulptor, është këngëtar, bënte pjesë në grupet e ahengut të Shkodrës, është dhe arkitekt.

Unë mendoj se Idromeno është më artist në fotografi. Ndoshta studiues të tjerë do ta gjykojnë ndryshe. Unë e shoh këtë figurë edhe në aspektin etnografik, në mënyrën si është paraqitur dhe çfarë është fiksuar, është më artist.

Çfarë vë në dukje?

Tek Idromeno ka shumë natyrë. Unë po e studioj portretin e tij edhe si piktor. Për shembull hollësirat në tablonë "Rrugët e jetës" ose "Dasma shkodrane" ose "Guri i besë". Sipas Kanunit, kur njeriu do të betohet për një të vërtetë, ai duhet të vërë dorën në gur, një element pagan. Më pas u zëvendësua me Biblën.

Ka elementë etnografikë domethënës. Marubi është fotografi i padiskutueshëm, por tek Idromeno kemi këtë pasuri elementesh etnografikë. Kjo më ka shtyrë që bashkë me kolegun në Shkodër, Karaman Ulqini që të hartojmë një monografi "Elementë etnografikë në veprën e Idromenos", të cilat do të shihen edhe në fotografi, edhe në pikturë. Kjo ka ndikuar edhe tek Idromeno arkitekt.

Ai është i vëmendshëm ndaj elementëve tradicionalë dhe falë Idromenos ne kemi edhe sot shumë banesa, rrugë, të konceptuara sipas tij, që ruajnë Shkodrën e asaj kohe. Falë Idromenos kemi një moment historik të zhvillimit të Shkodrës në urbanistikë dhe arkitekturë. Ndonjëherë më vjen të them se ka qenë etnograf i vërtetë.

Origjina e tij, ju përmendët me kuriozitet të madh, origjinën jugore të këtij artisti.
Ai është shkodran, është shqiptar nga Çamëria i ati, i cili erdhi nga Arta dhe u vendos në Shkodër ku u martua me një vajzë shkodrane. Kola, lindi dhe u formua në këtë mjedis shkodran dhe e pasqyroi, në tërë krijimtarinë e tij.

Ai nuk pati më fatin të kthehej në origjinën e tij në jug.
Është e rëndësishme të themi që ai ka dalë edhe jashtë qytetit të Shkodrës, në Malësi, në Zadrimë, në fshatrat përreth. Sidomos kjo gjë paraqitet në pikturë, edhe në fotografi.

E ka intriguar xhubleta, veshja që shkëlqente midis tërë veshjeve që qarkullonin në qytetin e Shkodrës në ditë pazari ose në raste të tjera. Gruaja në Shkodër, edhe ajo e rrethinave ishte më e çliruar dhe për këtë arsye ajo është shumë e pranishme në fotografinë e tij, me gjithë variantet e kostumeve.

Ndonjëherë vë re se ka elementë etnografikë të kostumeve që janë tjetërsuar, sidomos tek ato fotografi që janë realizuar në studio. Ky "tjetërsim" bie në sy tek portretet e të huajve, konsuj, tregtarë. Tek ata kostumet nuk janë besnikërisht të vendosura.

Ky është objekt i monografisë tuaj?

Veshjet zënë pjesën qendrore të studimit. Po janë edhe disa elementë të kulturës shpirtërore, për mendësinë e njerëzve, ç'mendojnë për ferrin e parajsën.

Nga jeta shpirtërore kjo monografi do të përmbajë ahengxhijtë e Shkodrës, të pasqyruar në mjedise tradicionale. Aty shohim veshjet, instrumentet popullorë, pozicionin se si rrinë, vendet ku rrihej, si rrihet në pritë.

Kjo është arsyeja që ne u vumë të ndalemi tek vepra e tij etnografike.
Dua t'ju përmend disa nga fotot e ekspozitës. Njëra prej tyre paraqet një grua zadrimore, veshur në mënyrë ceremoniale, është duke shkuar në një rast dasme.

Bukën të zbukuruar me lule, që është një traditë e kësaj zone, e ka vendosur mbi kokë dhe është nisur për ta çuar dhuratë. Kemi veshje me xhubletë të gjatë, xhubleta e Malësisë së Madhe dhe variantin e xhubletës së shkurtër që është mbajtur në zonën e Dukagjinit, midis Malësisë së Madhe dhe Pukës.

Po kështu veshjet e burrave, në mënyrë të veçantë burrat e Shkodrës, katolikë e myslimanë. Është shumë interesante për ne, varianti i veshjes me fustanellë, tek burrat, që dokumenton se deri në fillim të shekullit XX, në Shkodër vazhdohej të mbahej veshja me fustanellë. Sigurisht që fustanellën e kemi edhe tek Marubi pak më herët dhe kuruar në mënyrë tjetër, dhe tjetër është kompozuar tek Idromeno.

Fondi Idromeno është pak i njohur.
Për fat të keq po. Sepse deri vonë nuk i përdornim xhamat për shkak të situatës kritike. Në kuadrin e projekteve INTERREG III, patëm fatin që të bënim restaurimin e këtyre fotografive dhe stampimin. Tani studiuesit kanë mundësinë t'i përdorin.

Studimet e pakta për Idromenon nuk e përligjin famën që gëzon emri i tij. Çfarë mund të bëhet në këtë 150-vjetor?

Është e vërtetë dhe e pranoj me keqardhje. Për rastin e Idromenos mund të them se kontributi i tij është i drejtpërdrejtë për etnografinë. Nëpërmjet fotove ai dëshmon pasurinë e kostumeve etnografike prej të cilave ne ruajmë shumë pak dhe në disa raste aspak, në fondet tona.

Kujtojmë se shkenca etnografike ka filluar në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në këtë kuptim, disa elementë që i kemi gjetur gjatë ekspeditave në terren, përputhen me "të dhënat" qoftë nga Idromeno, qoftë nga Marubi.

Monografia që po përgatisim do të ketë kryesisht foto dhe tablotë e plota, sepse pothuajse të gjitha tablotë e tij përmbajnë elementë etnografikë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›