E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, kapen 2 kg heroinë dhe 2,5 milionë lekë mallra të vjedhur

OPERACIONI/ Policia e qytetit bregdetar ka vënë në pranga një shtetas, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim

DURRËS - Policia e Durrësit ka arritur të sekuestrojë të shtunën një sasi prej 1,86 kg heroinë, si dhe disa mallrat ë vjedhur në vlerën e 2,5 milionë lekëve. Burime zyrtare nga blutë e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se kanë qenë orët e natës kur shërbimet e policisë kanë parë një mjet të braktisur në anë të rrugës. Mjeti ishte pa targa dhe i lënë në errësirë, çka ka tërhequr edhe vëmendjen e bluve. Më pas ekspertët kanë bërë kontrollin në mjet ku kanë konstatuar se në brendësi të tij ishte fshehur drogë në sasi të konsiderueshme. Policia ka bërë verifikimet e duhura teksa ka deklaruar se "shërbimet e policisë gjatë një kontrolli rutinë në aksin rrugor Durrës-Shijak konstatuan një automjet tip "Golf" të braktisur. Në të u gjetën dhe u sekuestruan një sasi prej 1,869 kg lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, 0,35 g kokainë dhe 4,4 g kanabis sativa". Ndërkohë, nga policia nuk bëhet ende e ditur nëse automjeti ku u gjet droga ishte i vjedhur apo i përket personit që zotëronte lëndën narkotike.
Ndërkohë, po dje, policia ka kapur një sasi mallrash të vjedhura në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit. Sipas bluve, në kuadër të operacionit "Butiku" është bërë i mundur zbulimi i një grupi kriminal i cili vidhte dyqane, si dhe bare në qytetin bregdetar. Në inventarin e vjedhjeve të kryera ata kishin edhe materiale të kishës ortodokse të qytetit. Policia konfirmon se është arrestuar pjesëtari i grupit, 52-vjeçari Vasil Ndoni, nga lagjja 12 e qytetit, si dhe është shpallur në kërkim nipi i tij, 24-vjeçari Harallamb Ndoni, banor i lagjes nr.1. Këta persona akuzohen për vjedhjen e një sërë lokalesh e dyqanesh, ndërsa vlera e objekteve të vjedhura arrin në 2,5 milionë lekë. Një pjesë e materialeve të vjedhura u gjetën në banesën e 24-vjeçarit, të shpallur në kërkim.
Policia ka ekspozuar materialet e vjedhura, ku renditen: një televizor plazmë 32-polsh, aparate dixhitale, orë muri e sende të tjera. Në banesën e tyre janë gjetur dhe ikona e materiale të vjedhura një javë më parë.
Procedimi penal ndaj 24-vjeçarit Ndoni nisi pasi ai akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer disa vjedhje në qytetin e Durrësit e konkretisht:
Vjedhja me thyerje e butik "Nino - Vitali" në lagjen nr.4 Durrës ku është marrë një sasi mallrash me vlerë 2 000 000 lekë (të rinj) të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale në banesën e shtetasit Harallamb Ndoni.
Vjedhja me thyerje më datë 14.01.2010 në lagjen Nr.3 Durrës e butik "Fashion" ku janë marrë mallra të ndryshme me vlerë 500 000 lekë (të rinj) të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Harallamb Ndoni.
Vjedhja me thyerje më datë 10.10.2008 në lagjen Nr.1 Durrës e kishës ortodokse ku kanë vjedhur tre ikona të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Harallamb Ndoni me daten 15.01.2010.
Vjedhja me datë 04.01.2010 e lokalit "Bar Bafe - Jona" në lagjen nr.6 Durrës për të cilen më datë 08.01.2010 ka filluar procedimi penal për vepren penale të "vjedhjes në bashkepunim".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›