Ish-deputeti në prokurori, nuk tregoi pasurinë

Hajrulla Paturri refuzon të tregojë pasurinë. Kryetari i komunës Kolsh fsheh pasurinë me vlerë mbi 30 milionë lekë
TIRANË- Një ish- deputet dhe një kryetar komune do të përballen me prokurorinë pasi nuk kanë treguar pasurinë që zotërojnë. Ish- deputeti, Hajrulla Paturri nuk ka pranuar që deklarojë pasurinë e tij dhe do të përgjigjet për veprën penale të refuzimit për deklarim të interesave private ndërsa kryekomunari Oruçi për fshehjen e një pasurie me vlerë më të madhe se 30 milionë lekë të reja. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Paturri
Inspektorati i ka kërkuar prokurorisë nisjen e procedimit penal për ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Hajrulla Paturri, për veprën penale "Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike", të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.
Sipas kallëzimit penal, Paturri, në dijeni të plotë të detyrimit për deklarim të interesave private brenda 15 ditëve "pas largimit nga funksioni", i njoftuar zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë dhe i komunikuar drejtpërdrejt nga Inspektorati i Lartë, nuk ka përmbushur ende detyrimin ligjor. Në nëntor të vitit të kaluar, Paturri është gjobitur nga ILDKP për vonesë në deklarim por sërish ai nuk e ka bërë deklarimin.
Oruçi
ILDKP ka verifikuar pasurinë e Abedin Oruçit nga ku ka dalë se zyrtari lokal nuk ka pasqyruar: tre objekte banimi, me sipërfaqe totale ndërtimi 1020 m²; troje me sipërfaqe të përgjithshme 3614 m²; si edhe një pikë karburanti, të gjitha në territorin e qarkut Kukës.
Të dhënat janë zbuluar prej informacioneve të mbërritura nga ALUIZNI, ku subjekti ka dorëzuar dosjen për legalizimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë informale, si edhe nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Kukës. Pas konstatimit të parregullsive, Inspektorati i Lartë i kërkoi subjektit Oruçi të paraqiste sqarimet e tij mbi objektet e padeklaruara, gjë e cila u refuzua prej tij.
Për të krijuar një situatë më të qartë mbi vlerën financiare të investimit të kryer nga zyrtari, ILDKP kërkoi mendimin e një eksperti të licensuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili shqyrtoi të dhënat e deklaruara nga vetë Oruçi.
Në opinionin e ekspertit vlerësues, vlera e ndërtimeve të padeklaruara në Inspektoratin e Lartë nga Kryetari i Komunës Kolsh është 31.413.017 lekë të reja, shumë, e cila për më tepër, nuk justifikohet nga të ardhurat e subjektit ndër vite.