Ihsanoğlu: Do të vazhdoj të loboj për Kosovën

(E plotësuar) Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Ekmeleddin Ihsanoğlu deklaroi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se do të vazhdojë të përdorë ndikimin e tij te vendet anëtare të Konferencës për shtyrjen përpara të procesit të njohjes së Kosovës nga vendet islamike.
Ai theksoi që e njeh mirë çështjen e Kosovës dhe se mbetet i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën
“Do të vazhdoj që të inkurajoj çdo vend anëtar të OBI-së që nuk e kanë njohur Kosovës, ta bëjnë sa më shpejtë këtë”, ka thënë Ihsanoğlu.
Ai ka shtuar se OBI do të japë mbështetjen e nevojshme për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, në mënyrë që kosovarët të jetojnë në harmoni dhe të gëzojnë paqen.
“Vlerat tona janë për barazi dhe mos diskriminim, këto vlera duhet t’i shpërndajmë në të gjitha vendet e botës. OBI do të vazhdojë solidaritetin me popullin e Kosovës për të drejtat legjitime të tij, personalisht do t’i dedikoj të gjitha përpjekjet e mija në këtë drejtim”, ka theksuar Ihsanoğlu.
Ndërkaq Kryeparlamentari Krasniqi, e ka vlerësuar këtë vizitë, si konfirmim i mbështetjes së OBI në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
-----------------
Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen e deputetëve nga radha e komuniteteve tjera joshumicë dhe ka zgjedhur nënkryetar të Kuvendit nga këto komunitete, Rasim Demirin./Indeksonline/
-----------
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu ka akuzuar liderët e Lëvizjes Vetëvendosje se po e dëmtojnë imazhin e Kuvendit të Kosovës, përmes protestave të tyre në seancat plenare.
Haxhiu ka thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! në krye me liderin e tyre Albin Kurti, po mundohen ta bëjnë Kuvendin e Kosovës sikurse sheshi “Tahrir” i Egjiptit.
Sipas Haxhiut, Vetëvendosje, është vetëm një grup i frustruar, i cili në mungesë të përkrahjes së qytetarëve në rrugë, të cilët, sipas tij, mund të mbledhin vetëm dhjetëra qytetarë, po e shfrytëzojnë Kuvendin e Kosovës për të protestuar.
Haxhiu u ka kërkuar organeve të drejtësisë që t’i arrestojnë personat të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale kanë kërcënuar me jetë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
------------
Kuvendi i Kosovës sot mblidhet në seancë plenare. Pas pikave të përhershme - koha për deklarime jashtë rendit të ditës,dhe koha për pyetje parlamentare - në rendin e ditës do të jenë miratimi i Marrëveshjes së deputetëve nga radha e komuniteteve tjera joshumicë dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga këto komunitete, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës jashtë vendit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Avokatinë.
Deputetët kanë ftuar në interpelancë edhe ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, sipas kërkesë së deputetit Burim Ramadani, mbështetur edhe nga 7 deputetë tjerë, lidhur me me shpërndarjen dhe përdorimin e drogave në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës.
Në rend dite është edhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2012, shqyrtimi i Raportit të punës së Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2012, shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Vlerësimin e strategjik mjedisor dhe emërimi i dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Po sot do të mbahet edhe një seancë solemne me rastin e vizitës zyrtare në Kosovë, të Ekmeleddin Ihsanoğlu, sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik. Me këtë rast z. Ihsanoğlu do t’u drejtohet deputetëve nga ora 12.00./Indeksonline/