E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët i frikësohen barazisë në listë

Liderët e partive kryesore politike në vend i frikësohen një gare të barabartë me kandidatët tjerë në listën zgjedhore të partisë. Ata me çdo kusht insistojnë që secila votë e qytetarit, automatikisht t’i shkojë edhe liderit të partisë. Gjatë takimit të fundit të liderëve për reformën zgjedhore, krerët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së kanë parapëlqyer që vota e qytetarit të jetë obliguese për liderin e partisë.

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se liderët e partive janë pajtuar që qytetarët duhet të kenë mundësi të votojnë edhe për dy apo tre persona të tjerë në listën zgjedhore. I vetmi që ka qenë kundër është lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se kjo lëvizje është që në listën zgjedhore të votohen 5 veta por jo domosdo lideri.

Në anën tjetër, analistët politikë thonë se me këtë vendim, po tregohet se liderët e partive i frikësohen garës së barabartë, shkruan zëri.

Analisti politik Halil Matoshi ka thënë se do të duhej të vlente parimi një anëtar një votë, por shume nga liderët kanë frikë se mund të nxirren jashtë loje, prandaj nuk e inkurajojnë demokracinë.

“Partitë kosovare, ato më të vjetra dhe këto më të rejat kryekëput janë parti të liderëve, para se te jenë të krahinave kosovare. Liderët janë forcuar përmes klaneve brendapartiake dhe klientelës jashtë, prandaj nuk ka demokraci të brendshme, nuk ka garë brenda-partiake, së këndejmi nuk ka as ide politike”, ka thënë Matoshi. Sipas tij, për shkak të këtyre partitë politike kosovare vuajnë nga shterpësia e ideve dhe amullia.

“Liderët nuk e durojnë jo konkurrencën por as mendimin ndryshe brenda partisë, sepse në Kosove nuk ka debat brenda partiak”, ka thënë Matoshi.

Ndërkaq, Valmir Ismajli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se e vetmja arsye pse ndoshta do të duhej që lideri mos të futej në garë për vota është krijimi i mundësisë që kandidatët femra të marrin sa më shumë vota, sepse siç shprehet ai, supozohet se nëse edhe lideri i partisë do të futej në garë për vota, atëherë, numri i votave për femra do të ishte shumë i vogël.

“Nëse shkojmë me variantin që votuesi të zgjedhë më shumë se një kandidat brenda listës, atëherë edhe lideri i partisë do të duhej të futej në garë. Në këtë mënyrë, do të krijohej një farë balance i fuqisë ndërmjet liderit dhe deputetëve tjerë, varësisht nga votat që do të merrnin secili prej tyre”, ka thënë Ismajli. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›