E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën dhe Gatuzo, Milani humb gjeneratën e artë

ITALI- Pas lamtumirës së Alesandro Nestës dy ditë më parë dhe asaj të Klarens Sedorf e Filipo Inzagit, që do të vijë të dielën, Milani nuk do të ketë as Ivan Xhenaro Gatuzon për sezonin e ardhshëm.

Mesfushori ka takuar dje zëvendës presidentin Adriano Galiani dhe i ka bërë të ditur se do të qëndrojë jashtë për një vit, ndërkohë që Galiani i ka dhuruar një CD të Fausto Lealit, me titullin “Më mungon”. “Erdhi momenti që të bëj mënjanë dhe t’u lë hapësirë të tjerëve, - deklaroi Gatuzo në konferencën e djeshme për shtyp. – Gjithsesi, është vetëm një mirupafshim, pasi do të qëndroj jashtë për një vit dhe më pas të shohim”, shtoi mesfushori.

Gatuzo ka thënë më tej se dëshiron të jetë edhe një vit tjetër protagonist me bardhezinjtë, “përndryshe do të kisha firmosur për t’u bërë drejtues”. “Nuk e di ende ku do të shkoj të luaj. Milani ka bërë për mua, më shumë se ç’kam bërë unë për klubin”. Gatuzo ka fituar dy Liga kampionesh, 2 kampionate dhe një sërë trofesh të tjerë me fanelën e Milanit, ku luan prej vitit 1999.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›