Rrezikohen 300 milionë

Rritja e pagave mund t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës. Rrezikohen seriozisht rreth 300 milionë eurot e premtuara nga institucionet financiare. Bëhet fjalë për kredinë e FMN-së prej 109.8 milionë eurosh dhe 210 milionë tjera nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore.
Pas rritjes se pagave, ka qenë fillimisht Fondi Monetar Ndërkombëtar që e ka ndalur këstin e dytë të kredisë, që është dashur t’i dalë në konto Qeverisë më 31 mars të këtij viti. Sipas marrëveshjes, është dashur të dalin 40 milionë euro.
Për njohësit e ekonomisë, marrëveshja me FMN-në mund të konsiderohet edhe e prishur në tërësi, pasi ka pak gjasa që Bordi i FMN-së, i cili mblidhet në mes të vitit, ta ripërtërijë atë.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Riinvest, thotë se, si pasojë, vendi do të thellohet në deficit të lartë buxhetor. “Gjasat janë shumë të vogla që Bordi i FMN-së ta përtërijë këtë marrëveshje pas rritjes se pagave”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, edhe kësti i parë prej 21.1 milionë eurosh, që i është akorduar Qeverisë, llogaritet si rezervë buxhetore. Kjo derisa nuk zhbllokohet marrëveshja, e cila deri në një vendim tjetër mbetet e “ngrirë”.
Për më tepër, veç kredisë së FMN-së rrezikohen seriozisht edhe fondet prej 210 milionë eurove të premtuara nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore. Prej tyre, 160 milionë euro nga Komisioni dhe 60 milionë nga BB-ja.
Krenar Shala, hulumtues në “Gap”, thotë se këto institucione u zotuan që do t’i japin këto mjete me kushtin e vetëm që Qeveria e Kosovës ta respektojë marrëveshjen me FMN-në. “Edhe kjo shumë, pra nuk do t’i vihet në dispozicion Kosovës”, thotë ai.
Për më tepër, prishja e marrëveshjes “stand by” me FMN-në, sipas Shalës, do t’i kushtojë Kosovës edhe në humbjen e kredibilitetit edhe ashtu të dëmtuar për investimet e huaja.
“Gjithashtu deficiti buxhetor do të thellohet në afro 5.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, ka thënë Shala.
Nga Ministria e Financave pranojnë se me FMN-në nuk kanë arritur të pajtohen sa i përket rritjes së pagave.
Sidoqoftë, sipas zyrtares për informim në këtë ministri, Fatime Lumi, kjo ngritje e pagave do të arsyetohet me një performancë të mirë në mbledhjen e të hyrave, që sipas saj, po dëshmohet në këtë fazë të vitit. “Bisedat do të vazhdojnë në ditët në vijim, ku presim harmonizim të qëndrimeve”, ka thënë Lumi.
Për këtë qëllim, ministri i Financave, Bedri Hamza, do të bëjë një vizitë në Washington gjatë këtij muaji për të marrë pjesë në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore.
Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar tashmë edhe publikisht ka dalë kundër vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave. Këto qëndrime u bënë të ditura pas vizitës se një delegacioni të këtij institucioni në Kosovë, ku përmes një komunikate e bënë të qartë se është shkelur marrëveshja.
Së fundi, qëndrim të ashpër rreth marrëveshjes kishte edhe përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Hose Suleman. Ai tha se Qeveria mund t’i rrisë pagat, siç ka bërë, vetëm nëse ka më shumë prodhim, shkallë më të lartë të rritjes ekonomike dhe rritje të produktivitetit.
Sipas përfaqësuesit të FMN-së, rritja e pagave për sektorin publik do të mund të bëhej, por jo më shumë se 15 për qind.
“Bazuar në gjendjen ekonomike, rritja e pagave do të mund të bëhej për jo më shumë se 15 për qind - madje do të ishte edhe më e ulët”, pati thënë Suleman.
Ndërkaq, sa i përket rrezikut nga deficiti buxhetor, Suleman pati tërhequr vërejtjen se Kosova duhet të ketë kujdes që deficiti i saj buxhetor të mos jetë më i lartë se 5 për qind e Bruto Prodhimit Vendor. Gjithashtu ai thekson se pasi është në fuqi marrëveshja e Qeverisë së Kosovës me FMN-në, Kosova nuk mund të hyjë në borxh deri në dhjetor të këtij viti.