Ikja e Hollbruk, Njeriu i fortë i diplomacisë
Riçard Hollbruk i dërguari i posaçëm i Obamës në Pakistan dhe Afganistan që në vitin 2009 dhe një nga diplomatët kryesorë që ka punuar për çdo President demokrat që nga vitet ’60, një nga negociatorët që i dhanë fund luftës së Bosnjës, ndërroi jetë të hënën në mbrëmje në Uashington. Ishte 69 vjeç dhe jetonte në Manhatan. Ai u shtrua në spital të premten në darkë pas një krize që pësoi gjatë një takimi në zyrën e sekretares amerikane të Shtetit, Klinton, në Uashington. Më pas, mjekët gjetën një krisje të aortës së Hollbruk dhe vendosën që t’i bëjnë një operacion të vështirë që zgjati 21 orë. Më pas, të dielën ai iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe që nga ai moment situata e tij shëndetësore qëndroi shumë kritike deri në momentin e fundmë.
Karriera e Hollbrukut ka qenë e gjatë dhe me shumë sfida. Në të përfshihen misione në Azi, Europë dhe Lindjen e Mesme, si dhe në Ballkan me rastin e luftës së Bosnjës. Ai ishte një nga arkitektët e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1995 që i dha fund luftës në Ballkan. Kjo ishte një ngjarje që u pasua nga një numër misionesh paqeruajtëse po në Ballkan kryesisht për sa i përket zgjidhjes së problemeve etnike, fetare dhe rajonale në ish-Jugosllavi.
Ndërsa së fundi ai u angazhua me një tjetër çështje shumë komplekse, atë të problematikës mes Pakistanit dhe Afganistanit. Misioni i tij si i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë në këto rajone ishte sjellja e stabilitetit përmes luftës kundër talebanëve dhe përballjes me qeveritë e korruptuara, zgjedhjet e manipuluara, ekonomitë e brishta, trafikun e lëndëve narkotike, armëve bërthamore dhe prezencës së Al-Kaedës dhe ndoshta edhe Osama Bin Ladenit në kufijtë mes këtyre dy shteteve. Një nga detyrat kryesore ishte presioni ndaj Presidentit Karzai të Afganistanit për marrjen e përgjegjësisë së sigurisë ndaj vendit të tij dhe përballja me korrupsionin që rrezikon misionin amerikan në këtë vend. Ka pasur raste kur për shkak të marrëdhënieve jo të mira, Karzai, Presidenti i Afganistanit ka refuzuar që të takohet me Hollbruk. “Ai është një njeri shumë i rreptë”, deklaroi së fundi Hollbruk gjatë një konference shtypi me gazetarët. “Por siç keni dëgjuar, edhe unë jam i tillë”.
Ndërkaq, ai ka ndihmuar edhe shefen e tij, Klinton, të cilën e mbështeti shumë edhe gjatë përpjekjeve të saj zgjedhore për t’u bërë presidente e Amerikës në vitin 2008, që të dërgonte më shumë trupa në Afganistan, duke ngulmuar njëherazi edhe për dërgimin e ndihmës dhe zhvillimin e projekteve për përmirësimin e imazhit të Shteteve të Bashkuara në këtë vend. Por ai ndërroi jetë pa parë suksesin, apo dështimin e këtij eksperimenti. Hollbruk ishte një diplomat brilant, luftarak, një njeri që përdorte një arsenal faktesh, blofesh, pëshpërimash, kërcënimesh dhe nëse ishte e nevojshme edhe luftërash për të mbrojtur pozicionin e tij dhe për të arritur synimin. Obama, që e lëvdoi Hollbruk të hënën pasdite në Departamentin e Shtetit tha tekstualisht”: ai është thjesht një nga gjigantët e politikës së jashtme amerikane”.
Por Hollbruk shpesh i habiste dhe madje edhe i frikësonte kundërshtarët dhe kolegët në tryezat e negociatave. Disa e cilësonin si “dem” dhe ai kishte në fakt një pamje të tillë me nofullat e gjera, shpatullat gjithashtu të gjera, buzëqeshjen e tendosur që mund të kishte shumë domethënie. Për admiruesit, gjithsesi, të cilët përfshijnë protégés të tij në Departamentin e Shtetit dhe presidentë të cilëve ai u ka shërbyer, ai është një nga paqebërësit më të famshëm me përpjekje të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Kur e caktoi Hollbrukun që të përfaqësonte Shtetet e Bashkuara në Kombet e Bashkuara, ish-presidenti amerikan, Klinton, tha: “Diplomacia e tij e shquar në Bosnjë ndihmon në parandalimin e gjakderdhjes dhe bisedimet e Dejtonit u kryen falë forcës dhe vendosmërisë së tij dhe ishin një moment kyç për sigurimin e paqes, rivendosjen e shpresës dhe shpëtimin e jetëve”. Ka nga ata që mendonin se përpjekjet e tij për Bosnjën meritonin çmimin “Nobel”.
Janë të pakët ata diplomatë të cilët mund të kenë arritjen e Hollbruk në karrierën e tyre. Fillimisht ai kaloi 6 vjet në luftën e Vietnamit. Fillimisht në Deltën e Mekongut me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në kërkim të mbështetjes së popullsisë civile dhe më pas shërbeu në ambasadën e Saigonit si ndihmës i ambasadorit Maxwell Taylor dhe së fundi ai mori pjesë në delegacionin amerikan në bisedimet e paqes në Paris në vitet ’68-‘69 të drejtuara nga Harriman dhe Cyrus R. Vance. Hollbruk ishte autor i njërit prej vëllimeve të “Pentagon Papers”, historia e fshehtë e Departamentit të Mbrojtjes në luftën e Vietnamit që faktonte vitet e gjata të lojës së dyfishtë të amerikanëve në Azinë Jugore. Këto materiale u vunë në dispozicion të publikut fillimisht në gazetën “New York Times” në vitin 1971. Si asistent i sekretarit të Shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit, në administratën e Karterit, Hollbruk luajti një rol kyç në vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike me Kinën në vitin 1979, një lëvizje që i hapi rrugën edhe vizitës së Presidentit amerikan, Nikson, në Kinë në vitin 1972.
Gjatë presidencës së Klintonit, Hollbruk shërbeu si ambasador në Gjermani në vitet 1993-1994 ku ndihmoi në zgjerimin e Aleancës së Atlantikut Verior. Kulmin e arritjeve e pati në Bosnjë si asistent i sekretares së Shtetit për Çështjet Europiane në vitet 1994-‘95 dhe ndërkohë ishte kreu i përfaqësuesve në Kombet e Bashkuara një post ky kabineti që e mbajti për 17 muaj nga viti 1999 deri në vitin 201.
Në Kombet e Bashkuara ai pati lidhje shumë të mira me sekretarin e përgjithshëm të kohës, Kofi Anan, negocioi shumë çështje problematike dhe kontradiktore të Shteteve të Bashkuara me OKB, u mor me kriza konfliktuale në Azi dhe Afrikë dhe bëri thirrje për rritjen e numrit të trupave paqeruajtëse. Pas plasjes së luftimeve në Republikën Demokratike të Kongos në vitin 1999 ai kryesoi një delegacion sigurie në një mision në Afrikë. Ai mbështeti edhe sanksionet kundër rebelëve të Angolës në 2000. Ndërsa arrinte sukses pas suksesi në të gjitha misionet zyrtare të cilat i ngarkoheshin, Hollbruk frustrohej gjithnjë e më shumë në lidhje me realizimin e ambicies së tij për të qenë sekretar Shteti. Ai ishte kandidati kryesor me Ollbrajt në vitin 1997 për postin në fjalë, i cili u fitua nga kjo e fundit që pati edhe mbështetjen e Bill Klintonit. Gjithashtu, Hollbruk e synoi postin edhe pas ardhjes së Obamës në pushtet, por edhe këtë herë ai zuri karrigen e sekretarit të Shtetit një tjetër grua, tashmë bashkëshortja e Klintonit, Hilari. Politika e jashtme ishte vetë jeta e tij. Edhe gjatë administratave republikane, kur Hollbruk nuk ishte në qeveri, ai ishte i përfshirë thellësisht në ndërmarrjen e misioneve si qytetar privat në rajonet problematike të Ballkanit apo Afrikës dhe Azisë për të parë me sytë e tij situatat dhe katastrofat e gjenocideve, luftërave civile dhe epidemive të sëmundjeve ngjitëse.
Zëri i tij ishte një ndër zërat më me ndikim në administratën amerikane për sa i takon politikës së jashtme. Ai është marrë shumë edhe me shkrime në lidhje me politikën e jashtme. Kështu ka qenë kryeredaktor i revistës “Foreign Policy” nga viti 1972 deri në vitin 1977 dhe një nga kolumnistët më në zë të “Washington Post” dhe analist politik për shumë publikime të tjera, si dhe autori i dy librave. Ai ka bashkëpunuar me Clark Cliford, një këshilltar presidencial në lidhje me librin “Kujtimet e Cliford” në vitin 1991 dhe shkroi më pas edhe librin në lidhje me luftën e Bosnjës: “Fundi i një lufte”.
Hollbruk bëri miliona dollarë si bankier investimesh në “Wall Street”. Në fillim të viteve ’80 ai ishte bashkëthemelues i një firme konsultash në Uashington “Public Strategies” që më pas iu shit “Lehman Brother”. Në kohë të ndryshme ai ka qenë edhe në pozicionin e drejtorit menaxhues të “Lehman brothers”, zëvendëskryetar i “Credit Swisse” në Boston dhe drejtorit të “American International Group”. Një pjesë e madhe e këtyre institucioneve financiare falimentuan në valën e krizës së vitit 2008.
JetaRiçard Charles Hollbrook lindi në Manhatan në 24 prill të vitit 1941. Ndoqi shkollën e mesme Scarsdale ku miku i tij më i ngushtë ishte David Rusk, djali i Dean Rusk që një ditë do të bëhej sekretar i Shtetit. I ati i Riçard vdiq kur ai ishte në moshën 15-vjeçare dhe si pasojë ai u lidh shumë me familjen Rusk. Në Universitetin e Braunit, ai u diplomua për histori dhe ishte kryeredaktor i gazetës studentore. Kishte ndërmend që të bëhej gazetar, por pas diplomimit në vitin 1962 u bashkua me Departamentin e Shtetit si oficer i shërbimit të jashtëm. Në vitin 1964, Hollbruk u martua me gruan e tij të parë, ndërkohë që më pas lidhi edhe dy martesa të tjera. Gruaja e parë ishte Larrine Sullivan, juriste. Çifti pati dy djem, David dhe Anthony dhe më pas ata u divorcuan. Martesa e dytë ishte me Blythe Babyak një producente televizive dhe ajo gjithashtu përfundoi me divorc. Në vitin 1995 u martua me Kati Marton një gazetare, shkrimtare dhe avokate e të drejtave të njeriut.
Le t’i rikthehemi karrierës së Hollbruk. Pas trajnimeve për gjuhë të huaja, ai kaloi tre vjet në Vietnam. Në vitin 1966 iu bashkua stafit të Presidentit, Lindon Jonson, dhe dy vjet më pas u bë anëtar i delegacionit të paqes në Paris. Bisedimet nuk patën një përfundim, por për Hollbruk ishin një përvojë e jashtëzakonshme në lidhje me artin e negocimit.
Në vitin 1970, pas një viti shkollimi në Princeton, ai u bë drejtor i trupave të paqes në Marok. Lë shërbimet qeveritare në vitin 1972 dhe përgjatë një periudhe 5-vjeçare merret me botimin dhe hartimin e revistës “Politika e Jashtme”. Ai kontribuoi gjithashtu edhe në revistën “Newsweek” dhe ishte këshilltar i qeverisë në organizimin e aparatit të politikës së jashtme. Punoi me Xhimi Karterin në fushatën zgjedhore të vitit 1976 dhe më pas iu dha posti i asistentit të sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Kur republikanët me Reganin morën Shtëpinë e Bardhë, ai e la sërish qeverinë dhe iu dedikua për një dekadë investimeve bankare dhe të shkruarit, kur Klinton erdhi në pushtet në vitin 1993 Hollbruku u emërua ambasador në Gjermani. Aty ndihmoi në themelimin e Akademisë Amerikane në Berlin si qendër shkëmbimesh kulturore.
U rikthye në Uashington në vitin 1994 si asistent i sekretarit të Shtetit për Çështjet Europiane. Prioriteti i tij kryesor do të bëheshin shumë shpejt luftërat e tmerrshme që kishin përfshirë ish-Jugosllavinë. Masakrat, përdhunimet masive dhe zhvendosjet e popullsisë mes tmerreve të tjera do të ishin pjesë e fushatave të “pastrimeve etnike” kundër myslimanëve.
Pas muajsh diplomacie, Hollbruk në vitin 1995 arriti marrëveshjen e pushimzjarrit dhe një projekt për ndarjen e Bosnjës në dy entitete, një për serbët e Bosnjës dhe një për kroatët dhe myslimanët. Fundi i negociatave përfshi liderin serb të kohës, Millosheviç, Presidentin kroat, Tuxhman, Presidentin e Bosnjës, Alia Idebegoviç, dhe këto bisedimeve të fundit rezultuan në Marrëveshjen e Dejtonit, në Ohajo. Kjo ishte dhe një nga arritjet më të mëdha të Hollbrukut në diplomacinë aktive. Si pasojë ai u nderua me çmime dhe detyra prestigjioze, si dhe vende në shoqërinë aziatike, në Muzeun Amerikan të Natyrës, në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtme. Ishte 59 vjeç kur la Kombet e Bashkuara ndërsa administrata e Klintonit po shkonte drejt përfundimit të mandatit të saj të dytë.
Por nuk kishte mbaruar ende për Hollbruk. Në administratën e Obamës atij iu ngarkua detyra e të dërguarit të posaçëm në Afganistan dhe Pakistan. Ai e filloi punën duke ndërmarrë hapa të vegjël e duke hequr dorë nga qëllimet madhështore të Bushit. Mikja e tij, Klinton, kishte besim shumë të madh tek ai. “Riçard përfaqëson diplomacinë këmbëngulëse, të vendosur dhe robuste që Presidenti kërkon të zbatojë në rajon. Unë e admiroj thellësisht aftësinë e Hollbrukut për të kapërcyer detyrat e vështira”, ka thënë Klinton.