Mjeket, dy shperblime per Vitin e Ri
Mjekët, infermierët e personeli mbështetës, pjesë të administratës, do të marrin në fund të muajit plot dy shpërblime. I pari do të jetë në masën 10 mijë lekë të reja dhe i dyti, deri në një pagë mujore. Kjo, në varësi të ndarjes që do të bëhet nga përllogaritja dhe ndarja e fondeve të të ardhurave dytësore për shpërblime me rastin e festave të fundvitit. Vendimin e parë e mori pak kohë më parë Këshilli i Ministrave me një VKM, ndërkohë që vendimi i dytë për një tjetër shpërblim është në fuqi, në bazë të rregullave e ligjeve për menaxhimin e të ardhurave dytësore. Sakaq, për qendrat shëndetësore, muaji qershor dhe muaji dhjetor janë muaji i akordimit të shpërblimeve për të gjithë mjekët e punonjësit e këtyre institucioneve. Javën e fundit të këtij muaji pritet që Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësore të bëjë publike akordimin e shpërblimeve si dhe masën që do t’u jepet si dhuratë fundviti bluzave të bardha. Të ardhurat dytësore janë të gjitha fitimet e qendrave spitalore nga faturat e paguara, të të gjithë qytetarëve që nuk janë të përfshirë në listën e sigurimeve shëndetësore. Sipas rregullave në fuqi, të gjithë ata pacientë që nuk zbatojnë sistemin e referimit, të gjithë ata pacientë që nuk kanë libreza të sigurimit, paguajnë në arkat e spitalit. Të gjitha këto shuma të akumuluara mblidhen në një fond, i njohur ndryshe si “qesja” e të ardhurave dytësore. Këto para përdoren për të bërë investime apo për të dhënë shpërblime në radhët e punonjësve të institucionit. Të ardhurat dytësore përgjatë 11 muajve, gati një vit, në 2009 janë 45 milionë lekë të reja, ose 450 milionë lekë të vjetra.
Nga konsultat pa rekomandim për të gjithë ata që nuk kanë zbatuar sistemin e referimit dhe nuk kanë zbatuar rregullat, janë përfituar mbi 2 milionë lekë të reja në formën e të ardhurave dytësore. Faturat formale të spitalit francez kanë kapur shifrën e mbi 5 milionë lekëve të rejave. Ky është fondi i akumuluar nga ky shërbim në formën e të ardhurave dytësore.
Pothuajse të njëjtën shifër ka grumbulluar edhe shërbimi i Patologjive në QSUT. Sipas analizës vjetore të këtij spitali, rezulton se Kirurgjia ka akumuluar rreth 7 milionë lekë të reja për shkak të faturave që kanë paguar pacientët që nuk zotërojnë librezë ose nuk e kanë zbatuar sistemin e referimit, sipas rregullave të vendosura nga politikat shëndetësore.
Pediatria dhe Infektivi kanë vjelë nga të pasiguruarit, 2 dhe 3 milionë lekë të reja. Neuropsikiatria ka grumbulluar 3 milionë lekë të reja; Onkologjia, shërbimi i tumoreve, ka vjelë mbi 6 milionë lekë të reja.