E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikja e qetë e Klosit

Politikanë, gazetarë, shkrimtarë, artistë dhe njerëz të tjerë të kulturës i bënë homazhe shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit Ardian Klosi i cili, natën e së enjtes, u vetëvra.

Krerët e shtetit dhe politikës shqiptare kanë ngushëlluar familjen e publicistit dhe përkthyesit të njohur Ardian Klosi, për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të dashur. Në mesazhet ngushëlluese, Klosi është vlerësuar si një njeri me vlera të çmuara, misionar i fjalës së lirë, një personalitet i pashoq për letrat, publicistikën dhe shoqërinë civile shqiptare.

Presidenti i shtetit shqiptar Bamir Topi e konsideroi vdekjen e Klosit si një humbje të madhe për mbarë shoqërinë shqiptare. “Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i shkrimtarit, analistit letrar, përkthyesit, publicistit dhe aktivistit të njohur publik të shoqërisë civile, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju - familjen e të afërmit, por edhe për mbarë shoqërinë tonë”, theksohet në mesazhin e presidentit Topi.

Edhe kryeministri Berisha e cilësoi vdekjen e parakohshme të Klosit si një humbje të madhe për letrat, publicistikën dhe shoqërinë civile shqiptare. “Në këto ditë zie për ju, unë i lutem Zotit që shpirti i bashkëshortit, babait dhe njeriut tuaj më të afërt, të gjejë paqen e merituar”, thuhet në mesazhin ngushëllues të kryeministrit Berisha.

Ndërsa, Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, e cilësoi vdekjen e Klosit si humbjen e një njeriu të çmuar për vendin dhe një miku të mirë. “Iku tragjikisht natën një mik i shtrenjtë e njeri i çmuar i këtij vendi, antikomformist i hershëm që refuzoi të përshtatet me vulgaritetin”, është shprehur Rama.

Po ashtu edhe miqtë dhe kolegët e tij i kanë mbushur pothuajse të gjitha faqet e kulturës të gazetave të Tiranës me shkrime për Klosin dhe ikjen e tij të papritur.

“Rruga e Klosit drejt vetëvrasjes ishte një dramë me disa akte që megjithëse po na përgatiste, më erdhi tmerrësisht papritur. Personalisht, për shkak të polemikave që kam pasur me të në shtyp, kisha ndërprerë marrëdhëniet e miqësisë së vjetër prandaj nuk e kam ndjekur dot nga afër, si mik, por vetëm nga larg çfarë po i ndodhte. Së largmi tre tentativat e tij të dështuara të vetëvrasjes i kam interpretuar si thirrje për ndihmë. Nuk di të them se kujt i drejtoheshin. Ndoshta të gjithëve, ndoshta edhe mua, që s’mendoja se mund t’i rikthehesha ndonjëherë ndjenjave të dashurisë së vjetër për të”, shkruan shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja.

Ndërkaq, shkrimtari Preç Zogaj është shprehur se do të donte që Klosi t’i jetonte deri në fund ditët e tij. “Do të kishim me shumë libra të përkthyer prej tij, nuk do të na mungonte pena e tij e mprehtë dhe zëri i tij shumë i veçantë në panelin tashmë edhe më të rralluar të lirisë, pavarësisë intelektuale dhe opozitarizmit në këtë vend”, shkruan Zogaj.

Për gazetarin dhe publicistin Mustafa Nano, Klosi ishte i ndrojtur, i brishtë, i pambrojtur dhe i padjallëzuar. “Ishte mbi të gjitha i ndershëm, dhe kjo frazë e fundit është nga ato që mund të thuhet për fare pak vetë në këtë Shqipërinë tonë. Ishte njëmend i ndershëm”, shkruan Nano.

Për studiuesin Aurel Plasari, Klosi ishte një nga mendjet më të çliruara të kulturës shqiptare. Ndërsa gazetari Andrea Stefani është shprehur se me ikjen e tij, bota intelektuale shqiptare humbi një mëndje të shquar.

“Ardian Klosi ishte një prej atyre që ia kushtuan jetën gjuhës dhe letërsisë. Por që milituan edhe në shqetësimet e shoqërisë. Ai solli në shqip disa prej kolosëve të letërsisë botërore, ai ngjalli përmes një botimi të rrallë letërsinë disidente shqiptare të viteve të komunizmit dhe u përpoq deri në fund t’i jepte asaj një vend që ia kishin mohuar pa ndonjë shkak. Ai i kushtoi thuajse 3 dekada pasionit të tij të parë dhe të vetëm letrave, pasion që do t’i rezervojë atë vend të merituar në mbretërinë e tyre të pakohë”, ka shkruar gazetari Blendi Fevziu.

Aktori Timo Flloko, i cili ka qenë i fundit që e ka takuar Klosin, para se ai të vriste vetën, tregon se me Klosin e lidhnin idetë në rrafshin intelektual dhe krijues, letërsia, arti. “Kishim inskenuar me sukses Hajnen, Kafkën, Brehtin dhe kishim të tjera plane për të ardhmen. Por obelisku u këput, ra nën peshën e pamatë të vetes, si çdo njeri i madh, gjigant që nuk mund të gjykohet. Ai zgjodhi në kulmin e vitalitetit të mendjes dhe të shpirtit, të penës dhe të artit elitist të tij, aktin e ikjes, të shpërfilljes së kësaj bote, e cila edhe pse i mbante dashuritë e tij që e rrethonin si një hyj, prapë iu dedikua misionit, shtegtimit misterioz e mistik drejt të përtejmes”, shkruan Flloko.

Për Klosin janë shprehur edhe shumë studiues, miq dhe kolegë të tij, të cilët përshëndetjen e fundit ia dhanë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

Kush ishte Ardian Klosi?

Publicisti dhe përkthyesi Ardian Klosi u lind në vitin 1957, në Tiranë. U diplomua në fakultetin e Histori-Filologjisë në 1981 dhe në vitin 1990 mori doktoratën. Nga viti 1993-1998 ka jetuar në Gjermani. Si publicist, shkrimtar, përkthyes, aktivist i shoqërisë civile dhe mendimtar i njohur, ka botuar disa libra dhe ka sjellë në shqip autorët më në zë të letërsisë gjermane.

Në shqip atij i njihen disa botime publicistike. Në vitin 1991 boton “Refleksione”, bashkautor me Edi Ramën. Po atë vit del në shtyp “Shqipëria zgjim i dhunshëm” dhe në vitin 1993 “Quo vadis Shqipëri”. Në vitin 1993 boton në gjuhën gjermane “Mbijetesa shqiptare”. Në vitin 1997, ai rikthehet me një tjetër botim në publicistikë, “Shqipëria ç’mund të jetë” dhe me “Fjalor gjermanisht-shqip” (me W. Fiedler), si dhe mjaft tregime, ese, artikuj në shtypin shqiptar dhe të huaj. Vitet e fundit të jetës Klosi u shfaq dhe si aktivist i shoqërisë civile, ku mbështeti disa prej kauzave civile në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe në mbrojtje të mjedisit. Një vit më parë përgatiti për botim në bashkëpunim me Artan Lamen librin “Piramida e Tiranës, e hijshme, e braktisur, e rrezikuar”. Por veprimtaria e Ardian Klosit është e lidhur veçanërisht me librat studimorë dhe me përkthimin.

Vitet e fundit ai themeloi dhe shtëpinë botuese K&B, duke sjellë botime nga autorë të njohur të letërsisë gjermane, si Heinrich Boll, Kafka e mjaft të tjerë, por dhe botime në fushën e studimeve dhe filozofisë. Për punën e tij në këtë aspekt, Klosi është vlerësuar disa herë me çmime si përkthyesi më i mirë. Në vitin 2008, me përkthimin e veprës “Skënderbeu” të studiuesit Oliver Jens Schmitt, Ardian Klosi solli një imazh të ri të Heroit Kombëtar dhe ngjalli shumë debate në opinionin publik. Klosi kishte formuar një profil të njohur si një opinionist dhe mendimtar i temave politike dhe sociale në vend, duke u shndërruar në një figurë mediatike të njohur për publikun shqiptar. Ai pas vetes la bashkëshorten Jutta Benzenberg dhe dy vajza.

“Është bekim të ikësh i qetë nga kjo botë. Kaluam shumë bukur, por unë nuk mund të vazhdoj më, kur të kthehesh eja pa vajzën”.

Mesazhi i fundit i Klosit dërguar gruas së tij

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›