E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikja nga gjysmëdemokracia

Kuvendi i ri i Shqipërisë, produkt i zgjedhjeve të shumëdiskutuara të 28 qershorit, ia filloi punës në mungesë të opozitës.


Një Kuvend pa debate, pa kuvendim. Diçka e frikshme kjo, që të kujton parlamentet e kohës së shkuar, kur vetëm një zë ndihej, kur vetëm një doktrinë "pëlqehej", kur vetëm një...grup gjallonte. Mbase analogjia është disi e tepruar. Por mbase edhe jo.


Demokracia e pjesshme është më shumë se e rrezikshme. Ajo mban pezull gjithçka, zhvillimin ekonomik, përparimin qytetar, integrimin e shumëpritur. Ne disa herë jemi ndodhur në situata të tilla "gjysma-gjysma".

Po Kuvendi ia nisi keq me të vërtetë. Dhe një fjalë e urtë popullore thotë: "Dita e mirë duket që në mëngjes." Një tjetër: "Fillimi i mbarë, gjysma e punës." Ani.


Përtej çdo shakaje e paravolie, Kuvendi startoi në një situatë politike të paqartë. Këto ditë, shumë media po përcjellin me tone deklarative pamjet gjysmë bosh dhe gjysmë plot të tij; mungesa e opozitës po përcillet me kritika dhe denigrim. (Sikur të ishte e para herë që ndodhin të tilla gjëra në politikën shqiptare.)


Pyetja që mund të bëhet rëndom me këtë rast, është pak a shumë kjo: Çfarë kemi humbur? Për shkak të bojkotit të tanishëm të opozitës.


Për shkak të "kokëfortësisë" së lidershipit socialist. Për shkak të vendimit politik që ka zgjedhur opozita, për të kërkuar disa të vërteta, në lidhje me atë se çfarë ndodhi para dhe pas 28 qershorit. Po e themi me shumë thjeshtësi. Nuk kemi humbur ndonjë gjë të madhe.


Nuk kemi humbur asgjë nga bojkoti i tanishëm. Po, kemi humbur në vite, aq sa nuk mund të rikuperohet me disa ditë, me disa javë, me një palë (a palo) zgjedhje. Humbja e vërtetë ka të bëjë vetëm me deformimet në procesin zgjedhor dhe në atë të numërimit të votave.


Ka një realitet të cilit nuk mund t'i ikim; në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit dhe vetë legjitimitetin e Kuvendit, ka ende shumë debate.


E ndërkohë, na mungon raporti i ndërkombëtarëve, përkatësisht misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë, i përbërë nga përfaqësues të OSBE-së, ODIHR-it, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Patëm një raport optimist dhe të shkruar (pothuaj) në mënyrë të njëanshme nga vëzhguesit vendorë.


Dhe tani kemi sulme të vazhdueshme, në mos përbaltje, ndaj opozitës dhe kryetarit të saj; ato e kanë rënduar edhe më tej këtë atmosferë më pak se ballkanike të fillimit të punimeve nga ana e Kuvendit.


Nuk është kjo "alkimia" që do të mund ta shndërronte Kuvendin në legjitim. Nëse ka ndonjë gjë apo shumë gjëra për t'u sqaruar, le të sqarohen.


Për shembull, le të hapen kutitë. Me mentalitetin "shty të shtyjmë", siç kemi bërë gjer më sot, nuk shtyhet më. Vetë Zyra e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Olli Rehn, përpara 28 qershorit deklaronte se në këto zgjedhje, nga Shqipëria pritej më e mira. Nuk duam më justifikime për parregullsitë. Kështu u tha në atë prononcim.


Le të mos mbahemi pas justifikimeve, pra. T'i shkojmë së vërtetës deri në fund. Ta shtysh opozitën dhe qytetarin të pranojë pa kurrfarë meditimi atë që ka ndodhur, së paku të mos hedhësh dritë mbi tablonë, kjo është cinike.


Qytetarët dhe opozita nuk mund të përbuzen e të përbalten si në një gjysmëdemokraci apo më keq se kaq. Kjo situatë, na kujton pak a shumë një episod nga romani "Komedianët" i Graham Grin-it.


Në këtë episod, zj. Smith, gruaja e "kandidatit për President", z. Smith - një çift vegjetarianësh dhe ëndërrimtarë - pasi kishte ngrënë grushtin e një polici haitian, i thoshte të shoqit: "Ai vetëm sa më shtyu..."


Kemi dëgjuar këto ditë të flitet shumë për "manovrën" e kryetarit në detyrë të socialistëve, që do të thotë pak a shumë se e gjithë "furtuna" për parregullsitë në zgjedhje, çka diktoi edhe bojkotin e tanishëm, na qenka sajuar që "kryetari të rizgjidhet".


Le të ikim nga historitë me kryetarë, se ata që bëjnë zhurmën më të madhe, kanë dy dekada në krye të partisë e në qafë të Shqipërisë. Le të ikim edhe nga "të thënat" dhe le të mbetemi te "të bërat".


Pranimi, me kokën poshtë, i shkeljeve në këto zgjedhje, i mungesë së standardeve (që partnerët vetë e konstatuan në dy raportet e para) do të ishte një apati e pavend.


Nëse nuk bëhet zhurmë, do të thotë se jemi gjysmëqytetarësh, s'na e ndjen se na vjedhin votën apo na "shtyjnë", ashtu si znj. Smith. Kjo është më e rëndësishme se çdo skenar tjetër me kryetarë dhe zgjedhje e rizgjedhje kryetarësh.


Por ka edhe më në përgjigje të pyetjes se çfarë kemi humbur nga bojkoti i opozitës. Duhet thënë se pikërisht duke shpërfillur mangësitë e këtyre zgjedhjeve dhe të tjerave më parë, gjithnjë "me probleme", kemi humbur mundësinë e emancipimit të politikës dhe të vetëdijes qytetare ndaj votës.


Kemi humbur shanset për më shumë mirëkuptim, për më shumë konsensus politik, çka do të thotë më shumë siguri për partnerët, për investitorët e huaj, më në fund edhe për vetë sipërmarrjen vendase.


Sigurisht, në situata zgjedhore më të pëlqyeshme, do të kishim pasur një zhvillim më të madh ekonomik dhe social, institucione më të forta dhe thellësisht demokratike.


Afrimi edhe më tepër me BE-në, në përqasje zgjedhjesh më të mira, kishte gjasa të zvogëlonte më tej papunësinë; qoftë edhe vetëm ose përmes liberalizimit të vizave, për të mos folur për programe punësimi sezonal etj.


Po ashtu, do të flitej për kërkesa më të larta dhe të monitoruara më mirë në lidhje me rekrutimet në administratën publike, që lëngon si edhe shumë sektorë të tjerë të jetës publike. Më në fund, ikja nga kjo pasiguri e vazhdueshme, do të thotë zgjedhje që nuk baltosen dhe as përgojohen. Po kur, të shkretën?!

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›