Tragjedia e Ohrit, fakte të reja për mbytjen e anijes
SOFJE- Bullgaria mbajti një ditë zie kombëtare për 15 shtetasit e saj që gjetën vdekjen pas mbytjes së një anijeje turistike në liqenin e Ohrit. Ndërkaq, kanë dalë hollësi dramatike të tragjedisë, ndërsa të mbijetuarit po flasin për median bullgare dhe tregojnë si mundoheshin të kapeshin pas çdo gjëje që u dilte përpara, ndërsa nuk kishte veshje shpëtuese në anije.
Në bordin e anijes maqedonase, "Ilinden" ishin 53 turistë bullgarë, udhërrëfyesi i tyre maqedonas dhe anëtarë të ekuipazhit kur anija u anua papritur dhe u zhyt brenda sekondash në Liqenin e Ohrit të shtunën.
Në Shkup kanë mbërritur pjesëtarë të familjeve të viktimave për të identifikuar të mbyturit. Burime mjekësore thonë se deri tani janë identifikuar tre nga viktimat.
Tetë nga viktimat vinin nga i njëjti fshat Anton, në lindje të Sofjes, ku autoritetet kanë vendosur të mbajnë tetë ditë zi. Po dalin hollësitë e para lidhur me shkakun e mbytjes.
Ministri bullgar i transportit, Alexander Tsvetkov i tha televizionit bullgar se këputja e kabllit të timonit që lidhet me helikën konsiderohet si shkaku më i mundshëm i aksidentit.
Një tjetër shkak mund të jetë tejmbushja. Në anijen me kapacitet 43 vetë, kishte 56 pasagjerë. Policia maqedonase mban të arrestuar kapitenin e anijes, ndërsa po vazhdon hetimet. (bbc)
dt 6 shtator
Tragjedia e Ohrit, ekspertët: Dyshohet për defekt teknik
Shkaqet e tragjedisë ujore në Liqenin e Ohrit, që është katastrofa më e madhe në komunikacionin ujor në Maqedoni, do të zbardhen pas ekspertizës që do të bëhet nga ekipi i ekspertëve të MPB, Ministrisë së transportit-sektorit për lundrime ujore, të mbështetur e ndihmuar nga ekipi i specializuar i ekspertëve të avarive ujore nga Kroacia, që pritet të arrijnë në Maqedoni.
Ardhja e ekspertëve të specializuar për ngjarje të këtilla nga Kroacia, do të jetë ndihmesë e madhe për zbardhjen e tragjedisë.
Ish kapiteni i Kapitenerisë në Ohër, Zllatko Kleçkarovski, (ish oficer marine, një nga komandantët e luftanijeve të ish forcave detare të APJ-së), vlerëson se ekzistojnë një sërë rrethanash që kanë sjellë fundosjen aq të shpejtë të anijes.
"Një nga mundësitë për këtë tragjedi mund të jetë këputja e kabllos që lidh timonin me llozin (shulin) e anijes, që shkakton pamundësi për të drejtuar anijen, çorientim të drejtimin, anim në njërën nga anët e anijes dhe vetvetiu krijon edhe panik. Me të lakuar në njërën anë, udhëtarët që gjenden në anije, nga inercioni i madh dhe në panik "rëndojnë" anën e rrezikuar, qoftë edhe të gjithë udhëtarët të dijnë not, vjen deri tek depërtimi i ujit në bord dhe mbytja e menjëhershme"-pohon Zllatko Kleçkaroski.
Këtë mundësi e kanë pohuar edhe ekspertët e ekipit të specialistëve nga Kroacia, që do të jenë pjesë e ekipit për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë së anijes "Ilinden". Sa i përket vetë anijes, moshës, sigurisë së udhëtarëve, moshës së re të kapitenit 23 vjeçar Sotir Fileski etj, Zlatko Kleçkaroski u shpreh: " Anija ka qenë vërtetë e moshës së shkuar, por sa i përket dokumentacionit ka qenë krejtësisht në rregull. Nga ana tjetër, kapiteni, edhe pse me moshë të re, ka qenë i përkushtuar jetës në dhe me anije. Ai kishte një eksperiencë mbi dhjetë vjeçare të lundrimit". Zllatko Kleçkarovski përjashton çdo mundësi të gabimit të faktorit njeri në rastin konkret që ka të bëjë me manovrimin dhe drejtimin e anijes, pos mbingarkesës që eventualisht ka mundur të ndikojë në luhatjen dhe animin ekstrem, që ka sjellë deri te depërtimi i vrullshëm i ujit në bordin e anijes dhe mbytjen e menjëhershme të udhëtarëve që kanë qenë në bord.
Kapitenit të anijes "Ilinden", 23 vjeçarit Sotir Fileski, (që bashkë me ndihmësin e tij Vllatko Justinijanoski), pasi janë marrë në pyetje nga gjykatësi hetues në Gjykatën Themelore në Ohër, i është shqiptuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndërsa ndihmësi i tij është liruar nga paraburgimi. (Mehmet Latifi/INA)
Tragjedia në Ohër, Topi e Berisha mesazhe ngushëllimi homologëve
TIRANË- Një ditë pas tragjedisë në Ohër, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryeministri, Sali Berisha i janë drejtuar me mesazhe ngushëllimi homologëve të tyre bullgarë.
Mesazhi i Topit shkon për presidentin bullgar, Georgi Parvanov për viktimat e aksidentit tragjik të fundosjes së anijes "Ilinden" në liqenin e Ohrit.
"Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, më lejoni t'Ju përcjell Ju si Kryetar i shtetit bullgar dhe nëpërmjet jush familjarëve të të gjitha viktimave ngushëllimet më të thella e të sinqerta për këtë humbje të rëndë!
Ju lutem, pranoni Zoti President, ndjenjat e mbështetjes dhe solidaritetit të sinqertë të popullit shqiptar në këto momente të rënda të kësaj tragjedie njerëzore." - përfundon mezazhi ngushëllues i Presidentit të Shqipërisë drejtuar Presidentit Parvanov
Ndërkohë në mesazhin e tij, drejtuar kreut të qeverisë bullgare Bojko Borisov dhe atij maqedonas Nikola Gruevski, Berisha shpreh solidaritetin dhe ngushëllimet e tij dhe popullit shqiptar. "Unë lutem bashkë me ju që shpirtrat e viktimave të tragjedisë të liqenit të Ohrit të gjejnë paqen e merituar."- përfundon ai.
********
Mediat maqedonase: Bilanci i tragjedisë, 15 persona të vdekur
Informacionet më të fundit për tragjedinë e djeshme në ujërat e Liqenit të Ohrit flasin se bëhet fjalë për 15 persona që kanë humbur jetën nga mbytja e anijes "Ilinden", ndërsa 42 persona kane mbijetuar.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se nga 42 të mbijetuarit janë edhe dy anëtarë të ekuipazhit, ndërsa gjashtë persona konsiderohen të lënduar. Sipas kësaj ministrie, në anije kishte 57 persona, të gjithë shtetas bullgarë. Tre persona për të cilët u konsiderua se janë të zhdukur nuk kanë qenë aspak në anije.
Tragjedia ka ndodhur të shtunën rreth orës 10.30 në afërsi të autokampit "Eleshec", kur anija pas një shpërthimi të vogël për rreth 4 minuta është fundosur.
Fundosja e anijes është xhiruar nga një pjesëtarë i policisë EULEX, Zherar Gite, i cili i pari ka vërejtur fundosjen dhe gjatë tërë kohës e kishte xhiruar tragjedinë.
Mbrëmë të gjithë trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup, ku kanë marrë pjesë edhe ekspertë të mjekësisë ligjore nga Bullgaria.
Ndërkohë, në Ohër mbrëmë ka mbërritur presidenti bullgar Georgi Prvanov për t`u njohur nga afër me tragjedinë. (INA)
*****
5 shtator
Tragjedi në Ohër, mbytet anija me turistë, 19 të vdekur. S'ka shqiptarë
OHER (UPDATE) - Rritet bilanci i viktimave të tragjedisë së Ohrit. Deri më tani (ora 17:00) janë gjetur në liqen trupat e pajetë të 19 personave. Ndërkohë skuadra e kërkim-shpëtimit vazhdon punën për nxjerrjen e trupave të tjerë, pasi ka ende persona të deklaruar të zhdukur. Anija maqedonase "Ilinden" u mbyt rreth 200 metra nga bregu i Liqenit të Ohrit, në afërsi të auto-kampit "Eleshec". Në bord ishin shumë turistë bullgarë që ishin nisur të vizitonin Manastirin e Shën Naumit. Nuk dihet ende numri i saktë i personave që ishin në anije, e cila kishte kapacitet për 45 persona, por dyshohet të jetë mbushur me afro 70 pasagjerë, ç'ka është bërë edhe shkak për mbytjen. Burime zyrtare nga qeveria maqedonase, thanë se ndër të mbijetuarit, 3 janë në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerëve (numri nuk dihet i saktë) iu është dhënë ndihma e parë dhe janë larguar nga spitali i Ohrit.
Në anije s'kishte shqiptarë
Konfirmohet se gjithë udhëtarët kanë qenë shtetas bullgarë. Interesimit të medias shqiptare i është përgjigjur konsulli në Maqedoni, Alfred Hoxha, tha se nuk ka asnjë konfirmim për turistë shqiptarë në bordin e anijes. "Jemi njohur me tragjedinë në brigjet e Ohrit, kur u mbyt anija me një grup turistësh bullgarë që ishin nisur të vizitonin Manastirin e Shën Naumit. Besohet se ngarkesa tej normave të anijes ka shkaktuar tragjedinë. Ajo kishte licencë për 43 pasagjerë, ndërsa mendohet që në bord të kenë qenë rreth 70 vetë. Nga të dhënat e deritanishme, nuk ka pasur shqiptarë, ata kanë qenë të gjithë bullgarë", u shpreh Hoxha.
Anija u mbyt për 30 sekonda
Anija u mbyt në hapësirën e 30 sekondave. Kështu ka thënë për AFP-së, një dëshmitar okular që është polic i EULEX në Kosovë. "Nxora celularin dhe e fotografova anijen ndërkohë që ishte e batuar, ndërsa në kohën që zbrita nga makina, as tridhjetë sekonda, ishte mbytur", deklaroi ky dëshmitar Gérard Guittat, shtetas francez. "Ndodhesha në makinën time dhe po largohesha nga Ohri në drejtim të kufirit shqiptar, rruga shkon përgjatë bregut dhe në të djathtën time rreth 200-300 metra larg bregut, pashë një anije të mbushur me turistë që për një arsye të pashpjeguar u anua nga e djathta", vijoi ai. Guittat është polic me profesion dhe punon aktualisht në Kosovë në misionin e Bashkimit Evropian (Eulex). Ai po kalonte fundjavën në Ohër (jugperëndim). Sipas tij, "rreth 100 persona" ndodheshin në bordin e anijes së "ngarkuar mirë". Anija, "Ilinden", ndodhej rreth 200 metra larg bregut kur u mbyt për arsye ende të panjohura rreth orës 11:00 (09:00 GMT).
Tragjedia, jep dorëheqjen ministri
Ministri maqedonas i Transporteve dhe Komunikacioneve, Mile Janakieski dha dorëheqjen pas mbytjes së anijes "Ilinden" në ujërat e liqenit të Ohrit. Janakieski tha se dorëheqjen do t'ia dorëzonte kryeministrit Nikolla Gruevski. Ndërkohë Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të zhvillojë sonte një seancë të jashtëzakonshme me rastin e mbytjes së anijes turistike "Ilinden" në liqenin e Ohrit. Njëkohësisht, qeveria maqedonase vendosi që ditën e nesërme, 6 shtatorin, ta shpallë ditë zie në Republikën e Maqedonisë. Kryeministri Nikolla Gruevski dhe disa ministra ndodhen tani në Ohër.
Anija ishte e certifikuar
Agjencia maqedonase e lajmeve MIA shkruan se anija "Ilinden" ka qenë e regjistruar me çertifikatë për aftësi të anijeve për lundrim në Liqenin e Ohrit të lëshuar më 29 maj të vitit 2009, me validitet deri më 23 maj të vitit 2010, konfirmuan burime në Ministrinë maqedonase të Transportit dhe Lidhjeve. Anija ka qenë e regjistruar për transportin e 45 personave, por sipas informacioneve të ekipeve të shpëtimit nga vendi i fatkeqësisë në momentin e mbytjes, në të kanë qenë 74 udhëtarë. Burime në Ministrinë e Transportit njoftojnë se konform ligjit për lundrim të brendshëm, Kapiteneria e porteve me seli në Ohër do të ndërmarrë aktivitete për vërtetimin e shkaqeve të aksidentit tragjik.
Ministri: Dyshohet, mbingarkesa
Rreth një orë pas ngjarjes së rëndë, qeveritarët maqedonas nga vendi i ngjarjes thanë se "janë të paktën 12 persona që kanë humbur jetën, ndërsa dyshohet se janë edhe më shumë. Ministri i Mbrojtjes, Zoran Konjanovski është shprehur se "mendohet se numri i viktimave mund të jetë më i madh, duke pasur parasysh se në anije ndodheshin pesëdhjetë udhëtarë, shumica e të cilëve turistë nga Bullgaria". Sipas tij, anija nuk kishte probleme nga ana teknike, por se ajo ka transportuar më tepër udhëtarë nga sa lejohej. Mes të parëve që u dhanë ndihmë pasagjerëve në anije ishin ekipet e zhytjes të Ministrisë së Brendshme, të cilët po kryenin një trajnim të rregullt në afërsi të vendit ku ndodhi fatkeqësia dhe menjëherë janë inkuadruar në operacione shpëtimi. Një numër i madh ekipesh mjekësore ndodhen në vendngjarje. Në Ohër kanë shkuar presidenti Gjorge Ivanov, kryeministri Nikolla Gruevski, ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski. Në Ohër ndodhen edhe përfaqësues të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.