Ilaçet, Pipero: Spitalet të mos i zvarrisin tenderat
Një pjesë të fajit për mungesën e barnave në spitale autoritetet e shëndetësisë ua kanë faturuar drejtuesve të institucioneve shëndetësore që zvarrisin tenderat. Ndaj, qendrat spitalore të vendit duhet të lidhin kontratat për medikamentet në afatet e duhura kohore dhe të mos kërkojnë ndryshimin e ligjit të prokurimeve. Kjo është kërkesa e Ministrisë të Shëndetësisë, në dyert e së cilës në jo pak raste drejtohen pacientë që nuk gjejnë barna nëpër spitale. Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, thotë se për këto vonesa nuk ka justifikim, pasi ligji është shumë i mirë për kohën, vetëm se drejtuesit e spitaleve e zvarritin zbatimin e tij në kohë. “Duhet rritur përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e autoriteteve apo institucioneve drejtuese dhe jo të shikojmë pse nuk furnizohen spitalet në kohë me ilaçe dhe është ligji i keq. Përkundrazi, ligji është më i miri i mundshëm për kohën tonë. Është elektronik, transparent, i drejtpërdrejtë dhe i barabartë për të gjithë”, - pohon Pipero. Më tej ai thekson se një përjashtim mund të bëhet vetëm për spitalet e mëdha që konsumojnë më shumë sasi barnash. Ndaj për to kontraktimi me kompanitë që fitojnë tenderat për medikamente është menduar të zgjatet në kohë dhe pritet të shkojë nga 1 vit në 3 vjet. “Qendrat e mëdha spitalore, siç janë spitalet universitare, që mund të shikohet kontraktimi, por jo të ndryshohet ligji. Pra, nëse një operator farmaceutik fiton tenderin për një medikament, kontraktimi të mos jetë më 6-mujor apo 1-vjeçar, por të jetë më i gjatë. Është propozuar të jetë 1-3 vjet, që tenderi të mos bëhet disa herë dhe spitalet të furnizohen në vazhdimësi”, - sqaron Pipero. Përpos evidentimit të këtyre fakteve, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë nuk përjashtojnë edhe rastet kur shumica e grosistëve nuk ofrojnë disa lloje barnash dhe për këtë arsye po punojnë për të gjetur mënyra të tjera zgjidhjesh. Për këtë arsye, sipas tyre, vitet e fundit është vënë re se ka pasur mungesë të disa medikameteve bazale që konsiderohen të një çmimi të ulët.