E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikimi i diplomave, gjimnazistët me kod personal

Para hyrjes në gjimnaz, të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të pajisen së shpejti me kodin e tyre personal, që do t’i identifikojë ata përgjatë gjithë viteve të arsimimit të tyre. Kjo është një nga nismat më të fundit që do të fillojë të zbatojë Ministria e Arsimit, për të shmangur kështu të gjitha falsifikimet që mund t’u bëhen dokumenteve të institucioneve arsimore, e në veçanti diplomave. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Petraq Papajorgji, flet për disa nga detajet rreth këtij projekti. “Ne jemi duke punuar që të kemi një identifikator të përgjithshëm, që do t’u jepet studentëve që në klasën e nëntë dhe më pas do të vazhdojë me maturën dhe universitetin, gjë që do të bëjë të mundur identifikimin e çdo studenti në çdo kohë. Kemi eksperimentuar edhe një mundësi tjetër, që ky identifikues të ketë një lloj kodi në diplomë, që në bazë të tij mund të komunikohet me një databazë dhe të merret prej aty fotografia e studentit bashkë me diplomën. Gjithë masat e marra kanë për qëllim që falsifikimi i diplomës të bëhet sa më i vështirë”, - pohon Papajorgji. Për herë të parë këtë vit, Agjencia Kombëtare e Provimeve përgatiti diploma për shkollat e mesme që zëvendësuan Dëftesat e Pjekurisë. Këto diploma, sipas specialistëve janë të vështira për t’u falsifikuar, pasi ato janë të përbëra nga një letër e veçantë, si ajo e letrave me vlerë si dhe nga shirita sigurie.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›