E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilaçet i blejmë ne, mjekët na tregojnë farmacinë

Tiranë-  Nëse do të dëgjojmë vetëm deklaratat për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë, do të mësojmë se në spitale tashmë ka ilaçe dhe paciantët nuk kanë nevojë ti blejnë. Por e vërteta është pikërisht në dhomën e pacientëve, të cilët, thonë se vazhdojnë ti blejnë ilaçet, e madje janë mjekët që u rekomandojnë edhe farmacinë se ku ti blejnë.

Kam qenë shtruar tek Nënë Tereza, kam kërkuar ilaçe sepse skisha mundësi financiare, por më thanë se skishte dhe u detyrova ti blija. Por ka raste kur edhe na i sjellin, varet nga mjeku gjithmonë, por në shumicën e kohës na sugjerojnë se në cilën farmaci të shkojmë – shprehet Elvana Jakini një paciente që po dilte nga QSUT-ja me recetën e ilaçeve në dorë.

Nuk ka ilaçe në spital, shko blije te farmacia poshtë- kjo është shprehja tipike e mjekëve për ti detyruar pacientët të shkojnë të blejnë edhe medikamentet bazë. Fëmijë, gra dhe të moshuar ankoheshin jo vetëm nga pagesa që duhej të bënin para se të hynin në spital por edhe nga pritja e gjatë, për shkak të hyrjes së pa radhë të personave të ndryshëm dhe shuma që duhej të paguanin për medikamentet në farmacitë e këshilluara nga mjekët.

Edhe age flutur nuk kishte, solla fëmijën 18 muajsh në orën nëntë të darkë me temperature, 40 dhe përveç se pagova që ta vizitojnë, pasi po s`pagove nuk të shef njeri me sy, por u detyrova te ikja për të blerë edhe age flutur aty ku na sugjeruan  doktorët – shprehet Edmir Lloci, duke dalë nga dera e QSUT-së me fëmijën në krah.

Mungesa e dorezave, ageve, ampulave si dhe e shumë medikamenteve të tjera vazhdon të përbëjnë një shqetësim për të moshuarit të cilët janë të detyruar shpesh të mos i blejnë këto medikamentë për shkak të kostove të papërballueshme duke e lënë sëmundjen e tyre të agravohet.

Asgje nuk na japin, as edhe një paracetamol, apo age për të bërë një gjilpërë kur je me 41. Ilace ka, si ska, por këtu çdo gjë është e lidhur, se ska mundsi si te mungojne edhe aget – shprehet Nazmi Feza, i cili po hynte në spitalin e QSUT-së bashkë me bashkëshorten e tijë. Pyetjes se si ja bënte për të përballuar kostot e medikamenteve ai ju përgjigj: Epo tani mundohemi, kur ke vizitohesh, por kur nuk ke është më mirë të mos vish pasi duhet të blesh ilacet dhe ato kushtojnë, askush nuk të jep gjë, e vetmja gjë që marrim nga mjekët është këshilla se ku ti blejmë ilacet, asgje tjetër.

Mungesa e ilaceve në spitalin Nënë Tereza do vazhdojë të mbetet një problematikë në vazhdim nëse bëhen vetëm premtime dhe nuk ndërmerren veprime konkrete. Gjendje kjo që vë në rrezik jetën e shumë pacientëve nga pamundësia për të përballuar kostot e medikamenteve.

Erisa Sallaku / IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Bursat në Evropë nuk tregojnë shenja besimi Bursa spanjolle pa vuajtur pas zgjedhjeve parlamentare në vend që...
  2. Mbyllen varrezat! Po pjesët e këmbimit ku do ti blejmë? Tiranë Pronarët e varrezave të makinave i kanë shitur...
  3. Denoncim: Nuk më japin ilaçet e rimbursimit! Përshëndetje dhe urime ne punën tuaj! Lexova se tek stafi...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›