E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilegale dhe lirë

Mungesa e doganierëve kosovarë në veri të Mitrovicës po u hap rrugë tregtarëve për furnizimin e pompave me naftë ilegale. Ata qarkullojnë me çmime prej 72 centë deri 77 centë për litër. Nga Express më 18 shkurt 2011 në ora 12:40

Pompat e benzinës në veri, përkundër ngritjes së çmimit të naftës, arrijnë të shesin shumë më lirë derivatet. Tregtarët e kësaj pjese e fusin ilegalisht naftën dhe qarkullojnë në treg me çmime prej 72 centë deri 77 centë për litër. E tëra kjo po bëhet në mungesë të kontrollit të doganierëve kosovarë në pikat 1 dhe 31 në Mitrovicë. Banorë shqiptarë nga shumë rajone të Kosovës ia mësyjnë pompave në këtë zonë për t’u furnizuar me derivate. Ata e sfidojnë sigurinë e brishtë për të nxjerrë përfitime.

Njëri prej tyre, S. D., taksist nga Podujeva, thotë se së paku dy herë në javë furnizohet në një pompë në lagjen 7 Shtatori në veri të Mitrovicës. Ai thotë se deri tash nuk ka pasur probleme në këtë pjesë ku prania e shtetit të Kosovës është shumë e brishtë.
”Veç duhet me kanë i kujdesshëm e me njohtë naftën që ka ujë. U ndodh shpesh disave që nuk kanë ’provojë’. Unë për vete nuk kam problem me cilësinë e naftës”, tha ai.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut në MTI, Ruzhdi Shehu, thotë për Qendra.info se inspektimi në rajonin e veriut të Mitrovicës, Leposaviqit dhe të Zveçanit është shumë i vështirë, sikur për të gjitha institucionet e vendit.

“Gjatë vitit të kaluar kemi organizuar inspektime në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, mirëpo për shkak të gjendjes së sigurisë nuk kemi arritur që të bëjmë kontrollime të rregullta. Për shkak të shkatërrimit të pikave doganore 1 dhe 31, ka kontrabandim të mallrave të përgjithshme, gjithashtu edhe të derivateve”, theksoi Shehu. Sipas tij, janë konfiskuar sasi të mëdha të naftës së kontrabanduar nëpërmjet pjesës veriore të Mitrovicës. Ai ka deklaruar se qytetarët shqiptarë të Kosovës mund të furnizohen me derivate në pompat që veprojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, mirëpo nuk mund të garantohet cilësia e derivateve.

Aktualisht, në këtë hapësirë funksionojnë 38 pompa të derivateve. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se aktualisht policia është duke u munduar që t’i luftojë veprimtaritë ilegale në këtë pjesë, nëpërmjet bashkëpunimit në Task-forcën e krijuar për luftimin e kontrabandës dhe të ekonomisë informale në këtë pjesë. “Ne kemi treguar rezultate pozitive në këtë aspekt gjatë vitit 2010. Në Task-forcë, Policia e Kosovës i bashkërendon punët me Doganën e Kosovës”, tha Hoti.
Në anën tjetër, aktivisti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Halit Barani, thotë se shumë shqiptarë që vijnë nga të gjitha anët e Kosovës furnizohen me derivate në këto pompa. Barani shpjegon se duke filluar prej lagjes Suhadolli e deri në fshatin Rudar, i cili është nga Mitrovica në drejtim të Albanikut (Leposaviq), ka dhjetëra pompa të tilla.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›