Kryeqytetasit festojnë Ditën e Pavarësisë
Përvjetori i tretë i pavarësisë së Kosovës në Prishtinë po shënohet me aktivitete të ndryshme kulturore. Festa e pavarësisë ka nisur që në orët e para të ditës, kur qytetarë të shumtë kanë defiluar me flamuj të vendosur nëpër vetura.
Qytetarët shprehen të lumtur për ditën e pavarësisë së Kosovës, por nuk lënë pa përmendur edhe nevojën për një jetë më të mirë. Ndërkohë që nuk kanë munguar në këtë festë edhe vëllezërit nga Shqipëria, të cilat kanë ardhur në Kosovë që t’i bashkohen festës së pavarësisë së Kosovës.
Naman Gjergja, i cili enkas për këtë ditë kishte ardhur nga rrethi i Tropojës së Shqipërisë, thotë se Kosova sot gëzon vetëm një gjysmë pavarësi, pasi sipas tij pavarësia e plotë do të kremtohet vetëm pas bashkimit kombëtar.
“Mua më janë vrarë shokë në kufi me Jugosllavinë e serbët dhe më janë vrarë mbi 20 shokë për të ndihmuar Kosovën, prandaj gjakun e tyre sot nuk e thanë dielli, as nuk e lanë shiu, prandaj unë sot kam ardhur në këtë pavarësi që është gjysmë-pavarësi, se po nuk u bashkua Shqipëria me Kosovën është gjysmë pavarësi”, ka thënë ai.
Adnan Shala nga Prishtina, thotë se ky është vetëm fillimi i shtetit të Kosovës dhe se në të ardhmen priten ditë më të mira.
“Po ndihem mirë, pasi që është fillimi. Besoj që në të ardhmen kemi për të bërë më shumë dhe do të zgjidhet çështja e problemeve”, u shpreh ai.
Nga qytetarët nuk munguan as urimet e përzemërta për Ditën e Pavarësisë.
“Gjithë njerëzit me siguri janë të gëzuar, po festojnë lirinë e tyre, të gjithë kanë dalë”, ka thënë Vlora.
Me rastin e shënimit të trevjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka pasur ndonjë organizim në nivel qendror. Aktivitetet e parapara me rastin e kësaj dite në kryeqytet janë organizuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Ato kanë nisur me një akademi solemne, homazhe te varri i presidenti Ibrahim Rugova, te varrezat e dëshmorëve ne “Velani” si dhe te shtatorja e dëshmorit Zahir Pajaziti, për të vazhduar me programin kulturor-artistik për fëmijët në Bulevardin “Nëna Terezë”.
Programi qendror fillon në orën 20:00, në skenën e vendosur para Hotel “Iliria”, do të defilojnë solistë dhe grupet të ndryshme të muzikës popullore dhe argëtuese. /kosovapress/