Ilia Basho i shpëton burgut, prokuroria e liron për mungesë provash
Pushohet çështja ndaj Ilia Bashos, burri që u akuzua se organizoi vrasjen e së shoqes Eleni Basho, në 2 shkurt të vitit 2012. Çështja është pushuar ditën nga Prokuroria e Tiranës për mungesë provash. Në 14 maj të vitit 2012 Ilia Basho u lirua nga paraburgimi pas tre muajsh qëndrim atje. Gjykata e Tiranës vendosi masën detyrim paraqitje për Ilia Bashon, për mungesë provash. 33-vjeçarja Eleni Basho, nënë e dy fëmijëve u ekzekutua me dy plumba në gjoks mbrëmjen e 2 shkurtit 2012, vetëm pak metra larg shtëpisë së saj në Shkozë të Tiranës. Bashkëshorti i saj, Ilia Basho u arrestua 25 ditë pas krimit të rëndë, si i dyshuar për organizimin e vrasjes së 36-vjeçares. Prokuroria ka kërkuar që Basho të mbetet në burg, me pretendimin se ka prova gozhduese, të cilat vërtetojnë që ai është organizatori i vrasjes së bashkëshortes së tij Eleni. Basho u përfol se kishte një lidhje jashtëmartesore me shtetasen Yllka Shehaj, me të cilën i janë zbardhur edhe në media plot mesazhe dashurie, mes të cilëve edhe nga ato ku shprehej se do hiqte qafe të shoqen. Ndërkohë vetë Ilia Basho këmbëngulte se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e së shoqes, duke hedhur poshtë çdo dyshim të prokurorisë. Ai ka pranuar se i vetmi faj i tij është faji moral, tradhtia që i ka bërë të shoqes, Elenit. Babai i dy fëmijëve ka pranuar lidhjen jashtëmartesore që ka pasur me Yllka Shehajn, por kurrsesi sipas tij lidhja nuk përbën shkak për ta akuzuar për krimin e rëndë të vrasjes së bashkëshortes së tij.