E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilia Basho mesazh të dashurës: O të marr o vdes, kujdesu për fëmijët e mi

TIRANE- Unë o të marr o do vdes, prandaj kujdesu për fëmijët e mi po s'u bë kjo që dua unë...". Ky është vetëm një nga mesazhet që Ilia Basho, njeriu që akuzohet për organizimin e vrasjes së gruas Eleni Basho, i ka dërguar të dashurës së tij, Yllka Shehaj. Dje, Basho u ul në kafazin e hekurt në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku treshja gjykuese e kryesuar nga Edmond Gogo dhe anëtarë, Gjin Gjoni e Artan Broci, vendosën ta linin prapa hekurave, të bindur nga provat që solli prokuroria, për të vërtetuar implikimin në krim të të dyshuarit, në ekzekutimin e nënës së dy fëmijëve.

Avokati këmbënguli për lirimin e Bashos, duke i mëshuar me forcë faktit se klienti i tij, ishte i dashuruar deri në dobësi me Yllka Shehajn, të cilës i kishte premtuar dhe martesë, por kurrsesi ky fakt nuk përbën shkak që ai të organizonte vrasjen e të shoqes. Sipas avokatit Lazër Sokoli, prokuroria nuk ka asnjë provë që të implikojë Ilia Bashon në krimin e mbrëmjes së 2 shkurtit.

Por, teksa kundërshtonte argumentet e prokurorisë dhe bënte një analizë të provave të sjella në gjykatë nga organi i akuzës, avokati zbardh detaje të marrëdhënies mes Ilia Bashos dhe Yllka Shehajt, të cilët kishin tentuar me çdo kusht ta fshinin lidhjen e tyre.

Gazeta Shqiptare ka  botuar sot të plota argumentet e avokatit, ku për herë të parë zbardhet dëshmia e motrës së Eleni Bashos, babait të saj, Yllka Shehajt, financierit të kompanisë, si dhe përmbajtjet e mesazheve të shkëmbyera mes dy të dashuruarve, edhe pse i dyshuari vazhdonte të ishte i martuar dhe të kishte dy fëmijë. Avokati shkon dhe më tej, teksa është shprehur se viktima Eleni Basho, kur punonte në një agjenci turistike, ka pasur probleme me një person të akuzuar për trafik lëndësh narkotike, që më pas është liruar nga burgu.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›