E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe, Berishës: Hesht! Ti je dhëndër i Serbisë

TIRANE - Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së,Erion Braçe i kërkoi dje kryeministrit Berisha të mos akuzojë opozitën për shërbim ndaj Serbisë, pasi ai i ka shërbyer prej vitesh. Në një koment të tij në Facebook, Braçe shkruan: “Po si nuk ke turp! Ti je dhëndri i Serbisë, për këtë shkak të futën në politikë, për këtë shkak të mbajnë ende në politikë! Ti nuk duhet ta prekësh fare fare këtë temë!”. “Ti je ish-Presidenti që i shërbeve Serbisë. Dhe kujt Serbie, asaj barbares së Millosheviçit. Ti je ish-Presidenti që krijove skemën gjigante të furnizimit me naftë të makinës ushtarake, kriminale të Millosheviçit gjatë luftërave nëpër Ballkan! Ti dhe Bullatoviçi”, - shkruan më tej Braçe.

Duke iu drejtuar Berishës, në faqen e tij, personale, Braçe shkruan: “Ti je ishPresidenti që ndalove dhe arrestove njerëzit e parë të bërthamave të asaj që më pas u njoh si UÇK, duke nisur nga ky Kryeministri i sotëm që ka harruar e të quan “burrë kombi”! Ti je ish -Presidenti që zhduke Remzi Hoxhën, një shqiptar të ndershëm e patriot që po i shërbente me gjithë ç’kishte çështjes shqiptare”. Ai akuzon Berishën se kur ka qenë në opozitë i ka quajtur ushtarët e UÇK-së, “tradhtarë”.

“Ti je Kryeministri që e ke hapur Shqipërinë ndaj Serbisë! Ti ke lëshuar sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit tek Serbia, rrugët, energjinë, drithërat, telefoninë. Ti je Kryeministri që këshilltarin tënd, atë më kryesorin, Damirin e zgjodhe nga serbët e Bosnjës, por tamam nga nipat e UDB-së!”, - shprehet Braçe.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha: Rama, kur nuk votove, ndihmove Serbinë apo Shqipërinë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›