Ilion Lika, Tereku i milionave drejt EuropësMediat ruse flasin për një shpërthim financiar të klubit, një kundërveprim në krahasim me të tjerët në këtë kohë të zymtë ekonomike. “Buxheti i Terekut është 37 milionë dollarë amerikanë, - shkruan “s

Bledar KUKA - Ilion Lika mund të ketë fatin që të luajë këtë sezon në një prej klubeve më të fortë të Rusisë, madje edhe të Europës. Jo se ka ndryshuar skuadër, mbetet po tek Tereku i Groznit, në Çeçeninë ende me rrënoja dhe tymin e luftës, por që pikërisht këtë imazh dëshiron ta ndryshojë. Pra, Lika mbetet aty, por Tereku nuk është më i njëjti, ka ndërruar.
Mediat ruse flasin për një shpërthim financiar të klubit, një kundërveprim në krahasim me të tjerët në këtë kohë të zymtë ekonomike. “Buxheti i Terekut është 37 milionë dollarë amerikanë, - shkruan “sports.ru”, - parashikojmë që skuadra ta përfundojë kampionatin në vendet nga i 6-ti në të 10-in”.
Por Tereku kërkon Europën, ai do pikërisht Kupën UEFA, atë kupë ku kanë shkëlqyer CSKA e Moskës dhe Zeniti i Shën Petersburgut. “Tereku rivalizoi me klubet e Bundesligës dhe të Serisë A, në transferimet e lojtarëve, - vazhdon media ruse, - rriti buxhetin në kohë krize dhe ëndërron për eurokupat”.
Ilion Lika mbetet portier i parë i kësaj skuadre, pavarësisht nga dëmtimi i pësuar disa javë më parë. Por, klubi mendoi për t’i shtuar konkurrencën në mënyrë që shqiptari me numrin 1 të mos flejë mbi dafina. “Tereku mori portierin Dikanja nga Tavria (e Sinferopolit), - vazhdon “sports.ru”, - kjo, me qëllim që Ilion Lika të ketë më shumë konkkurrencë se më parë”. Edhe Ari Hani besohet se do të jetë i kënaqur që “djali i tij” do të duhet të djersijë më fort se përpara.
Kur shkruajnë për Terekun, mediat ruse titullojnë “klubi i dy Groznëve”, sepse përveç qytetit që quhet Grozni, është edhe kryetrajneri i ri me emrin Vjaçesllav Grozni. “Po, - thotë Grozni i stolit, që nga rusishtja fare thjeshtë përkthehet “I Tmerrshmi”, - synimi ynë është Europa. Mundësitë financiare janë shumë të mira, edhe skuadra është mjaft e fortë. Objektivat tanë nuk janë vetëm të nevojshëm, por edhe të detyrueshëm”.
Ndër lojtarët që kanë ardhur në kryeqendrën e Çeçenisë përmendim rumunin Adrian Ilie, kampion i Spanjës me Valencian dhe finalist i Ligës së Kampionëve po me këtë klub, në kohën e trajnerëve Hektor Raul Kuper dhe Rafa Benites. Bashkë me të është edhe rumuni tjetër, Florentin Petre, që ka qenë në klub, madje i cilësuar si lojtari më i mirë.
Në ekip ka ardhur Kobenko si dhe bullgari Georgiev. Ky i fundit ka provuar të luajë në Bundesligë me Duisburgun. “Georgievi preferoi më shumë Terekun sesa Leçen në Itali”, - thotë me krenari trajneri Gronzi. Në Rusi thonë se ishte meritë e “magnetizmit” të trajnerit që në klub erdhën edhe Levan Gvazavi dhe Dmitri Aleksandroviç Smirnovi.
Grozni lumturohet shumë edhe nga ardhja e sulmuesit brazilian, Arturo, që ka arritur të luajë edhe në Premier Ligën angleze, me Midëllsbroun. Bashkë me të është edhe braziliani i mbrojtjes, Kleber, që e ka forcuar shumë këtë repart. Duket se të gjitha dëshirat e trajnerit, të shprehura në janar, janë plotësuar dhe skuadra e Ilion Likës synon të nisë me këmbën e mbarë një sezon për t’u mbajtur mend.
E Marte, 10 Mars 2009