Ilir Gjoni: Po thellohet ndarja Veri- Jug. Agjenturat e huaja po dëmtojnë interesat kombëtare
Në tryezën e organizuar nga Partia Socialiste për çështjet e sigurisë në vend, Ilir Gjoni, kreu i grupit të punës së programit të PS për çështjet e rendit dhe të sigurisë tha se interesat kombëtare po dëmtohen nën influencën e agjenturave të huaja. Vendi ynë sot përballet me sfida të mëdha të sigurisë. Shqipëria ndodhet ndoshta në momentin e saj më kritik. Ndonëse në pamje të jashtme vendi duket se nuk i kanoset ndonjë rrezik i jashtëm, edhe për faktin se tanimë jemi pjesë e strukturës më të fuqishme të sigurisë në botë që është NATO, prapë së prapë rreziqet që e kanosin sigurinë e vendit tonë janë po aq eminente dhe serioze sa dhe në vitet e para të demokracisë, tha Gjoni.
Rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë është përçarja e popullsisë dhe mungesa e kohezionit social, janë thelluar ndarjet veri- jug, po punohet për ngritjen e mureve ndarëse mes tre besimeve fetare kryesore në vend (disa prej tyre po tentohet të vihen nën kontrollin e rrymave ekstremiste), çështë me e keqja, shoqëria e ndarë në përkrahës të partive politike i ka kapërcyer kufijtë dhe caqet e funksionimit demokratik dhe po bëhet gjithnjë e më evidente ndarja armiqësore dhe urrejtja mes përkrahësve të njërës forcë apo tjetrës forcë politike, vijoi Gjoni.
Fatkeqësisht jemi dëshmitarë të faktit se kur përmendim Rendin identifikohet 21 janarin, kur përmendet Mbrojtja identifikohet Gërdecin, kur përmendet Qeveria identifikohet Blloku. Këto janë simbolika që shprehin realitetin e sigurisë në vend. Ne socialistët shqiptarë e konsiderojmë sigurinë e qytetarit si një ndër të drejtat themelore të lirisë. Për ne siguria është një e mirë publike që shteti ka për detyrë tia ofrojë qytetarëve të vet. Ne synojmë një politikë të sigurisë shumëdimensionale:politike, ekonomike, sociale dhe institucionale, u shpreh Gjoni.