Apeli e lë në detyrim paraqitje shefin e IT-së në Kryeministri. FBI merr dy video të reja për pastrim
Kasaj: Kopjova filmimet dhe i dorëzova në Gardë
Gjykata e Apelit ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë edhe për shefin e IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj. Ky i fundit ishte në arrest me burg, por tani sipas Gjykatës së Apelit ai do të jetë në detyrim paraqitje. Ai akuzohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në kryeministri natën e 21 janarit. Avokati i tij tha se klienti i tij nuk ka bërë asnjë shkelje pasi është thjesht një specialist IT-je në kryeministri. Avokati tha se edhe masa detyrim paraqitje është e paligjshme. Ai shtoi se detyrat e klientit të tij janë të përcaktuara në ligj. Vetë Armando Kasaj tha se ka bërë riformatimin e serverit. Ai shtoi se ka zbatuar vetëm detyrat e tij. Kasaj tha se ka kopjuar filmimet dhe kopjet i ka dorëzuar në Gardë.
Mësohet po ashtu se janë dërguar për pastrim në SHBA edhe dy video të regjistruara me celular më 21 janar. Videot janë regjistruar nga Hysni Peposhi, miku i Hekuran Dedës. Ata ishin bashkë në momentet kur u vra Deda. Peposhi ka realizuar disa regjistrime me celular atë ditë.
