E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ilir Meta: Më 1 shtator padis Autoritetin e Dosjeve, nxorri sekrete shtetërore

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një deklaratë për media ka njoftuar se më 1 shtator do të padisë penalisht Autoritetin e Dosjeve për nxjerrje të sekretit shtetëror. Meta deklaron se janë falsifikuar të dhënat dhe se nuk ekziston asnjë dosje për Ilir Rexhep Metajn.

“Më 1 shtator do të padis penalisht Autoritetin e Manipulimit të Dosjeve për shkelje flagrante të ligjit organik të dosjeve te sigurimit të shtetit. Për falsifikime të qëllimshme të qytetarit. Për manipulim për qëllim shantazhi dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Unë jam njohur plotësisht me dosjen e përndjekjes së qytetarit F.T. nuk ekziston asnjë dosje për Ilir Rexhep Metajn. Ditët dhe javët e Edi Ramës janë të numëruara. Ky korrupsion i këtyre përmasave nuk do tolerohet kurrsesi”, tha Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë ka paralajmëruar gjithashtu kryeministrin Edi Rama se ditët e tij në krye të qeverisë janë të numëruara. Ai është ndaluar te ajo që e konsideron si korrupsioni galopant për rrugën Qukës-Qafë Plloçë.

“Doja të ndaj një shqetësim me ju para se të nisem për në Jalë për tu takuar me anëtarë të Partisë së Lirisë. Shqetësimi kryesor është korrupsioni galopant i përmasave të frikshme. Jeni njohur me fakte dhe dokumente , do të njiheni me fakte të reja tronditëse edhe për çështje të tjera. Sot doja të ndalesha tek korrupsioni që bëhet me investimet publike, tek rrugët do të ndalesha sot, ku kostoja  e rrugëve është trefishuar katërfishuar. Si rasti i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, 230 mln të paktën deri tani por do të ketë edhe më shume. Kardhiq-Delvinë po ashtu”, shtoi Meta.

Më tej ai u ka bërë thirrje punonjësve të administratës publike që të mos bëhen vegla të Ramës, pasi do të dëmtojnë familjet e tyre. Meta u kërkoi atyre që të mos firmosin dhe të mos dalin garant për asgjë, pasi korrupsionet e mëdha nuk do të tolerohen.

“Duke përmendur disa nga faktet dua të bëj thirrje për administratën publike, mos u bëni bedela për korrupsionin e Ramës, mos dëmtoni veten dhe familjet tuaja. Mos firmosni. Bëni gjithçka për të qenë korrekt me ligjin sepse ditët e javët e Ramës janë të numëruara. Është e rëndësishme që ju të flini të qetë e të tilla të jenë edhe familjet tuaja. Një korrupsion i këtyre përmasave nuk do të tolerohet kurrsesi. U ka dalë shumë të tjerëve garant por kjo është e pamundur, edhe e pamundur[për ti shpëtuar përgjegjësisë do të jetë për të tërë. Falenderoj punonjësit që bashkëpunojnë me ne dhe opozitën për të sjellë fakte të këtij korrupsioni të tillë”, tha Meta.

Kujtojmë se më 27 korrik RTSH zbardhi letrën e Autoritetit të Dosjeve ku përmendje emri i ish-presidentit, Ilir Meta, ndërsa theksohej se nga verifikimet e figurës nga “Komisioni Mezini” dhe “Bezhani”, ai ka rezultuar i pastër.

Sipas Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Ilir Meta përmendej në të paktën 140 faqe informacion në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›