Ilir Meta: Për zgjedhjen e presidentit nuk morëm dhjetë, por edhe nënta nuk është keq
Kryetari i LSI, Ilir Meta, duke folur për Alfred Pezën në Vizion Plus, tha se zgjedhja e presidentit meriton notën nëntë.
Unë mendoj se është në kuptimin që do të ishte mirë që presidenti të ishte zgjedhur me 140 vota sikurse kemi shpresuar të gjithë ne. Në fund të fundit pse të mos kërkojmë më të mirën, 10 me yll por edhe nënta nuk është e keqe, tha Meta.
Kreu i LSI tha se konsensusi ishte më afër për figurën e Zaganjorit. Ai u shpreh se do kërkojë që presidenti i ardhshëm të zgjidhet me votë nga populli.
I pyetur për shanset e Nanos në këtë garë, ai tha: Për të qenë i sinqertë shanset e tij nuk kanë qenë të larta. Unë këtë e kam thënë dhe në takimin e zhvilluar me të kur ai paraqiti idetë e tij për arsye sepse përpjekja për të gjetur një President konsensual, sipas vlerësimit tim, e bënin të vështirë që zoti Nano të pranohej nga PD, nga zoti Berisha pavarësisht nga deklaratat e vlerësimet e tij për figurën e zotit Nano, pasi në fund të fundit ka qenë rival historik i tij.
Meta në mënyrë të tërthortë pranoi se ishte kundër referendumit për plehrat.
I pyetur për çështjen e prerjes së pemëve nga Basha, ai tha: Nuk kam qenë shumë i përqendruar në lidhje me këtë ngjarje por nga bisedat që kam bërë me përfaqësues të bashkisë, edhe me kryetarin e saj, mendoj se është e qartë që Bashkia e Tiranës ka prioritet mbjelljen e pemëve dhe jo prerjen e tyre.