E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpallet “Qytetar Nderi” i Gjakovës

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi në krye të delegacionit zyrtar vizituan Komunën e Gjakovës ku u pritën në mënyrë madhështore nga Kryetari Pal Lekaj si dhe nga kryetarët e Komunave Prishtinë, Prizren, Pejë, Drenas dhe Skënderaj si dhe nga qindra qytetarë, të cilët i dhuruan një mirëseardhje të ngrohtë e vëllazërore Kreut të Shtetit shqiptar.
 

Duke shprehur mirënjohjen për nderin dhe vlerësimin e bërë, Kryetari Pal Lekaj e shpalli Presidentin Topi “Qytetar Nderi” të Gjakovës”:“Për mbështetje të fuqishme të proceseve për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Për kontribut të jashtëzakonshëm dhe lobim në qarqet diplomatike për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Për avancimin e iniciativave të zhvillimit demokratik në rajon”.

Duke shprehur mirënjohje për nderin dhe vlerësimin e lartë, Topi tha: “Faleminderit Gjakovë dhe sot e mot, fëmijët e mi e dinë se babai i tyre ka fatin të jetë qytetari më i ri i Gjakovës.Shqipëria është krenare me arritjet e Kosovës dhe si dje, sot e gjithmonë do të jetë në krahun tuaj për të dhënë çdo ndihmë që ju kërkoni, në rrugëtimin e përbashkët në interes të dy shteteve dhe të kombit shqiptar”.
Kryetari i Shtetit shqiptar dekoroi Komunat e Gjakovës, Skënderajt, Pejës, Drenasit, dhe Prizrenit me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Në përfundim të vizitës shtetërore, Presidenti Topi vendosi në shenjë nderimi kurora me lule në Parkun e qytetit të Gjakovës në Rrugën “Nënë Tereza”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›