Kriteret sipas të cilave duhet të zgjidhen kandidatët për deputet të PS-së
Për kriteret si duhet të jenë e si duhet të përzgjidhen kandidatët për deputetë të PS, nisur nga komentet e bëra nga ju dje në postimet në status:
Në mënyrë UNANIME:
Të mos i zgjedhë një njeri i vetëm, por vendimi të mos jetë edhe atribut i një grupi të vogël njerëzish në drejtimin qëndror apo vendor të partisë.
Në mënyrë UNANIME:
-Të pyetet anëtarësia e PS, ne rang kombëtar apo qarku, por duke nisur nga anëtari i thjeshtë, në organizatë, komunë, bashki, rreth;
-Të votohen në anëtarësi me “një anëtar- nje votë”; madje të mund të organizohen primare, në rang kombëtar apo qarku.
Sugjerime të tjera:
-Ti jepet prioritet përfaqësimit të zonave vendore duke kufizuar përfaqësimin me njerëz të importuar e pa asnjë lidhje me zonën ku kandidohen.
Në mënyrë UNANIME:
-Kandidatët duhet të jenë me moral të pacenuar, të ndershëm, të pakonsumuar- në raport me ligjin, moralin, politikën, të papërfshirë qoftë edhe në një rast të vetëm në afera korruptive, profesionistë, të angazhuar politikisht me PS në mënyrë konstante, të ndarë nga aktiviteti i tyre ekonomik-biznesi, të shërbejnë me kohë të plotë ndaj komunitetit që i zgjedh duke i qëndruar besnikë votës politike të marrë, të kenë moshë aktive.
Sugjerime të tjera:
-Të analizohet puna e çdo deputeti aktual në raport me përfaqësimin e zgjedhësve në Kuvend e jashtë tij, kontaktin me zgjedhësit e shërbimin ndaj tyre, përfshirjen në betejën politike të gjatë në 8 vite të një opozite të vështirë;
-Të krijohet hapësira për djem e vajza të shkolluar jashtë, me një kulturë e frymë tjetër nga kultura e antiligjit e korrupsionit.
Në fund dua të them edhe unë nja dy gjëra, si reflektim i bashkëbisedimit dje:
Së pari, orientimi i zgjedhësve, nga socialistë deri në opozitarë të tjerë, te paanë gjithashtu, vetëm tek “zgjedhja e kryeministrit të ardhshëm” nuk mjafton; edhe pse është e qarte epërsia e kandidatit të opozitës për kryeministër ndaj një plaku të rrjedhur, të dhunshëm, gjakatar e të korruptuar si Sali Berisha; shpresa e zhbën të shkuarën!
Së dyti, nisur edhe nga sistemi tërësisht i papërshtatshëm nga pikëpamja e përfaqësimit dhe meritës, politikisht, numerikisht-elektoralisht domethënë, relativizimi i rolit të deputetit si “deputet liste”-anonim- pa personalitet, pa kontribute, pa meritë profesionale, politike e përfaqësimi, zgjedhur thjesht nga një oligarki partiake, DO TE JETE GABIMI ME I MADH QE DO TE KUSHTOJE NE MENYRE TE PERSERITUR NE ZGJEDHJE!
Së treti, përfshirja e sa më shumë njerëzve, socialistë së pari, opozitarë se dyti, aktiviste në shoqërinë civile apo grupe sociale interesi, në mendimdhënie e në vendimmarrje, është jetike jo vetëm për një ekip fitues kandidatësh, por edhe krijimin e një fronti të madh, te gjerë, përfshirës e aktiv në betejën finale elektorale.
