Ilir Meta: Prokuroria si Sigurimi i Shtetit. Në emër të qytetarëve që vuajnë do kërkoj reformë të thellë
(E PERDITESUAR)- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në në konferencë për shtyp ka sulmuar ashpër prokurorinë, duke thënë se ajo ka vepruar si celulë politike dhe ekstremiste ndaj tij. Sipas tij, qëllimi ishte të goditej Meta përpara zgjedhjeve.
Dua të përshëndes vendimet e Gjykatës së Lartë në seancën e djeshme, të cilat krijojnë mundësi për gjykimin me themel të çështjes në fjalë dhe njëkohësisht krijojnë mundësinë për transparencë të plotë dhe maksimale të gjithë këtij procesi, i cili sikurse është konfirmuar nga vendimet e djeshme, është një proces skandaloz sa i takon shkeljeve të rënda të ligjit dhe procedurave nga ana e prokurorisë. Kjo konfirmoi atë që kemi thënë se prokuroria nuk ka pasur qëllim të zbardhë këtë çështje, por ka vepruar si celulë politike, ekstremiste, për të dëmtuar personin tim dhe forcën politike që unë drejtoj vetëm për arsye elektorale. Dje u konfirmua botërisht se të gjitha ekspertizat ndërkombëtare të bëra nga prokuroria janë të pavlefshme sepse janë të paligjshme. Janë bërë tre ekspertiza, të tre herët pavarësisht nga kërkesat tonë, është shkelur në mënyrë flagrante ligji dhe kodi i procedurës penale. Kjo tregon se edhe kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit tim është bazuar në një ekspertizë të paligjshme dhe të pavlefshme. Prokuroria, e cila vazhdimisht kërkon rritje të buxhetit të saj në parlament që të rrisë efektivitetin në luftën kundër krimit, ka shpërdoruar dhjetëra mijëra dollarë për ekspertiza qëllimisht të paligjshme dhe natyrisht të pavlefshme. Prokuroria e di shumë mirë që ajo kasetë është montazh, tha Meta.
Kryetari i LSI tha se do ndërmarrë hapa ligjorë ndaj prokurorisë, por deklaroi se duhet të ketë reformë të thellë në këtë organ. Sipas tij, tani kjo çështje është bërë sociale, pasi ka me qindra qytetarë që vuajnë nga kjo prokurori.
Prokuroria me veprimet e saj skandaloze dhe politike, njëkohësisht ka kryer disa vepra penale në këtë proces ndaj personit tim, dhe unë ndaj saj do shfrytëzoj të gjithë legjislacionin shqiptar e ndërkombëtar për të fituar këto të drejta në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Sot normalisht ne do kishim një proces të pushuar për çështje procedurale, në rast se avokatët e mi nuk do kishin dorëzuar një kërkesë për të vijuar hetimin. Ne e kemi bërë të qartë se strategjia jonë është të çojmë deri në fund zbardhjen e këtij skandali. Ne nuk pranojmë kurrë që prokuroria e shtetit të kthehet në celulë të paligjshme.
Këto nuk janë rastësi dhe nuk më revoltojnë si Ilir Meta, por të jeni të sigurt që me mijëra çështje skandaloze ndodhen në prokurori, që cënojnë dinjitetin, jetën dhe të drejtat e qytetarëve shqitparë. Pra ky nuk është problem personal. Ndaj e kam thënë se duhet një reformë serioze për prokurorinë e shtetit. Kjo celulë më detyroi të shoh se si vepron prokuroria e shtetit, dhe prokuroria vepron në mënyrë të paligjshme ndaj një kryetari partie që ka mundësi të komunikojë me median, me qytetarët, me ndërkombëtarët. Tre herë është bërë ekspertiza dhe asnjëherë nuk është dhënë transkripti i bisedës origjinale. Ne kemi një prokurori thellësisht politike.
Por ky problem është shndërruar një problem social. Duke biseduar me shumë avokatë kam dëgjuar shumë çështje të tmerrshme, tha Meta.
Ai shtoi se prokuroria ka vepruar si dikur Sigurimi i Shtetit.
Meta tha se nëse nuk do ishte ai që do kërkonte që çështja të mos mbyllej me procedurë, ai sot nuk do ishte në gjyq.
Unë do të informoj parlamentin për të gjitha këto shkelje sepse parlamenti është mashtruar, tha Meta.
Do marr pjesë në çdo seancë, nga fillimi deri në fund, tha Meta, duke u shprehur se ka qenë i pandehur shembullor. Ai tha se megjithatë në edhe gjykatë evropiane, duke paralajmëruar se do ndjekë çdo hap të mundshëm.
