E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja Meta-Prifti, Gjykata e Lartë rrëzon 2 ekspertimet

SHKRUAN: Leonard Bakillari 12-07-2011 10:59

Tiranë- Gjykata e Lartë rrëzon dy akt-ekspertimet e videos Meta-Prifti, duke pranuar

një nga gjashtë kërkesat e avokatëve mbrojtës të ish-zv.kryeministrit. Gjatë seancës së djeshme, e cila nisi me 4 orë vonesë, Kolegji Penal me relator gjyqtarin Ardian Dvorani tha se ka rrëzuar pesë nga gjashtë kërkesat paraprake të dy mbrojtësve ligjorë të të pandehurit Ilir Meta, ku përfshihet edhe ajo e pavlefshmërisë së hetimit. Ajo që mund të konsiderohet çështja kryesore e këtij procesi, video-përgjimi mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, tashmë duhet t’i nënshtrohet një tjetër ekspertimi, pasi dy aktet e para, të realizuara në SHBA dhe Britani janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata e Lartë. Argumenti kryesor ishin shkeljet ligjore nga ana e organit të akuzës, që nuk ka respektuar pocedurën në lidhje me caktimin e ekspertëve dhe rrugët që duhen ndjekur për marrjen e akt-ekspertimit. Në arsyetimin e saj gjykata tha se pranon kërkesën paraprake për pavlefshmërinë relative dhe papërdorshmërinë, përkatësisht të akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan Glenn Bard dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar, Adrian Philips. Gjykata argumenton se “caktimi i ekspertëve dhe veprimet e mëvonshme lidhur me marrjen e aktit të ekspertimit është kryer në shkelje të neneve 151 pika 4, 183 pika 1 dhe 509 të Kodit të Procedurës Penale”. Ky vendim duket se i ka dhënë një goditje të fortë organit të akuzës, i cili mbi bazën e akt-ekspertimit të parë, të kryer nga eksperti amerikan Glenn Bard, ka vendosur regjistrimin e procedimit penal si dhe ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta. Por kjo çështje pritet të jetë pjesë e debateve të ardhshme që do të zhvillohen në këtë proces gjyqësor, i cili nuk u mbyll për procedurë. Duke u shprehur lidhur me kërkesat e mbrojtjes, gjykata tha se rrëzohet kërkesa për pushimin e gjykimit të procedimit nr.1 të vitit 2011, për të cilën avokatët kishin pretenduar se ndjekja penale ndaj ish-zv.kryeministrit nuk duhej të fillonte. Gjykata argumentoi se nga momenti i regjistrimit të këtij procedimi, pra nga data 24 janar 2011, nuk rezulton që Prokuroria e Përgjithshme të ketë kryer veprime që nuk lejohen, sipas dispozitave procedurale ndaj personit me imunitet. Një tjetër kërkesë e rrëzuar nga Gjykata e Lartë ishte edhe ajo për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të veprimeve hetimore dhe provave të marra pas datës 12 prill deri në datën 9 maj të këtij viti, kur prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë dosjen penale ndaj Ilir Metës, pasi këto veprime janë kryer jashtë afateve hetimore. Edhe pse avokatët e z.Meta pak ditë më parë vendosën të tërhiqen nga kjo kërkesë, duke mos dashur që shqyrtimi gjyqësor të mbyllet për procedurë, gjykata tha dje se hetimet e prokurorisë janë kryer brenda afatit të parashikuar në ligj. “Afati i zhvillimit të hetimeve paraprake ndaj të pandehurit Ilir Meta ka filluar në datën 09.02.2011, kur emri i tij është regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprës penale, në cilësinë e personit që i atribuohet vepra penale, ndërkohë që edhe çështja në Gjykatën e Lartë është dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme në datën 09.05.2011, pra brenda afatit tremujor të parashikuar në ligj”- u shpreh relatori i çështjes. Kërkesa për papërdorshmërinë e provave materiale duke filluar nga ora, audioja e videos regjistruese me të cilën pretendohet se është kryer video-përgjimi si dhe mjetet e tjera për transferimin dhe riprodhimin e kësaj video, kanë marrë pjesën më të madhe të arsyetimit të vendimit të gjykatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›