E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ja provat kundër Metës, duam 20 dëshmitarë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 12-07-2011 10:55

Tiranë- Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë i hapi rrugën shqyrtimit gjyqësor të çështjes penale ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, i cili akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Bujar Sheshi, lexoi para gjykatës kërkesën për gjykim ndaj z.Meta si dhe provat që prokuroria ka mbledhur gjatë hetimit paraprak. Duke iu referuar pjesës më të rëndësishme të hetimit, akt-ekspertimeve për autenticitetin e video-përgjimit, prokurori tha se organi i akuzës do të kryejë një tjetër akt-ekspertim me po të njëjtin ekspert, amerikanin Glenn Bard, i cili, sipas tij, ka njohuri të posaçme në këtë fushë. Më tej, prokurori argumentoi se hetimet për këtë çështje kanë nisur kryesisht në Prokurorinë e Tiranës, e cila pas verifikimeve të para ka shpallur moskompetencën lëndore, duke e dërguar dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas prokurorit, hetimi është përqendruar në dy çështje kryesore, të cilat kanë të bëjnë me ankandin e naftës në kompaninë shtetërore “Albpetrol” dhe dhënien me koncesion të një HEC-i në Shushicë të Elbasanit. Për të dyja këtë çështje, përfaqësuesi i akuzës argumentoi se Dritan Prifti ka dhënë dëshminë e tij, duke pranuar se Ilir Meta ka i ka ofruar ryshfet. Duke pranuar autorësinë e regjistrimit të videos, sipas prokurorit Sheshi, Prifti ka dëshmuar se Ilir Meta i ka ofruar 700 mijë euro dhe 7 për qind të aksioneve, në këmbim të dhënies me koncesion të HEC-it të Shushicës. Gjithashtu, në dëshminë e tij, dhënë në Prokurorinë e Tiranës, Prifti ka deklaruar se Ilir Meta i ka ofruar plot 1 milion dollarë, nëse kompania “Halilaj Grup” do të fitonte ankandin e naftës në kompaninë “Albetrol”. Oferta prej një milionë dollarësh, që ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, pretendon se ia ka bërë ish-shefi i tij Ilir Meta është përmendur dy herë gjatë kërkesës për gjykim, që prokurori i çështjes lexoi dje në Gjykatën e Lartë. Sipas tij, këto akuza provohen edhe nga pjesëmarrja në tender dhe ankand e dy kompanive për të cilat akuzohet se ka ndërhyrë i pandehuri Meta, si dhe një sërë dëshmish dhe provash që prokuroria ka mbledhur gjatë hetimeve paraprake. Prokurori kërkoi nga Gjykata të pyeten 20 dëshmitarë, mes të cilëve ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, administratorët e kompanive që përmenden në video-përgjim, Bekim Halilaj dhe Ymer Tola, si dhe Agim Rrapaj, i cili gjithashtu përmendet nga ish-zv.kryeministri Ilir Meta. Menjëherë pas leximit të kërkesës për gjykim, avokatët e z.Meta thanë se i mbrojturi prej tyre është i pafajshëm dhe kjo gjë do të provohet gjatë shqyrtimit gjyqësor, nëpërmjet provave që mbrojtja do të paraqesë. Sipas avokatit Gëzim Veleshnja, gjykata duhet të administrojë si provë dy akt-ekspertimet e kryera për llogari të mbrojtjes nga një ekspert italian me njohuri shumë të mira në këtë fushë, si dhe të thirren në cilësinë e dëshmitarëve katër biznesmenët e përfshirë në këtë çështje. Lidhur me akt-ekspertimin, përfaqësuesi ligjor i z.Meta tha se video-përgjimi duhet të ekspertohet nga ekspertë vendës, qofshin këta ekspertë të Ministrisë së Brendshme apo privatë, pasi ekzistojnë disa praktika gjyqësore që për raste të tilla gjykatat u janë referuar ekspertëve vendës. Pas një pauzë të shkurtër, Kolegji Penal vendosi të pranojë kërkesat e akuzës dhe mbrojtjes, përveç riekspertimit të videos, pasi ekspertët që do të kryejnë këtë ekspertim do të caktohen më vonë nga gjykata. Seanca e ardhshme për këtë çështje do të zhvillohet më datën 22 korrik, kur pritet të dëgjohen dëshmitë e para për video-përgjimin Meta-Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›