Ilir Meta: Unë President? Ndoshta pas 30 viteve!
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka hedhur poshtë mundësinë për të marrë pjesë personalisht në garën presidenciale. Në këtë mënyrë kreu i LSI-së, duke folur për deklaratat e një dite më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama për një opsion të tillë, tha se do të rikandidojë për drejtimin e LSI-së, ndërsa ftoi Luan Ramën ti bashkohet kësaj gare. Nga ana tjetër, kreu i LSI-së vlerësoi si të rëndësishme dhe mjaft emergjente bashkimin e votave për reformat, që janë domosdoshmëri për marrjen statusit kandidat brenda këtij viti. Për këtë arsye Ilir Meta tha se skenarët për zgjedhje të parakohshme duhet të jenë larg axhendës së klasës politike në vend. Kreu i LSI-së ka rikonfirmuar se LSI do t’i qëndrojë marrëveshjes politike me Partinë Demokratike deri në vitin 2013.
“Zgjedhja e Presidentit është moment i rëndësishëm politik, në rast se do të jemi të gjithë në lartësinë që kërkon ky qëndrim politik. Ka skaduar afati dhe duhet me shpejtësi të përmbyllet reforma zgjedhore, parlamentare dhe heqja e imunitetit. Zgjedhja e Presidentit nuk është i rëndësishëm për plotësimin e një vendi, por me kuptimin e funksionimit të duhur të institucionit, sidomos për fushën e drejtësisë. Do të ishte një gabim i madh nëse do shihej si proces ekonomik. LSI i qëndron marrëveshjeve të nënshkruara”- tha ai.
Këto deklarata kreu i LSI-së Ilir Meta i bëri pas takimit me zv. Presidentin e Komisionit të Jashtëm në senatin Italian, Alberto Filipi.