Ilir Meta kërkon lirinë – GJKKO rrëzon kërkesën, ish-Presidenti mbetet në burg

Gjykata e Posaçme rrëzoi sot (13 gusht) kërkesën e ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili do të vazhdojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit.
Pavarësisht se tha se kishte dorëzuar shumë prova të reja, avokati i tij tregoi për gazetarët se gjyqtari i çështjes ka marrë një vendim paragjykues.
“Pavarësisht se ai thoshte që unë jam i pavarur, i thashë që ‘ju e keni vendosur, sepse është e pamundur që për dy ditë të lexoni të gjitha provat, të gjitha aktet, dhe të vendosni pro z. Meta për zëvendësimin e masës së sigurimit’,” u shpreh avokati i z. Meta, Kujtim Cakrani.
Ish-presidenti prej kohësh këmbëngul se duhet të përballet me drejtësinë në gjendje të lirë dhe jo në kushtet e izolimit.
Seanca gjyqësore nisi në orën 10:00 dhe pas dy orë shqyrtimi gjyqësor, gjyqtari i posaçëm Erjon Çela vendosi për lënien në fuqi të masës aktuale të sigurisë, izolimin në qeli ndaj ish-presidentit Meta.
“Ne e braktisëm seancën gjyqësore pasi unë parashtrova të gjitha pretendimet. I kërkova edhe gjykatës që ajo të ishte korrekte me ligjin, që do të thotë të njihej me aktet, me procedimin e hetimeve, sepse kërkon një kohë të gjatë,” deklaroi z. Cakrani.
Që prej 21 tetorit të vitit 2024, z. Meta përballet me akuzat e Prokurorisë së Posaçme që e ngarkon Presidentin e Partisë së Lirisë me vepra penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehje pasurie, vepra për të cilat gjykata me kërkesë të SPAK-ut ka vendosur lënien e ish-presidentit në qelitë e paraburgimit.
Meta nëpërmjet avokatit kërkoi hetimin në gjendje të lirë, një kërkesë e përsëritur e tij që nuk u shqyrtua javën e kaluar, për shkak se gjyqtari i gatshëm Erjon Bani shpalli moskompetencën.
Gazetare: Sonila Agostini