Mandati i deputetit në garë, çështja “Lapaj” shtyhet nga Kolegji për fund gushti

Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë më 25 gusht në orën 10:00 padinë e Adriatik Lapajt ndaj KAS dhe KQZ, pas shtyrjes së seancës për mungesë të dy gjyqtareve që ndodhen me leje vjetore.
Lapaj, i cili e ka depozituar ankimimin më 4 gusht, kërkon që të njihet si fitues i listës së hapur me vota preferenciale në zgjedhjet e 11 majit për qarkun e Tiranës.
Pas një serie vendimesh dhe apelimesh, KAS më 30 korrik i kaloi mandatin e vetëm të fituar nga “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë, kandidatit të parë në listën e mbyllur, Ana Dajko, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të KQZ që ia kishte dhënë Kleana Xhuvelit.
Sipas Adriatik Lapaj, votat preferenciale të 11 majit e rendisin si fitues në listën e hapur dhe revokimet e dorëheqjeve nga Zeqir Kordhoni dhe Kleana Xhuveli nuk duhet të njihen si të vlefshme.
Ai thotë se nuk do të heqë dorë nga mandati që, sipas tij, i takon me votat e qytetarëve.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/