Ilir Meta nderon Rugovën e Jasharin
Në kuadër të vizitës së tij dyditore në Kosovë, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule në varrin e ish-presidentit Ibrahim Rrugova në Prishtinë dhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz. Pas homazheve mbi varrin e ish-presidentit Rrugova, z. Meta u prit nga bashkëshortja dhe familjarët e z. Rrugova. Gjatë bisedës, z. Meta shprehu vlerësimin e tij të madh për rolin dhe kontributin e pamohueshëm të z. Rrugova në historinë e Kosovës duke shprehur bindjen se tashmë vizioni i ish-presidentit Rrugova po materializohet me një Kosovë të pavarur që po ecën përpara në konsolidimin e institucioneve të saj dhe në rrugëtimin e sigurt drejt integrimit europian. Më pas, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz ku vendosi një kurorë mbi varrin e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Në vijim të vizitës së tij zyrtare dyditore në Kosovë, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, u takua me përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë, z. Sllobodan Petroviç, kryetar i Partisë Liberale Serbe dhe z. Sasha Rasiç, Ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës.