E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ambasadori sulmon Blerin: "Marrëveshja e luftës mund të jetë nënshkruar me gjak"

Hetimet dhe dëshmitë e njerëzve që kanë pasur të bëjnë me vendimin e ndërmarrjes së luftës në Irak vazhdojnë në panelin e ngritur në Londër për të vlerësuar legjitimitetin e konfliktit që nis në mars të 2003-it. Edhe gjatë seancës së djeshme, mbështetja që Toni Bler i dha Bushit në iniciativën e tij është sulmuar nga njerëz të afërt, madje nga njëri prej ish-diplomatëve më të rëndësishëm, Sir Christofer Meyer, ish-ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se Bler dhe Bush mund të "kenë nënshkruar marrëveshjen për luftën me gjak" gjatë bisedimeve të fshehta të mbajtura një vit para nisjes së luftës në Irak. Ish-ambasadori rrëfeu se të dy liderët kanë kaluar orë e orë në diskutime në fermën private të Bushit në Teksas, në prill të vitit 2002. Po sipas diplomatit, të nesërmen e një takimi shumë të gjatë, Bler dha një nga fjalimet e tij më të famshme në lidhje me liderin e Irakut, Sadam Husein, në të cilin deklaroi se ishte shumë i rrezikshëm për t‘u injoruar dhe përmendi "ndryshimin e regjimit" për herë të parë. Kondoleca Rajs i kishte thënë Blerit pas sulmeve të 11 shtatorit se administrata e kishte marrë në konsideratë çdo lidhje të mundshme mes Sadamit dhe Al-Kaedës. Sipas tij, ndryshimin vendimtar Blerit e mori vetëm pas bisedimeve me Bushin në fermën e Teksasit. Sipas tij, personat që mbështesnin linjën e ashpër në administratën e Blerit treguan se ishin të bindur plotësisht në lidhje me lidhjet që ekzistonin mes Al-Kaedës dhe Sadam Huseinit. Njëri prej tyre ishte edhe zëvendësshefi i Mbrojtjes në Pentagon, Paul Volfofic. Një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë, por gjithsesi, mbështetje nga njerëzit më të fuqishëm në administratën amerikane. Bush dhe Bler lidhën menjëherë miqësi dhe partneritet që pas takimit të parë në vitin 2001. Sipas ish-diplomatit, fjalimi që mbajti Toni Bler menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në të cilin tha se: "do t‘i gjendemi pranë dhe do ta mbështesim Amerikën në këtë orë nevoje" vulosi edhe reputacionin e Blerit në Amerikë. Për shumë kohë në Britani pretendohej se ndryshimi i regjimit në Irak do të ishte i mundur përmes rrugës diplomatike, apo presioneve të ndryshme, por pas takimit Bush-Bler në vitin 2002 sulmi u bë i pashmangshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›