E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja, mesazh Kuvendit: Pezullo paktin detar me Greqinë

Gjykata Kushtetuese merr një tjetër vendim që rrëzon një nismë të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Vetëm 24 orë pas rrëzimit të ligjit të makinave, në mbledhjen e djeshme, institucioni që interpreton ligjin themeltar të shtetit ka vendosur që marrëveshja e kufirit detar me Greqinë duhet të hiqet nga rendi i ditës së Kuvendit dhe të pezullohet ratifikimi. Pasi ka shqyrtuar ankesën e PS, PSD, PDS, partisë "Ligj dhe Drejtësi" dhe G99 Kushtetuesja çmon se, bazuar në nenin 31 të ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, ekziston shkaku dhe baza ligjore për shqyrtim gjyqësor të kërkesës vetëm sa i takon subjektit kërkues Partia Socialiste e Shqipërisë. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 31 dhe 52/3 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", me shumicë votash, vendosi: Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare me subjekt kërkues Partia Socialiste e Shqipërisë,

rrëzimin e kërkesës për subjektet e tjera kërkuese, pezullimin e procedurave të ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi deri në shpalljen e vendimit përfundimtar. Seanca plenare do të zhvillohet më datë 8 dhjetor 2009, ora 10.00.

Marrëveshja për ujërat detare me Greqinë u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti nga ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë së asaj kohe përkatësisht: Basha dhe Bakojanis, nën prezencën e Kryeministrave: Berisha dhe Karamanlis. Pas firmosjes në vend nisën polemikat që akuzonin qeverisë se i ka dhënë tokë shqiptare vendit fqinj. Akuzat e ekspertëve të fushës, por edhe të medias theksojnë se marrëveshja cenon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i "dhurohen" fqinjit tonë jugor, Greqisë. Një muaj më parë ushtarakët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan Kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë. Në datën 25 shtator, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje. Por, në datën 15 tetor 2009, Parlamenti shtyu pa afat ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë pas presionit mediatik në rritje.

Y. Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›