Ilir Meta përfundon vizitën zyrtare në Uashington me takime të nivelit të lartë në Kongres dhe Senat

Në ditën e fundit të viztës, axhenda ka qenë e ngjeshur, me takime me kongresmenët Carolyn B. Maloney, Dan Burton, senatorin Roger F. Wicker, si dhe Kryetarin e Komisionit Amerikan të Helsinkit, Christopher H. Smith
Në përfundim të takimeve të tij në Kongresin Amerikan, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta pati një axhendë të ngjeshur takimesh me përfaqësues të lartë Kongresit dhe Senatit amerikan. Kësisoj Meta u takua dje me kongresmenin Dan Burton, Kryetar i Nenkomisionit për Evropen, me Kongresmenen Carolyn B. Maloney, Anëtare e Grupit të Çështjeve Shqiptare dhe e Komisionit të Përbashkët Ekonomik, si dhe me Kongresmenin Darrell Issa, Kryetar i Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare.
Gjatë takimit me Kongresmenin Dan Burton, Ilir Meta informoi mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe në rajon, duke theksuar se reformat e ndërmarra, si dhe klima më pozitive politike që po ndjehet muajt e fundit, do të kontribuojë në integrimin e plotë evropian të të gjitha vendeve të rajonit. Në këtë kuadër, Kongresmeni Burton shprehu mbështetjen e tij në emër të Nënkomisionit për Evropën në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe veçanërisht për marrjen e statusit kandidat brenda këtij viti. Z. Meta u shpreh se integrimi i plotë euro-atlantik i të gjitha vendeve të rajonit, është rruga e vetme për stabilitet dhe prosperitet për të gjithë qytetarët tanë. Në këtë kuadër, Kongresmeni Burton vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon si dhe kontributin e vendit përkrah SHBA-ve në Afganistan dhe në rajone të tjera konfliktuale të botës.
Gjatë takimit me Kongresmenia Maloney, Meta theksoi se marrëdhëniet politike mes SHBA dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe se prioriteti kryesor është intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Në këtë drejtim, Meta kërkoi mbështetjen e Kongresit në inkurajimin e investimeve amerikane drejt Shqipërisë.
Meta dhe Kongresmenia Maloney, pasi vunë në dukje kontributin pozitiv të komunitetit shqiptar në SHBA, theksuan se fokusimi në fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, është kyç për krijimin e stabilitetit afatgjatë ekonomik të vendit. Në këtë drejtim, Meta u shpreh se punësimi dhe inkurajimi i sipërmarrësve të rinj në Shqipëri, është një nga prioritetet kryesore të programit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicionin qeverisës. Kongresmenia Maloney, iu përgjigj pozitivisht ftesës së Ilir Metës për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen.
Gjatë takimit me Kongresmenin Issa, u theksua rëndësia e realizimit të reformës elektorale si një proces kyç në përmbushjen e prioriteteve të BE-së. Gjithashtu u nënvizua rëndësia e transparencës elektorale si një gur themeltar i mirëfunksionimit të demokracisë. Gjatë të gjitha takimeve në Uashington, u vlerësua pjekuria e politikës rajonale të Shqipërisë dhe u shpreh mbështetja e plotë e Kongresit amerikan për integrimin evropian të vendit.
Takimet e kreut të LSI me senatorin Wacker dhe kongresmenin Smith
Gazsjellësi TAP, arritje madhore për Shqipërinë, investitorët amerikanë interes për potencialet minerare
Në përfundim të vizitës së tij në Senatin Amerikan, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta u prit nga Senatori Roger F. Wicker, anëtar i Komisionit të Tregtisë, Shkencës dhe Transportit, Komisionit të Forcave të Armatosura, njëkohësisht anëtar i Komisionit Amerikan të Helsinkit. Meta dhe Senatori Wicker vlerësuan bashkëpunimin dhe aleancën mes SHBA dhe Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Në këtë kontekst, Senatori Wicker vlerësoi kontributin e forcave të armatosura shqiptare në Afganistan si dhe progresin e bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit.
Ilir Meta dhe Senatori Wicker diskutuan gjithashtu për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, me theks të veçantë në shfrytëzimin e pasurive minerare dhe potencialeve energjetikë të vendit për investitorët amerikanë. Meta vuri në dukje progresin e bërë në kuadër të projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik TAP, ndërsa Senatori Wicker u shpreh se realizimi i këtij projekti do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin. Në përfundim, Meta dhe Senatori Wicker ndanë mendimin se strategjia e shfrytëzimit të potencialeve ekonomiko-tregtare të Shqipërisë, shoqëruar me integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, është rruga më e sigurt drejt rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Meta – Smith: Shqipëria ka pësuar ndryshime rrënjësore vitet e fundit
Gjithashtu, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u prit në Uashington në një takim nga Kryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Kongresmeni Christopher H. Smith. Gjatë takimit, Meta dhe Kongresmeni Smith vunë në dukje ndryshimet e mëdha që Shqipëria dhe rajoni ka përjetuar gjatë viteve të fundit në të gjitha fushat, duke nënvizuar përmirësimin e standardeve demokratike dhe të të drejtave të njeriut në vend. Kongresmeni Smith vlerësoi arritjet e Shqipërisë në luftën ndaj trafiqeve të qenieve njerëzore, duke theksuar njëkohësisht se progresi i bërë në drejtim të rehabilitimit të viktimave të trafikut është një aspekt shumë i rëndësishëm i kësaj beteje.
Kongresmeni Smith u shpreh se rajoni sot është larg ditëve të së kaluarës së hidhur kur skenat e refugjatëve apo luftërave mbizotëronin ekranet televizive të vendeve perëndimore. Sot, u shpreh ai, rajoni është shumë më i stabilizuar, në paqe dhe në rrugë të sigurt drejt integrimit evropian.
Në këtë kontekst, Kongresmeni Smith shprehu një vlerësim të veçantë për kontributin konstruktiv dhe vizionin e politikës së jashtme të Shqipërisë në dobi të paqes dhe progresit të të gjithë rajonit.
Ilir Meta dhe Kongresmeni Smith ndanë mendimin e përbashkët se prioritet kryesor i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë është rritja e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare si dhe shtimi i investimeve amerikane në Shqipëri.