“Masakra e Tivarit”, një kontribut i vyer i historianit Uran Butka
Simpozium për botimin më të fundit të shkrimtarit, i cili mbush boshllëkun për njërin nga krimet më të përbindshme të komunistëve shqiptarë e serbë, atë të vrasjes së mbi 3 mijë shqiptarëve të Kosovës në 1945-n
Masakra e Tivarit është njëra nga faktet e shumta që dëshmojnë vasalitetin absolut të Enver Hoxhës ndaj armiqve shekullorë të kombit tonë, në shkelje të çështjes kombëtare. Tivari është dashur të lihej në harresë, sidomos prej një tresheje të përlyer me qëndrimin antishqiptar ndaj kësaj masakre, nja pabesi që s’ka ndodhur në asnjërin prej “aleatëve” gjatë luftës. E kjo treshe tinëzare përbëhej nga Enver Hoxha, Nexhmija dhe Ramiz Alia. Ramizi ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për atë kasaphane e cila duhet të ishte shkas që të priteshin marrëdhëniet qysh në mars të vitit 1945 e jo në vitin 1948, siç bëri E.H.-a, kur prishja me shokun Tito ishte e leverdisshme në saje të letrave të Stalinit nën emblemën e InformByrosë. Ishte e leverdisshme gjer në atë shkallë sa të shtonte dozat e kultit të individit dhe të bëhej një Stalin i dytë, paçka se ai i pari ishte antishqiptar dhe e kishte përdorur Shqipërinë si plaçkë tregu (e konfirmuar nga Kardelji dhe Gjilasi). Ramizit, kur iu përmend në një intervistë Tivari, vari vrik turinjtë dhe dha një përgjigje pa përgjigje: “Shkoni pyesni kosovarët!”. Sa për Nexhmijen, ajo thuajse të gjitha intervistat i ka pasur, me kushtin që t’i bëhen pyetje pas oreksit, çka do të thotë që të bëjë në demokraci apologjinë e diktaturës! Ajo s’do të dinte t’i përgjigjej, për shembull, pyetjes për atë letrën sentimentale, tërë ofshama, për largimin e Dushan Mugoshës, që kishte vrarë me duart e tij antifashistët që ishin “fajtorë” se u bashkuan me nacionalistët për të luftuar okupatorin, Besnik Çanon, Qeramudin Sulon dhe Adi Kasimatin. As për vrasjen e Mustafa Gjinishit, me firmën e bashkëshortit të saj. Si edhe për atë teatër absurd që ta shpallnin dëshmor dhe pastaj tradhtar!
Ramizi, a nuk ishte ai njeriu që i bëri kabllogramin me shifër E.H-s, i cili e kërcënoi deshifruesin Islam Kadesha që të mos hapte gojën se, përndryshe, do t’i ikte koka? Vërtet që Kadesha ia vuri drynin gojën, por jo, amà, pas rënies së diktaturës. Nga ana tjetër Nexhmija mburrej se nuk i shpëtonte asnjë mizë, ndërsa në këtë rast s’dinte gjë!
Vepra e Uran Butkës për këtë çështje, të trajtuar në mënyrë konspirative nga bashkëfajtorët më të neveritshëm të krimit komunist shqiptar, u prit me interes të madh në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave, në Tiranë. Tashmë veprimtaria historike e autorit Butka ka një jehonë dinjitoze në argumentimin e veprave historike, që e vënë në rangun e historiografëve më të besuar e më me prestigj, si studiues serioz i të vërtetave të paraqitura në mënyrë të dokumentuar, të papërgënjeshtrueshme. Kjo vepër mbi “Masakrën e Tivarit” sikur pritej që të plotësonte një boshllëk. Pas pritjes së mirë që pati “Konferenca e Mukjes”, që argumentoi luftimet e të gjitha luftërave që kanë bërë nacionalistët shqiptarë kundër okupatorëve, duke pasqyruar edhe dëshmorët në fshëbetejën kundër pushtuesve, duke filluar me të 34 dëshmorët e Gërhotit me në krye Hysni Lepenicën, me dëshmorin Jashar Cakranin e të tjerët. Kjo vepër e re hedh dritë mbi një ngjarje tragjike me përmasa kombëtare, dëshmi e antikombëtarizmit enverist.
***
Sipas autorit kemi të bëjmë me një spastrim të pastër të kryer nga brigada X Jugosllave. Në simpoziumin e mbajtur në Akademinë tonë të Shkencave, Agron Tufa, që drejtonte punimet e simpoziumit, ia dha fjalën të parit, prof. Dr. Romeo Gurakuqit. Folësi bëri një përmbledhje të librit mbi këtë ngjarje të lënë në harresë nga historiografia komuniste e forcave të armatosura jugosllave në bashkëpunim me Divizionin V dhe VI të partizanëve shqiptarë, të drejtuar nga R. Alia që gati sa s’kishte thënë në një intervistë “se nuk kishte dijeni”. Mbi 3000 shqiptarë të Kosovës humbën jetën në këtë masakër. Agron Tufa theksoi në fjalën e tij se, kjo masakër u la me gjak në emër të vëllazërim-bashkimit. "Një garderobë e tërë hipokrizie", e cilësoi Tufa gjithë këtë masakër dhe faktet historike që u fshehën pas kësaj tragjedie mbarëshqiptare.
Masakra e Tivarit u bë ndaj të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në mbarim të Luftës II Botërore në Tivar, në Mal të Zi dhe gjatë rrugës për në Tivar, në brendësi të territorit administrativ shqiptar.
Dëgjuesit u vunë në dijeni edhe të dokumenteve të nënshkruara nga Zoi Themeli, nga Shefqet Peçi e të tjerë. Veçse ky i fundit flet për 500 të vrarë, ndërsa Luan Dode, në librin “Kosova në qëndrimet e Enver Hoxhës”, bën fjalë për 4310 të vrarë. Në këtë simpozium folën edhe akademik Kolec Topalli, Mark Marku, Sherif Delvina si edhe autori i tekstit, që falënderoi pjesëmarrësit.
Të bën përshtypje se në këtë mbledhje historike nuk kishte ardhur asnjë prej historiografëve të indoktrinuar, të interesuar që ngjarja makabër të mbetej misterioze, që të mos komprometoheshin Enveri, Nexhmija dhe Ramizi, por edhe shumë të tjerë që duan të mbulohet krimi komunist.