Ilir Tolaj në arrest shtëpiak por drekon në restorant

Ilir Tolaj, i cili ndodhet në arrest shtëpiak për akuza korrupsioni, ka drekuar të enjten në një restorant në Prishtinë.
I akuzuari për korrupsion Ilir Tolaj, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, ka drekuar të enjten rreth orës 13:00 në restorantin Tiffany përkundër faktit që ai ndodhet zyrtarisht “në arrest shtëpiak”.
Tolaj ka arritur në restorant në ora 12.45 pas përfundimit të pjesës së parë të seancës gjyqësore e cila është mbajtur të enjten në Kinema ABC1.
Gazeta Jeta në Kosovë sjell fotografi dhe xhirime ku Tolaj shihet duke drekuar me bashkëshorten e tij dhe të pranishëm të tjerë.
Ai e ka filluar drekën duke cakërruar gotën me një person tjetër.
Tolaj ka qenë i shoqëruar nga dy zyrtarë policorë të cilët gjithashtu kanë drekuar në restorant. Policë të tjerë janë parë edhe jashtë ambientit të restorantit.
Por a kishte të drejtë Tolaj të dilte jashtë objektit të gjykatës ku ai po gjykohej?
Kryetarja e trupit gjykues të EULXI-t, Cornelie Peeck, e cila është duke gjykuar Tolajn, ka konfirmuar se ka lejuar Tolajn që të dilte në drekë.
“Nënkuptohet që Tolaj ka mundur të takohet me persona të tjerë”, tha ajo.
Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, thotë se arresti shtëpiak vlen edhe gjatë pushimit të drekës dhe se janë raste të veçanta kur gjykata mund të japë leje për të dalë nga vendi ku mbahet arresti shtëpiak.
Për shembull, thotë ai, i pandehuri mund të shkojë në spital, bankë etj.
“Gjykatësi mund të japë këtë leje, por jo që i pandehuri të shëtitet rrugëve. Ligji jep leje me dalë në restorant vetëm kur ka ndonjë arsye të fortë familjare”, thotë Ibrahimi./gazetajnk/