Mustafa: Kryesia qendrore e PDK-së, pa asnjë gjilanas

Qemajl Mustafa është kuadri i vetëm dhe i parë që ka komentuar përbërjen e re të kryesisë së PDK-së në qendër, ku, siç vërehet nuk hyri asnjë kuadër nga Gjilani. Ky injorim i kryesisë qendrore është pritur tejet ashpër nga aktivistët e PDK-së në Gjilan.
Megjithatë guximin për të folur dhe shprehur qëndrimin hapur e ka vetëm Qemajl Mustafa. Ai për rajonipress dha opinionin e tij, por edhe të shumicës së anëtarëve të PDK-së në Gjilan.
Qemajl Mustafa tha për rajonipress se e vërteta është se asnjë kuadër aktiv dhe i spikatur i degës nuk “depërtoi” as kësaj here në kryesinë qendrore edhe pse për shkak të meritave dhe rolit strategjik, do të duhej t’i kishte dy anëtarë dhe një nënkryetar në kryesinë qendrore të PDK-së.
Sa i përket Basri Musmuratit e Zenun Pajazitit, Mustafa tha se ai personalisht dhe dega në Gjilan nuk kanë asgjë kundër tyre si individ, por hyrja e tyre në kryesi, me aludimin për ta përfaqësuar degën dhe Gjilanin do të ishte një ide plotësisht e gabuar, sepse që të dy janë larg përditshmërisë së degës dhe qytetarëve të komunës së Gjilanit dhe nuk kanë bërë aktivitet minimal për degën në Gjilan që nga themelimi i saj.
Sipas Mustafës, është edhe një anomali që e dëmton këtë “përfaqësim”, sepse këta dy vijnë nga i njëjti fshat i Kamenicës dhe janë në fund të fundit në lidhje të afërt familjare. “Sipas perceptimit tim, që mendoj se është perceptim i shumicës së degës dhe qytetarëve në Gjilan, kjo ka reflektuar keq”.
“Këta dy anëtar të kryesisë në zgjedhjet nacionale kanë marrë pak vota në bazën e tyre në Gjilan. Njëri ka marrë vetëm gjysmën e votave të degës, përkatësisht rreth 6 000 nga 12 000 vota, sa i ka dega, kurse tjetri vetëm 1 300 vota. Për çudi, që të dy kanë marrë shumë vota për Këshillin drejtues të partisë dhe ky i fundit është emëruar edhe sekretar i përgjithshëm i partisë. Diçka këtu nuk po funksionon ose me popullin ose me zgjedhjet në parti. Unë dhe plotë aktivistë shumëvjeçar të devotshëm nuk do të jemi më vetëm argatë të zellshëm dhe vrojtues pasiv të marrjes njëanshëm dhe tashmë pa meritueshëm të pushtetit të shumtë në parti e në dëm të të tjerëve, sepse jemi të lodhur nga trajtimi injorues i qendrës”, shtoi kreu i PDK-së dhe i Komunës së Gjilanit.
Mustafa tha se ai personalisht nuk e ka ndërmend të ftojë asnjërin nga anëtarët dhe aktivistët e degës që të dekurajohen dhe ta dëmtojnë degën e PDK-së, por i ftoj të gjithë që të bashkohemi e ta riparojmë gjendjen dhe t`i qëndrojmë besnikë qëllimit themelor e programor të anëtarësisë së PDK-së, e që është dhe mbetet ngritja, reformimi dhe forcimi i saj për fitoret e ardhshme në të mirë të komunës dhe të Kosovës. “Ka mbetur edhe pak kohë për ta bërë këtë, në të kundërtën e themi me bindje se koha do të tregojë se dega nuk është në rrugën e duhur”, tha Mustafa./Indeksonline/