E Diel, 1 Nëntor 2026

Iliri i "BB": Shqiptarët ia dhanë çmimin më nevojtarit

Nuk arriti të ishte fituesi i këtij edicioni të “Big Brother”, por duket se edhe me vendin e dytë Iliri është shumë i kënaqur. Tregon se e kanë pritur mirë dhe po i shijon maksimalisht famën dhe emrin që i dha pjesëmarrja në reality show. Thotë se ka nisur bashkëjetesën me vajzën e zemrës dhe synimi është të punojë në televizion. Po ashtu Iliri na rrëfeu se ka në plan të angazhohet edhe me fushatën elektorale. Ka një konsideratë jo shumë të mirë për fituesin e “Big Brother”, Anaidin, për të cilin vazhdon të thotë se është “zero”, sidomos tani pas ndarjes me Joanën.
Ishe kaq pranë fitores... I kënaqur me vendin e dytë?
Jam jashtëzakonisht i lumtur. Për mua është fitore! Vërtetova që nuk duhet të fitosh një show që të jesh i suksesshëm, por duhet të fitosh popullin, dhe unë e fitova Shqipërinë. 
Çfarë kishte Anaidi më shumë se ty?
Flokë ndoshta? (qesh) Anaidi nuk besoj se kishte ndonjë gjë më shumë, por Shqipëria vendosi që mos t’ia jepte më të mirit, por atij më nevojtarit. Shpresoj që ai ta ketë marrë të qartë këtë mesazh dhe ta përdorë këtë dhuratë të vyer që iu bë. 
Kush u mërzit më shumë që ti nuk fitove?
Familja, normale. Por me ato çka po dëgjoj çdo ditë në rrugët e Shqipërisë, janë mërzitur edhe dashamirësit e fansat e mi.
Anisa, çfarë të tha?
Më tha: “Më kishte marrë shumë malli dhe sido që të jetë, ti je fituesi për mua dhe për të gjithë, por hajde ikim pak në shtëpi se kam dy llafe ke veshi” (qesh). 
Si të pritën jashtë?
Fama është një përgjegjësi e madhe. Jam i mahnitur se sa bukur dhe sa mirë më kanë pritur, me dashuri, me buzëqeshje e me komplimente të shumta. Nuk e di, jam në një botë magjike tani dhe shpresoj që të jem i aftë ta ruaj për të gjithë jetën këtë gjë. 
Si kanë qenë për ty këto ditë?
Të çoroditura, siç thoshte Olta. Jam akoma në fazën e ambientimit me realitetin, sepse kam qenë i privuar nga shumë gjëra. Megjithatë, jam tip shumë fleksibël dhe po eci me ritme të shpejta. Kanë qenë edhe ditë të bukura, sepse jam prapë në gjirin e familjes dhe unë jam një djalë familjeje. 
Të pëlqen që je bërë kaq i njohur?
Jam super i gëzuar. Mbrëmë tek lokali i xhaxhait, kam firmosur autografe dhe foto për katër orë rresht dhe ju betohem që nuk kisha lodhje. Fansat e mi kanë qenë shumica fëmijë të vegjël dhe shpresoj që t’i kem kënaqur sadopak dhe të vazhdoj t’i kënaq akoma më shumë, sepse siç e dimë, të gjithë kanë nevojë për një hero dhe ata të vegjëlit, sidomos mbrëmë më kanë bërë të ndihem hero dhe super human. I dua shumë! 
Çfarë të thonë njerëzit kur të takojnë? Ndonjë kritikë, të kanë bërë?
Më thonë që “Big Brother 6” do të mbahet mend si “big Like 6”. Kam takuar shumë nëna shtatzëna dhe shumë gra që kishin lindur dhe më kanë thënë: ‘Po tani çfarë do shofim ne?’... Isha tek materniteti i Fierit dhe më thoshin që, ‘fëmijët tanë do dalin të lumtur, sepse na ke kënaqur’. Më kanë thënë ‘ke pasur pak defekte me ngrënien e thonjve dhe me ata gishtat e uruar në hundë, por nga ana tjetër ke qenë perfekt, më i drejti, më i sinqerti dhe më i forti. Hyre Like siç të njihnim dhe dole Like siç të njohim’. Këto fjalë, për një moment më bën të mendoja që isha aktori tek filmi “The Truman show”, me Jim Carrey. 
Me Elonën dhe Riken ke pirë kafe?
Akoma jo. Kam komunikuar në festat që ka organizuar produksioni, por akoma nuk jemi ulur, sepse tani jemi pak të hallakatur. 
A rrinë akoma bashkë gjithë kohën dy shoqet, apo janë larguar?
Nuk i shoh të afruara, sepse në një nga festat, Elona s’kishte ardhur. Më vjen keq ta shpreh ose ta pranoj, por unë nuk i shoh më aq afër. 
Çfarë të mirash mendon se të dha pjesëmarrja në “Big Brother”?
Njoha më shumë veten time, ndërveprimin që mund të kisha me 18 karaktere të ndryshme. Më dha fuqi për të menaxhuar situata nga më të ndryshmet dhe më delikatet. Më dha mundësinë të komunikoja me një masë njerëzish shumë herë më tepër se ç’kisha komunikuar më parë dhe arrita ta bëja me dinjitet. Më rriti vlerat si mashkull edhe përkundrejt seksit të dobët, - atë që mendohej se unë nuk e kisha. S’ka femër që s’më komplimenton dhe më thotë që kështu duhet të jenë të gjithë meshkujt. Më fuqizoi akoma më shumë armën time më të fortë, buzëqeshjen. Kjo eksperiencë më ka dhënë aq shumë gjëra, saqë s’ka artikull gazete t’i përmbledhë. Kështu që do t’ju duhen edhe disa intervista të tjera (qesh). 
E more vesh për ndarjen e Anaidit dhe Joanës? Çfarë mendon?
E mora... E dija dhe e kisha parashikuar. Mendoj se është hipokrizia më e madhe dhe ulja më e madhe që i ka bërë Anaidi vetes. Joana kishte të gjitha të metat e saj dhe ndoshta është njeri negativ, por atë ndjenjën për Anaidin të paktën e kishte të vërtetë dhe të pastër. Asnjë mashkull nuk mund të luajë me ndjenjat e një femre dhe pastaj të përpiqet të justifikohet. Joana më ka telefonuar, më ka kërkuar falje dhe më ka treguar që ka një konsideratë të lartë për mua. Unë e vlerësova këtë gjë tek Joana dhe në ‘party’ bisedova me të e i thashë që akoma kam probleme me besimin tek ajo, por këtë gjë e vlerësoj dhe jam i bindur që thellë-thellë nuk është njeri i keq, por loja ia donte ashtu. I thashë se mbetet akoma për t’u testuar. Sa i përket Anaidit, nuk ia vlen që njerëz të nivelit tonë të diskutojnë për një zero si Anaidi, por për efekt artikulli po përsëris atë që i kam thënë që ditën e pestë të qëndrimit në shtëpi: është zeroja i të gjitha zerove. E vërtetoi vetë pa e provokuar unë. Anaidi është si pureja e patates, pa karakter. 
Tani çfarë planesh ke? Pushimet, me kë do i kalosh?
Planet e mia janë që të rri në Shqipëri dhe të konsultohem për një punë të mundshme në televizion. Kam marrë një apartament me Anisën time dhe kam filluar bashkëjetesën ‘full-time’. Plani është që t’i rikthej favoret Shqipërisë që më ka votuar, sepse një Beqiri nuk harron kurrë! I detyrohem shumë këtij vendi. Ndoshta do të angazhohem në fushatë elektorale si imazh për përkatësinë time etnike. Pushimet normalisht që do i kaloj me gjënë më të shtrenjtë që kam, familjen. Por dhe një arratisje njëjavore me bukuroshen time do e bëj...  
Ku do punosh?
Të them të drejtën, akoma nuk e di se ku. Po konsultohem për mundësi të ndryshme, por akoma nuk kam një përgjigje reale. Dëshira ime, e dini të gjithë që është televizioni, por nga shtatori do të regjistrohem në ‘Akademinë e Arteve’ për aktrim. Sigurisht që edhe në fushën e muzikës dua të bëj diçka, por origjinale, nga ato që di t’i bëjë vetëm Likja me CLS (qesh). Kam shumë kapacitet si njeri. Thjesht po përpiqem të gjej personat me të cilët të bashkëpunoj, që të realizojmë disa projekte vërtet të veçanta. 

(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›