Iliri kundër Metës
Emisioni investigativ Fiks Fare në TCH, na dha mundësinë para pak ditësh të njihemi me një përmbledhje ballafaquese midis atyre çfarë rezultuan nga videopërgjimi Meta-Prifti dhe deklaratave që pasuan më pas. Ishte interesant fakti se, z.Meta nuk e vë për asnjë moment në dyshim vërtetësinë e videos përkundrazi, përpiqet të justifikojë të gjitha skenat që ndodhën në atë bashkëbisedim të tij me z.Prifti. Ndoshta Meta është nxituar në atë kohë dhe, me shumë gjasë, nuk e ka menduar se çështja do përfundonte në dyert e drejtësisë, përndryshe do ishte treguar më i duruar për të mos rënë brenda me këmbët e veta. Në kushtet e sotme kur çështja ka marrë udhë në Gjykatën e Lartë, kemi avokatët e tij që kanë vënë në dyshim autencitetin e videos, për të mos folur për tre ekspertët shqiptarë që e rrëzuan përtokë atë. Për të gjithë ata lexues që nuk e kanë ndjekur emisionin në fjalë, unë e kam zbardhur materialin dhe po e sjell ashtu siç është transmetuar duke mos i komentuar fare, si pamjet, ashtu edhe përgjigjet, por ia lë lexuesve që të nxjerrin konkluzionet përkatëse, sepse çdo gjë është fare lehtë e kuptueshme.
Pamja 1:
Ilir Meta shfaqet në zyrën e Dritan Priftit me një bllok në dorë. Pasi ngjyhen njëherë gishtin me pështymë, nis dhe e shfleton atë.
Përgjigja e Metës dhënë në TV Klan gjatë emisionit Opinion, duke mbajtur në duar një bllok të ngjashëm: Meta: Unë gjithmonë mbaj një bllok me vete për të gjithë ata që punojnë me mua. Është një axhendë dhe kam një, si të thuash, një këshillë nga Simitis, ish-kryeministër i Greqisë, i cili gjithmonë mbante një bllok dhe kur takohej me homologët sepse thoshte që, ky nuk harrohet, ndërsa mendja edhe harron dhe njeriu kujtohet. Dhe pikërisht edhe në atë lloj pamje, po ta shikoni ju, domethënë kanë qenë disa çështje, disa probleme që janë diskutuar me Dritanin.
Pamja 2:
Jepen pamje kur Meta i thotë Priftit : Gimi më tha mua, nga ana ime deri në 700.
Përgjigja e Metës dhënë gjatë një konference shtypi në Ministrinë e Ekonomisë: Kam marrë një mesazh nga personi të cilit i përmendet edhe emri në këtë bisedë e që ka qenë këshilltari i kompanisë në fjalë ku ai thotë: …mund ta lexoni zoti Dylgjeri edhe si gazetar…
Ylli Dylgjeri lexon sms në celularin e Metës: Të kam thënë që dëmi që i është shkaktuar kompanisë nga zvarritja e moszbatimit të vendimit të gjykatës është, 700 mijë euro. Filani.
Pamja 3:
Jepen pamje kur Meta i thotë Priftit : Do ta çojnë më tej. Atë le ta çojnë, por prapë mbyllet, do flas unë me Shpresën. I kam marrëdhëniet shumë të mira, i çova vajzën në ambasadë. (shënim: bëhet fjalë për Shpresa Becaj, Kryetare e Gjykatës së Lartë)
Përgjigja i Metës thënë në TV Klan gjatë emisionit Opinion: Mund ta sqaroj shumë qartë … Është emëruar në bazë të një kërkese të saj personale, pasi me të unë kam patur një raport shoqëror, ka patur të gjithë kualifikimet për këtë çështje, sepse ka patur edhe gjuhën përkatëse për shkak të studimeve që ka bërë në Zvicër e tjerë-e tjerë, dhe tjera që dua tu them e që sdoja të merresha me këtë çështje, ka patur një problem shëndetësor dhe për këtë çështje ka pas edhe një ndërhyrje delikate e të vështirë dhe ky ka qenë thjesht, një raport, do të thosha, njerëzor dhe shoqëror. Ka qenë plotësisht brenda të gjitha kritereve.
Pamja 4:
Jepen pamje kur Meta i thotë Priftit : E dyta, me Lushnjen unë kam një që duhet ta bësh inspektor. Kam detyrim, një shokun tim që e kam patur në shkollë është fut tani me LSI-në. Po qe se duhet bërë…. Prifti: Pa diskutim që do ta bëjmë. Meta: E treta, këtë me kontratë do ta vëmë?
Përgjigja e Metës dhënë gjatë një konference shtypi në Ministrinë e Ekonomisë: Për këto akuza, pse kam kërkuar si kryetar i LSI-së për të ndihmuar, për tu punësuar njerëz apo elementë të caktuar nga LSI-ja, unë jam kryetar i LSI-së, kjo është detyra ime, që të ndihmoj sa më shumë aktivistë, simpatizantë, që të punësohen dhe këtu nuk ka asnjë gjë të paligjshme dhe asnjë gjë të pandershme.
Pamje 5:
Jepen pamje kur Meta i thotë Priftit : Tani, nuk e di në çfarë forme do të hysh ti, o ku di unë, etj. etj. Ky Gimi më tha mua mbrëmë, ne mund të bëjmë diçka diku te 7%.
Përgjigja e Metës dhënë gjatë një konference shtypi në Ministrinë e Ekonomisë: Ishte një kompani shumë e rëndësishme për shkak sepse ajo siguronte teknologjinë, turbinat pra, ishte një partner shumë i rëndësishëm për të gjithë këtë vepër e cila kishte gjithashtu një përqindje prej 6.66% apo diku prej 7 përqindëshi.
