E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iliri që e fali lirinë

Share

Nga Altin Ketro

Sa herë që kryeministri Berisha ndodhet përpara votimesh të rëndësishme dhe sheh se pozitat e koalicionit po i lëkunden, ndërmerr valë arrestimesh që shtrihen nga qendra në bazë. Të bëra në kushte të tilla ato asnjëherë stë ngrohin, pavarësisht se qeveria i paraqet kur ia do rasti përpara partnerëve ndërkombëtarë si suksese të saj në luftën kundër korrupsionit.

Nuk mbaj mend të jenë arrestuar funksionarë të partisë së tij dhe, edhe nëse ka patur ndonjë kokërr, kjo smund të krahasohet me atë që ai bën me partitë e koalicionit, LSI dhe PDIU, të cilat i bën masive, ose e përkthyer në gjuhën e ligjit, si Grup i Strukturuar Kriminal. Gjithmonë janë arrestuar në seri, nga kryetarë apo drejtorë institucionesh e në mënyrë vertikale i gjithë zinxhiri drejtues i këtyre institucioneve apo ndërmarrjeve.

Është një formë e hapur presioni? Padyshim që po! Pikërisht kjo e bën edhe më të pashpresë këtë luftë duke na dhënë të kuptojmë se qeveria ska vullnet për ta luftuar realisht korrupsionin si një të keqe të shoqërisë, por e përdor atë si mjet shantazhi për të goditur çdokënd që i del kundra, si brendapërbrenda koalicionit e deri edhe tek ndonjë i veti.

Kjo mënyrë sjelljeje është edhe një formë diskreditimi e këtyre partive të cilat i paraqiten publikut jo si formacione politike që vijnë në pushtet për të qeverisur, por si formacione keqbërësish që pushtetin e shikonin si mundësi plaçkitje. Dhe smund ta mohosh se Berisha sia ka arritur qëllimit. Këdo që të pyesësh e ti kërkosh një mendim për të emëruarit që përfaqësojnë partitë e koalicionit, e para gjë që të thonë është dëshira e papërmbajtur që ata kanë për përfitime, si dhe, formimi i ulët intelektual që demonstrojnë në shumicën e rasteve.

Shumë të emëruar nisen nga mendimi se, meqenëse partia në qendër ka në dorë ekzistencën e koalicionit, duke marrë shkas edhe nga pandëshkueshmëria e shefit të tyre, ata besojnë se janë të lirë të bëjnë çtë duan në territorin që u kanë dhënë për të drejtuar. Dhe këtu bien në grackën e kryeministrit.

Dihet mania e Berishës që don të jetë i mirëinformuar në detaje për çdo veprim që kryejnë aleatët e tij. Ua njeh të gjithë veprimet korruptive që bëjnë, biles skedon edhe ato që i denoncon media opozitare. Dhe asnjëherë nuk reagon në kohë. I lë me vetëdije të plotë të shpërdorojnë detyrën e njëkohësisht u plotëson dosjet me materiale kompromentuese. Kur vjen momenti i përshtatshëm i nxjerr nga kasaforta dhe godet, herë drejtpërdrejt, herë me goditje të largët, për të të lënë të kuptosh (nëse je i hollë për ta kuptuar) se as ti, shefi drejtues i partisë në koalicion, smund të shpëtosh po i shtrive këmbët përtej vijës së kuqe. Një zakon ky që e ka njohur qysh nga format e funksionimit të Sigurimit të Shtetit dhe që pas 90-ës e aplikoi suksesshëm edhe vetë gjatë qeverisjes presidenciale.

Kësaj mënyre ai ia ka parë hajrin, sepse tufa e deleve ska guxuar ta kapërcejë gardhin rrethues. Ka qëndruar e bindur deri në përunjësi edhe kur vetë Berisha ka dhënë shembuj se me veprimtarinë e vet ka qenë shumë herë më i kriminalizuar përsa i përket rëndësisë së veprave penale se sa aleatët në koalicion.

Në një nga aforizmat e tij, Filipsi thotë: Liria është fryt që duhet vjelur çdo ditë, përndryshe kalbet. E përkthyer në gjuhën e bashkëqeverisjes kjo do të thotë: Nëse partneri i koalicionit sdo kapej në flagrancë me bllok në dorë, nëse ky partner do kishte si qëllim kryesor atë 20 përqindëshin e administratës jo thjesht si vlerë numerike për ti punësuar, por si vlerë njerëzore për të kontribuar ndershmërisht, nëse po ky partner do kishin si mision qeverisjen me duar të pastra, deri edhe rrëzimin e qeverisë për hir të mospajtimit me të keqen, atëherë Berisha me gjithë ato 67 mandat e tij do mbetej një ishull i vogël e i vetmuar përballë rrethimit oqeanik që përfaqësonin 4 mandatet e LSI-së.

Por Meta, me gjithë atë çka përfaqëson, su bënë dot kurrë oqean, sepse në gjithë qeverisjen e deritanishme smundën dot ti imponohet me virtytet e një force politike të pastër e me frymë euro-perëndimore, duke mbetur një guriçkë në ishullin e PD-së, si pjesë e një vesi të keq, korrupsionit të përbashkët. Dhe në këto kondita, ai ia fali lirinë e vetë Berishës duke u bërë rob i tij. Iliri smundi të jetë kurrë i lirë, sepse me veprimet dhe mosveprimet e tij e la të kalbej, duke u kënaqur, për ironi të fatit, që e mban vetëm si llagap identifikues.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›