Keqkuptimet e ambasadorit Arvizu me presidencialet
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, është përfshirë në një fushatë keqkuptimesh nga opinioni publik lidhur me rolin e tij në zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë. Keqkuptimet, dhe në disa raste acarimet e opinionit publik, vijnë nga përfshirja e hershme e tij në debatin publik për presidentin e ri dhe sidomos referencën e tij serioze tek një listë gazmore e Arjan Çanit, në të cilën bëhet humor me mitomaninë e shqiptarëve për tu bërë president. Më pas filloi një fazë e dytë keqkuptimesh që vinte nga përdorimi që Fatos Nano filloi tu bënte takimeve me të. Ambasadori Arvizu është një diplomat aktiv, i cili ka një grafikë të dendur dhe të përsëritur takimesh me personalitete publike dhe politike në vend, por vetëm një pjesë e këtyre të fundit ia keqpërdorin këto takime duke i shitur në publik si një vëmendje e madhe amerikane ndaj tyre. Fatos Nano është tipiku i kësaj historie. I larguar nga vendi në Austri prej vitit 2005, ai është rikthyer këtu sa herë është dashur të hedhë ndonjë gur mbi opozitën në favor të pushtetit dhe i vetmi vend kur njerëzit mund ta fotografojnë me kuriozitet është duke pirë ndonjë kafe me ambasadorin amerikan. Deklaratat e Arvizusë pro një kandidature të Fatos Nanos dhe përpjekja e tij për tu treguar shqiptarëve vlerat e një lideri të larguar me votë në emër të korrupsionit nga shqiptarët, ishte natyrisht një teprim që acaron shumë njerëz. Por edhe më acaruese është qetësia dhe naiviteti me të cilin ambasadori flet për këtë temë.
Vala e tretë e keqkuptimeve ka të bëjë me faktin se ambasadori Arvizu u përfshi në debat dhe me përjashtimet e tij. Ai fjala vjen ka folur keq dhe ka përjashtuar si mundësi nga gara vetëm një emër, Jozefina Topallin. Unë nuk hyj tek ata shqiptarë që kam dëshirë të kem Jozefina Topallin presidente, por gjej shumë pak argumente pse një ambasador që pranon Berishën, nuk pranon Topallin dhe çfarë ndryshon Fatos Nano në këtë histori. Shqetësimi i ambasadorit amerikan publikisht ka qenë që presidenti i ri të punojë mirë me zotin Berisha dhe mendoj se zonja Topalli ka dhënë prova për këtë. Ajo është e vërtetë që është një politikane luajale me Berishën, gati- gati servile e tij, por ajo nuk ka histori të rënda korrupsioni dhe papërgjegjësie ndaj vendit siç ka zoti Nano. Ajo ka teprime të shëmtuara siç është rasti i emërimeve nepotike apo përdorimit personal të pushtetit për privilegje idiote të familjes së saj, por nuk është një zyrtare e korruptuar dhe nuk ka dëshmuar atë ndjenjë papërgjegjësie që ka demonstruar Fatos Nano ndaj etikës së një posti zyrtar. Ky i fundit është larguar prej vitit 2005 dhe jeton si emigrant në Vjenë, ndërkohë që shqiptarët e kanë votuar si një lider që rriti në nivele të paimagjinueshme korrupsionin. Fakti që Berisha ia ka kaluar në këtë pikë me historinë e Familjes së tij në pushtet, nuk e bën Nanon nga një hajdut të madh, në një hajdut xhepash, por bën Berishën një regjim të padurueshëm kleptokrat, të cilit nuk i duhet qarë halli se si do punojë me presidentin e ri, por i duhet kujtuar se ka punë me drejtësinë për korrupsion dhe vrasje politike. Ai është kryeministri që ka në qafë katër të vrarë më 21 janar dhe histori të pafundme korrupsioni ku është e përfshirë dhe Familja e tij në pushtet, histori korrupsioni që shpesh kanë përfunduar me vrasje masive si në Gërdec.
Për këtë arsye shumë shqiptarë nuk e kuptojnë dot çfarë do ti rregullojë Fatos Nano dhe çfarë pune do ti prishë Sali Berishës, dy emra për të cilat ambasadori bën vlerësime krejt të kundërta.
Tani që duket se historia e Topallit dhe Fatos Nanos është një flakë kashte që po shuhet dhe zgjedhja perfekte për llogari të vet e Berishës, Xhezair Zaganjori, po ecën i qetë drejt karriges së presidentit, ambasadori Arvizu po bëhet sërish aktiv. Këto 48 orë ai ka pasur takime aktive me Berishën, Ramën, Metën dhe sërish paradite një kafe me Fatos Nanon dhe për çudi gjithë media u mor me kafen e Fatos Nanos, e cila më shumë ka gjasa të ishte një kafe për të qetësuar Fatos Nanon për humbjen e shanseve se sa një kafe për ti dhënë atij një shans të ri. Arvizu nuk e ka refuzuar Zaganjorin, por nuk e ka pranuar atë si president konsensual në takimin me Berishën. Ai po ashtu nuk ka mundur dot të gjejë një zgjidhje me Edi Ramën si të tërheqin nga gara Zaganjorin dhe po ashtu ka konsumuar shpresa të kota tek Ilir Meta, i cili i rekomandon emrat që ka përdorur për ti shpëtuar drejtësisë nga gjykimi, siç ishte rasti i qokës me emrin e Fullanit.
Në këto kushte ambasadori i SHBA është aktiv dhe i qartë në qëndrimin e tij se zgjedhja e Zaganjorit nuk është më as një fitore, dhe as një humbje, por një vazhdim inercie i pushtetit të Berishës. Realisht ai po përpiqet të bëjë diçka për më shumë, por nuk po ia del dot. Berisha nuk kërkon më shumë se kaq nga ndërkombëtarët. Ai do vetëm të shmangen ultimatumet dhe kushtet e egra nëse zgjedh Zaganjorin. Për të ka pak rëndësi nëse ambasadorët do jenë të gjithë në sallë apo jo. Ai është zgjedhur vetë president vetëm me ambasadorin e Libisë në lozhë në vitin 1997 dhe nuk është mërzitur. Por përfshirja shumë aktive e ambasadorit amerikan dhe pafuqia e tij reale për të ndihmuar në proces krijojnë tek shumë shqiptarë paranojën se ai është përgjegjës i kakofonisë së emrave që kanë dalë dhe zhdukur dhe humbjes së shanseve për një president konsensual. Bile dhe lista e 27 intelektualëve që Basha duket ia ka dhëne Nanos me qera në këtë fushatë, kam frikë se i fryn këtij keqkuptimi. Në të vërtetë ambasadori ka bërë detyrën në stilin e vet, në mënyrën se si ai e bën detyrën në këtë vend dhe mbi të gjitha brenda kufijve që i vendos politika e shtetit të vet. Por tani, kur për të disatën herë ne dëgjojmë çfarë thotë ai, e shikojmë çfarë bën Berisha, ai duket se po merr ngarkesë të kotë negative nga publiku për gjëra që nuk i ka bërë, për ekskluzivitete që nuk i ka dhënë në emër të SHBA dhe mbi të gjitha për mospërfillje nga Berisha për gjithçka i ka rekomanduar, që nga ekspertiza e FBI për 21 janarin, zgjedhjet e 8 majit dhe së fundmi presidentin. Ambasadori Arvizu është ai që ka përfshirë në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit shqetësimin për gjyqin e 21 janarit dhe humbjen e së drejtës së shqiptarëve për të ndryshuar pushtetin me votë. Ky është një qëndrim shumë thelbësor për të cilin duhet ti jemi mirënjohës dhe nuk duhet ta mbulojmë peshën e tij me hilet shqiptare për të dalë në foto e për të pirë kafe me një diplomat, i cili po shpëton Berishën jo duke e ndihmuar vërtetë, por duke marrë përsipër kostot e vendimeve për të cilat Berisha nuk do tia dijë për këshillat e qeverisë amerikane. Berisha bëri si deshi për 21 janarin, përkundër ekspertizës së FBI, bëri si deshi për 8 majin, përkundër qëndrimit të SHBA dhe po bën si do për presidentin, përkundër qëndrimit të SHBA dhe BE për konsensus. Dhe jo vetëm që po bën çfarë do, por po ndan mjeshtërisht përgjegjësinë për këtë që po bën me treshen e ambasadorëve të Perëndimit në Shqipëri, prej të cilëve shqiptarët kanë dëshirë ta veçojnë ambasadorin e SHBA, i cili në përfytyrimin e t
