E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronika tjetër e zgjedhjes së Presidentit

Share

Nga Namir Lapardhaja

Vritet në prehrin e nënës së tij, teksa kthehej nga shkolla një fëmijë 9 vjeç kështu e nis raportimin e saj të sotëm një e përditshme shqiptare. Kuptohet që fëmija është viktimë rastësore e një atentati mafioz që ka pasur për shënjestër xhaxhanë e të miturit… Has, vret vëllanë për gardhin. Arrestohet 70-vjeçari, pranon vrasjen për pronësinë… Durrës, vritet me 12 plumba Loshi i Kavajës…. Kukës, ndihmësmjeku qëllon me plumb në ballë sekretarin e komunës… Cërrik 1997, lirohen tri të akuzuarit e dënuar përjetë… Një i dënuar për vrasje godet me levë në kokë kryekomunarin e kërkuar nga Interpoli për trafik të lëndëve narkotike….

Kjo është vetëm një pjesë e kronikës së zezë në vendin tonë në këto ditë presidenciale.

Shoqëria shqiptare është në krizë morale dhe identitare dhe politika në këto 20 vite, pothuajse, nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar laryshinë e këtij amoraliteti dhe anormaliteti. Madje, ajo nuk lë vend dhe moment pa e shprehur edhe vetë një gjë të tillë, gjë që po e bën edhe me mjaft profesionalizëm në këto ditë të zgjedhjes së Presidentit të Ri të Republikës, i cili duhet të ishte zgjedhur e duhet të fillonte një hetim të menjëhershëm, duke qenë se është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, lidhur me shpalljen të pafajshëm nga Apeli i Krimeve të Rënda të tri pjesëtarëve të së ashtuquajturës Bandë e Cerrikut, e cila akuzohet nga drejtësia shqiptare për disa vepra të rënda penale. Më e njohura e tyre, masakrimi i gjashtë gardistëve në vitin e tmerrshëm 97.

Procedura e re e zgjedhjes së Presidentit, e cila u kanonizua në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, kështu ajo që duhet të ishte një zgjedhje formale e një emri konsensual (në 3 raundet e para) e me 71 vota (në 2 raundet e mbetura), po kthehet në një odise pa krye, që fundin nuk ia dinë as vetë ata që e kanë nisur dhe e kanë stisur.

Sa herë që ka zgjedhje të kreut të ri të shtetit, e gjithë klasa politike shqiptare nxjerr në pah paaftësinë e saj për reagime të shëndetshme në këto raste, edhe pse një emër do të zgjidhet, qoftë në raundin e tretë a qoftë në të pestin.

Mirëpo, Shqipëria nuk është vetëm zgjedhja e një Presidenti. Ajo është shumë më shumë. Shqipëria është kronika e zezë e së përditshmes sonë. E përditshme që e sotmja e saj është më e sigurt se e djeshmja, por shumë herë më e pasigurt se e nesërmja.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›