E Diel, 1 Nëntor 2026

Imamët: Ligji gay shkatërron familjen

 

Fatos Mahmutaj

Votimi në qeveri i draftit për lejimin e martesës mes personave të të njëjtit seks ka sjellë reagimin e ashpër të besimtarëve myslimanë në mbarë vendin. Imamët e xhamive në mbarë vendin kanë shfrytëzuar faljen e së premtes për t’iu përcjellë besimtarëve kundërshtimin e hapur të këtij projektligji, i cili është kërkuar nga BE-ja si një prej kushteve që duhet të përmbushë shteti shqiptar. Pjesa e dytë e ligjëratave të mbajtura nëpër xhamitë e kryeqytetit ishte reagimi për këtë ligj, ndërsa u përmend se kësaj here së bashku me ndjekësit e fesë islame ndodheshin edhe komunitetet e tjera fetare, madje për më tepër edhe qytetarët ateistë. “Feja islame e dënon me forcë homoseksualizmin, pasi sipas ligjeve fetare duhet të ekzekutohen të dy personat që kryejnë akte të tilla të shëmtuara dhe jo njerëzore”, pohoi dje Ahmed Kalaja, imami i xhamisë së Dine Hoxhës në Tiranë. Duke vazhduar në këtë linjë, hoxha Kalaja pohoi se dënimi për këtë kategori njerëzish duhet të jetë njëlloj siç ka vepruar Zoti me popullin e Sodomës dhe Gomorës, rreth 3800 vjet më parë. Sipas tij, kjo mënyrë e ndëshkimit është shënuar qartë në librat hyjnorë, Dhiatë e Vjetër, Bibël dhe Kur’an. Kalaja, gjatë fjalës së tij tha më tej se, nëse një draft i tillë do të bëhet ligj, atëherë pasojat, pas disa dhjetëvjeçarësh do të jenë të pariparueshme në popullsinë shqiptare. “Për më tepër, atëherë do të ketë humbur koncepti i familjes, pasi do të rriten fëmijë që nuk njohin nënën ose babanë, pasi prindërit e tyre do të jenë të të njëjtit seks”, tha hoxha Kalaja, duke shtuar se një nga fazat e para të ndëshkimit hyjnor do të jenë sëmundjet vdekjeprurëse seksualisht të transmetueshme, si SIDA etj. Për të ilustruar këtë mendim, Kalaja solli si shembull vende të ndryshme në Europë dhe në kontinente të tjera, të cilët kanë miratuar ligje të tilla. Duke përfunduar Kalaja pohoi se është larg mentalitetit të shqiptarëve për të pranuar ligje të tilla, aq më tepër kur njihemi si një popull fanatik dhe që familja është bazë e shoqërisë. Ndërsa në lidhje me votimin e pritshëm të këtij drafti në Kuvend, Kalaja pohoi se, “deputetët që ne votuam nuk do ta konfirmonin këtë ligj që qëndron jashtë natyrës së pastër njerëzore”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›