E Diel, 1 Nëntor 2026

KMSH: Do nisim një fushatë sensibilizuese me komunitetet e tjera

 

TIRANE - Saimir Rusheku, nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, deklarohet prerazi kundër ligjit të homoseksualëve, i miratuar tri ditë më parë nga qeveria. Në emër të institucionit qendror të myslimanëve shqiptarë, Rusheku pohoi dje se së bashku me institucionet e feve të tjera në vend, do të bashkërendonin punët për të kontestuar ligjërisht këtë nismë të qeverisë, në mënyrë që të parandalohen efektet eventuale që mund të lindin nga miratimi i këtij ligji. Po kështu edhe kreu i KMSH-së, Selim Muça, gjatë një kontakti telefonik u shpreh kundër këtij ligji, ndërkohë që institucioni që drejtohet prej Muçës dhe Rushekut ndodhet në krye të grupit që po konteston draftin qeveritar. Paraditen e djeshme, Rusheku u prononcua zyrtarisht në lidhje me këtë ligj.
Zoti Rusheku, Komuniteti Mysliman Shqiptar është aktualisht institucioni më i madh fetar në vend dhe detyrimisht ju jeni deklaruar të parët kundër draftit ligjor, për homoseksualët, i cili u votua nga qeveria tri ditë më parë. Mund të na thoni cila do jetë rruga e kontestimit nga ana juaj?
Do të jenë nisma sensibilizuese që do t’i ndërmarrim së bashku me komunitetet e tjera fetare në vend, me të cilët do të bashkërendojmë punët. Në këtë rast nuk është aspak e vështirë për të bashkëpunuar, pasi të gjitha fetë janë deklaruar kundër një ligji të tillë dhe, për më tepër, kundër draftit ligjor janë dhe gjithë shqiptarët. Ne shqiptarët jemi populli që familjen e kemi bazën kryesore të shoqërisë, ndërsa ky ligj godet pikërisht këtë, duke shkatërruar më pas krejt shoqërinë. Pas sensibilizimit ne do të ndjekim të gjitha rrugët e tjera ligjore për të kundërshtuar aprovimin e këtij ligji. Kjo duke u mbështetur në parimet kushtetuese dhe rendin moral të shoqërisë, për të parandaluar në këtë mënyrë pasojat eventuale që mund të derivojnë nga ky projektligj.
Pas qeverisë, drafti ligjor, sipas rregullave, pritet që të kalojë në Kuvend dhe më pas të dekretohet nga Presidenti i Republikës, në mënyrë që të marrë formën e plotë. Do ndikoni në këto institucione ju?
Sigurisht, ndaj po nisim fushatën sensibilizuese. Në këtë mënyrë i bëjmë thirrje mbarë klasës politike të ngrihet në nivelin që  kërkon interesi i vendit. Dhe jo të bien në papërgjegjshmërinë e legjitimitetit të perversitetit moral. Në këtë këndvështrim, Komuniteti Mysliman, nëpërmjet këtij mesazhi iu bën thirrje ligjvënësve të rinj shqiptarë dhe klasës politike për t’u ndërgjegjësuar dhe ngritur në nivelin e saj moral dhe politik, që të konsiderojë dhe të vlerësojë si një normë shumë të rëndësishme morale pikërisht trashëgiminë e vyer të traditës së familjes shqiptare, për të cilën jemi krenarë. KMSH shpreh qëndrimin e tij permanent kundërshtues në lidhje me projektligjin në fjalë, ku parashikohet martesa brenda të njëjtës gjini. Miratimi i këtij akti do të përbënte një precedent të rrezikshëm për shkatërrimin e vlerave të familjes shqiptare dhe të institucionit të martesës. Për rrjedhojë do të dëmtonte rëndë procesin e edukimit dhe formimit të karakterit të rinisë.
Miratimi i këtij ligji është kërkuar nga BE-ja dhe është një nga kushtet që i janë vënë vendit tonë për t’iu bashkuar Europës. Pse duhet kundërshtuar?
Lidhur me pretendimet se ky është një standard i kushtëzuar nga BE-ja, KMSH mendon se ai në realitet përbën një rekomandim fakultativ, i cili nuk ka efekte detyruese për legjislacionin e brendshëm shqiptar.
Thoni që feja është tolerancë dhe respekton të drejtat e njeriut. Ku shihet toleranca në këtë rast?
Përkundrazi ky ligj nuk ka të bëjë aspak me tolerancën nga ana jonë. Në këtë rast jemi ne viktimat, pasi është tejkaluar e drejta hyjnore dhe morali njerëzor. Ne respektojmë në maksimum gjithçka nuk bie ndesh me moralin e pastër njerëzor dhe ligjet universale hyjnore. Ligji konkret është tejkalim dhe denatyrizim i njeriut.
Pse nuk ia kërkuat më parë qeverisë mosmiratimin e këtij drafti ligjor?
Në vitin 2003 kur u tentua të bëhej një ligj i tillë, KMSH e kundërshtoi ashpër dhe mendoj se kjo ishte një nga arsyet pse u rrëzua ky ligj. Tashmë ne nuk kishim asnjë informacion për çfarë  ka bërë shoqëria civile dhe nuk jemi konsideruar si grup interesi. Gjithçka e mësuam nga mediat dhe e kundërshtuam që në momentin e parë.                         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›